Daja: Kthimi i Starovës i bën mirë kampionatit

0

Për trajnerin e bardhekuqve, asnjë kundërshtar nuk bën dallim nga tjetri dhe skuadra e tij luan vetëm për fitore në çdo fushë

Leonard Trebicka

Partizani-Skënderbeu është kryendeshja e javës së 12-të. Për trajnerin e korçarëve, Ilir Daja, lodhja e ndeshjeve të shumta mund të ndihet, por ai gjykon se Skënderbe është mësuar me të tilla ngarkesa. Kreu i stolit korçar thekson se Skënderbeu do të tentojë të bëjë atë që bëri edhe në fazën e parë, kur e mundi 2-0 Partizanin. Dje nga Durrësi trajneri Daja ka dhënë këtë intervistë:
Daja, nesër (sot) ndaj Partizanit, sa i vështirë ky takim?
– I vështirë, pasi përballë është Partizani dhe gjithmonë duhet të jesh i përqendruar në të tilla përballje. Të kuqtë e nisën sezonin si favoritë dhe besoj se do të bëjnë të pamundurën për t’u rikthyer të tillë. Duhet të jemi të përqendruar dhe të japim maksimumin nga minuta e parë deri në minutën e fundit. Nuk duhet që kundërshtari të na gjejë në befasi.
A është i lodhur ekipi nga ndeshjet e shumta?
– Të them të drejtën, jemi mësuar me të tillë ngarkesë dhe nuk është se na bën shumë përshtypje. Kemi krijuar imunitet, pasi u bë kohë e gjatë që luajmë ndeshje të shumta. Besoj se nuk është problem lodhja për Skënderbeun, që besoj se do të dijë t’i administrojë forcat.
Si vjen skuadra në këtë ndeshje?
– Kemi humbur Vangjelin, i cili ka një problem ngarkese në kofshë dhe mund të them se jemi me dy mungesa të sigurta. Janë Vangjeli dhe Nespor, edhe ky i dëmtuar. Kjo është situata e Skënderbeut.
– Kukësi fitoi të shtunën, a rritet presioni mbi ju tani?
– Nuk e shoh punë presioni, sepse kemi ndeshjen tonë për të luajtur dhe mendojmë vetëm për këtë. Kukësi bëri punën e vet dhe ne do të bëjmë punën tonë. Diferenca prej 5 pikësh, që nuk janë shumë, është e mjaftueshme për të qenë të qetë në logjikën e ngjarjeve. Nuk besoj se është problem presioni i ndjekësve.
Por Partizani kërkon të ringrihet, ju tremb?
– Partizani e nisi kampionatin si pretendent për titull, por nuk pati rezultatet që kërkonte. Tani është normale që kërkon të ringrihet.
Starova është kthyer në krye të ekipit të kuq…
– Rikthimi i Starovës është një plus për Partizanin. Ishte njeriu i duhur për këtë ekip dhe besoj se kanë bërë një zgjedhje të mirë. Starova i bën mirë kampionatit, pasi është një trajner i mirë dhe mjaft karizmatik.
Skënderbeu nuk fiton prej më shumë se 3 vitesh në Tiranë. Ndikon ky fakt?
– Statistikat mbeten statistika dhe nuk besoj se ndikojnë te lojtarët. Ne shohim atë që prodhohet në fushë. Skënderbeu fitoi 2-0 në fazën e parë, duke dominuar me lojë. Jam i bindur se ekipi do të riniset nga ky takim, jo nga statistikat. Skënderbeu kudo luan për fitore, nuk është risi. Presidenti Takaj dhe drejtuesit e tjerë e kanë ndërtuar këtë ekip për të qenë protagonist. Kërkojmë vetëm fitoren, pastaj flet fusha.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.