Daja: Kemi zhvilluar superndeshje

Trajneri i bardhekuqve vlerëson lojën e të tijve dhe deklaron se këtë priste nga ekipi dhe mori sinjalin më pozitiv, edhe pse përballë ishte një skuadër e madhe europiane

Menjëherë pas ndeshjes kundër Beshiktashit, trajneri i Skënderbeut Ilir Daja është shprehur mjaft i kënaqur për paraqitjen e ekipit të tij. Daja ka folur në lidhje me testin e djeshëm ndaj një ekipi vërtet të fortë siç është Beshiktash dhe ka folur me superlativa për të tijtë nga ajo që pa në fushën e lojës. Madje, për Dajën kanë qenë 4 raste të tjera që Skënderbeu duhet të shënonte sërish, por kjo nuk ka ndodhur, edhe për meritë të portierit kundërshtar.

HUMBJE QË NUK DHEMB Ja se ç’farë tha dje në mbrëmje për “Sport Ekspres” nga Turqia, trajneri Ilir Daja: “Së pari, dua të them se jam i kënaqur me të gjithë lojtarët për paraqitjen që kanë bërë në këtë takim pasi me të vërtetë kemi bërë një ndeshje mjaft të mirë. Kemi pasur shumë mundësi për shënim, edhe pse përballë kishim një ekipi si Beshiktash që është një nga më të mirët në arenën europiane duke kaluar edhe grupet e Champions Ligës. Kemi pasur shumë mundësi shënimi dhe mund të kishim marrë një rezultat pozitiv por portier i tyre ka bërë katër ndërhyrje vendimtare. Prandaj e them se jam i kënaqur me të gjithë lojtarët që ishin prezentë në këtë takim, dhe sot (dje) me plot gojë e rithem për të disatën herë që kam parë skuadrën në ditë shumë të mirë. Në fund, edhe rezultati në këto takime nuk është i rëndësishëm, pasi janë thjesht miqësore, dhe për këtë mund të them se loja ishte ajo që më interesonte”.

EDHE NJË MIQËSORE Për trajnerin Daja, skuadra është në rritje konstante dhe me shumë gjasa frytet e punës së kryer në Antalia do të vilen në miqësoret e ardhshme. Më 15 janar Skënderbeu do të ndeshet me Vitorulin, një ndër ekipet më të mira në Rumani dhe kampion në fuqi, ndërsa më 18 janar do të luhet miqësorja e fundit, kundër kazakëve të Aktobes. “Kemi mbyllur edhe këtë ndeshje tjetër miqësore dhe nga dita në ditë po rritemi dhe deri në ditën e fundit që do të qëndrojmë në Antalia mendoj se do të kemi mundësi të marrim më të mirën. Tani duhet të vazhdojmë me këtë ritëm me seancat stërvitore dhe kemi edhe një ndeshje tjetër pas disa ditësh, ku shpresoj që edhe atje të tregojmë që jemi një ekip solid dhe përse jo ka ardhur momenti që të marrim edhe rezultate pozitive, ”- përfundoi nga Antalia trajneri Ilir Daja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *