Daja: Kujdes Luftëtarin, jo Partizanin e Beogradit!

Në Korçë fillon i ftohti, por trajneri i Skënderbeut shprehet se nuk ndikon aspak te skuadra që po kalon një moment shumë të mirë

Leonard Trebicka

“Është klimë e pranueshme, por duhet t’i ruhemi të ftohtit. Kemi entuziazëm pas rezultateve vërtet të mira që kemi arritur deri tani, por duhet të vazhdojmë të qëndrojmë me “këmbë në tokë”. Moti është i ftohtë, por na ngroh ky entuziazëm. Ndaj Luftëtarit të shtunën e them me bindje se është shumë e vështirë, sepse kundërshtari ka ndryshuar stafin dhe lojtarët në këtë moment japin më të mirën në fushë. Gjirokastritët kanë lojtarë që dinë të bëjnë sulmin e shpejtë, prandaj duhet të bëjmë maksimumin për të marrë fitoren e radhës? – ka theksuar mes të tjerash në një intervistë për “Sport Ekspres” trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja.

– Daja, në Korçë ka nisur tashmë moti i ftohtë dhe ju duhet të vini kapuçin në kokë. Sa ju pengojnë temperaturat për stërvitjen e ekipit?

– Është klimë e pranueshme, por duhet t’i ruhemi të ftohtit. Kemi entuziazëm pas rezultateve që kemi arritur deri tani, por duhet të vazhdojmë të jemi me “këmbë në tokë”. Moti i ftohtë nuk është problem, sepse kushtet këtu në Korçë janë shumë të mira. Klima është ajo që i takon kohës, por për ne të gjitha stërvitjet realizohen 100% dhe kjo na bën të mos e ndjejmë aspak të ftohtin. Pra, nuk ndikon moti në punën tonë.

– 19 pikë pas 7 javëve të para dhe në krye të Superligës. Sio do t’i komentonit këta tregues?

– Do të thotë se kemi startuar vërtet mirë sezonin dhe kemi bërë atë që duhet të bënim deri tani. Duhet patjetër vazhdimësi, duhet të ruajmë ritmin edhe në të ardhmen. Ka vend edhe për përmirësime dhe edhe kjo duhet bërë.

– Sot (dje) në stërvitje kanë munguar Soue, Dita, Vangjeli, Jashanica dhe Radas. Pse kaq shumë mungesa?

– Do të thosha se nuk ka munguar asnjë, pasi këta lojtarë që ju përmendët kanë kryer stërvitje me program të diferencuar. Një pjesë kanë qenë në palestër, Radas dhe Sahiti kanë kryer vrapime në stadium dhe të tjerët kanë qenë nën urdhrat e mia. Kjo do të thotë që nuk kemi pasur asnjë mungesë, por vetëm lojtarë që kanë kryer stërvitje individuale.

– Sa e vështirë është përballja ndaj Luftëtarit?

– Asnjë ndeshje nuk është e lehtë. Ndaj Luftëtarit është e vështirë, sepse ka ndryshuar stafin dhe lojtarët në këtë moment japin më të mirën në fushë. Gjirokastritët kanë lojtarë, të cilët dinë të bëjnë sulmin e shpejtë, prandaj duhet të bëjmë maksimumin për të marrë më të mirën në fundjavë. Duhet vlerësuar kundërshtari i radhës dhe të jemi të motivuar maksimalisht në fushë për fitoren e radhës.

– Gjirokastritët kanë më shumë se 20 vjet që nuk marrin pikë në Korçë…

– Statistikat janë një orientim, por jo gjithçka. Mendoj se nuk duhet të nisemi aspak nga ky fakt, duhet të dalim në lojën tonë dhe ta imponojmë ekipin mik të zhvillojë po lojën tonë.

– Pas Luftëtarit keni tri ndeshje jashtë. Në Beograd për Europa League, ndaj Vllaznisë në Shkodër dhe më pas me Flamurtarin në Vlorë. “Malore” e vërtetë, apo jo?

– Jemi të përqendruar vetëm te ndeshja e radhës dhe për një arsye që kemi ndeshje çdo 3-4 ditë. Nëse do të mendonim tjetrën, do të bënim shumë gabim. Nuk jemi përgatitur fare për të tjerat. Kur të mbyllim Luftëtarin, do të mendojmë dhe do të flasim për të tjerat, sipas radhës.

– As për Partizanin e Beogradit nuk po mendoni?

– Sinqerisht, jo. Në këto lloj ndeshjesh duhet të jemi të gjithë me mendjen te Luftëtari. Sapo ta mbyllim të shtunën do të fillojmë të mendojmë e përgatitemi për Partizanin e Beogradit, duke e studiuar atë.

– Do të kurseni ndonjë futbollist të shtunën në ndeshjen e kampionatit?

– Nuk do të kursej asnjë lojtar, por ata që kanë probleme me lodhjen, apo me dëmtimet, nuk do t’i sakrifikojmë. E kemi kontigjentin për ta bërë një gjë të tillë.

– Po Gavazaj, Nimaga, Sahiti e ndonjë tjetër, rikthehen në formacion?

– Secili do kohën e vet për të qenë në fushë, pas një ndërprerjeje që ata kanë pasur për arsye dëmtimesh. Vetëm në rast se do kemi probleme, ata do të jenë në fushë. Nimaga dhe Gavazaj po stërviten me ritëm të plotë, ndërsa Sahiti edhe sot (dje) ka vijuar të stërvitet veç.  

– Së fundi, në këtë të ftohtë korçar, mos ndoshta është koha të rikthehen “ujqërit”?

– Besoj që nëse duam të jemi edhe më të fuqishëm në fushë, ashtu siç dinë “ujqërit”, duhet të përmirësohemi në ato elementë dhe në ato situata ku nuk kemi qenë atje ku duhet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *