Daja i qetë: Nuk e humbasim këtë titull

Për trajnerin kryeqytetas, gjendja psikologjike ka ndryshuar gjatë këtyre ditëve dhe skuadra shkon për tri pikë në Vlorë. Vendimi i UEFA-s solli dy humbjet radhazi

Leonard Trebicka

Ka fituar Kukësi dhe është afruar me 9 pikë nga Skënderbeu, por kjo diferencë nuk e shqetëson aspak trajnerin Ilir Daja, i cili nuk e mendon faktin që kampionati mund të rihapet. “Vetëm Skënderbeu mund të humbasë këtë titull, pasi gjithçka e ka vet në dorë”, tha dje kreu i stolit bardhekuq. Ai theksoi se skuadra e tij shkon për tri pikë në Vlorë: “Të thuash që një ekip si Skënderbeu kërkon rezultat tjetër veç fitores, nuk shkon. Skënderbeu shkon kudo për të marrë maksimumin, edhe në transfertë. Duhet të rikthehemi te fitorja në ndeshjen ndaj Flamurtarit”, shtoi Daja. Ja intervista e tij e plotë për Sport Ekspres:
– Daja, dy humbje në dy takime, si asnjëherë më parë. Si e keni parë situatën në ekip pas këtyre rezultateve?
– Janë dy humbje radhazi, aq sa kishim bërë gjatë gjithë kampionatit. Dy humbje në kompeticione të ndryshme dhe kjo është disi më ndryshe. Por janë dy humbje të ardhura pas vendimit të UEFA-s, që shkaktoi jo pak probleme te të gjithë ne, duke mos na lënë të qetë si në fillim.
– Mendoni se këto rezultate janë si pasojë e gjendjes psikologjike dhe jo neglizhimit?
– Jo, sigurisht që jo. Nuk ka arsye neglizhimi në këtë mes. Ne kemi qenë në të tilla kushte edhe më parë, kur diferenca ishte 15 pikë, para se të dilte vendimi, dhe të gjithë ju e dini se çfarë kemi bërë në fushë. Tani gjendja psikologjike nuk na lë të shprehemi si duhet, kjo është e gjitha.
– Ka qenë javë mbledhjesh te Skënderbeu
– Të them të drejtën, nuk ka pasur ndonjë gjë të veçantë, pasi kanë qenë më shumë takime pune se mbledhje. Mund të them se jemi munduar të qetësojmë disi lojtarët psikologjikisht, duke u dhënë garanci për të tashmen dhe të ardhmen. Të them të drejtën, gjatë këtyre seancave që kemi zhvilluar në qytetin e Durrësit, ekipi ka qenë i përqendruar dhe është dukur më i lirshëm. Por të shohim se si kjo qetësi psikologjike do të transmetohet edhe në fushë.
– Sa e vështirë është ndeshja në Vlorë përballë Flamurtarit?
– Është ndeshja e parë e fazës së katërt të kampionatit dhe kërkojmë ta nisim mirë këtë fazë. Do të jetë një ndeshje delikate, pasi Flamurtari vjen nga një ecuri jo e mirë në javët e fundit dhe do të kërkojë maksimumin në shtëpinë e vet. Është një ndeshje, që duhet ta kalojmë me sukses.
– A ju bën punë edhe barazimi në këtë takim?
– Të thuash se një ekip si Skënderbeu kërkon rezultat tjetër veç fitores, është diçka që nuk shkon. Skënderbeu shkon kudo për të marrë maksimumin, edhe në transfertë. Duhet të rikthehemi te fitorja.
– Keni frikë se mund të rihapet kampionati, pasi Kukësi është afruar në 9 pikë?
– Jemi në vendin e parë dhe kemi një diferencë të mirë me ndjekësit. Në tri faza jemi përballur me secilin prej tyre nga tri herë dhe kemi dominuar, duke marrë 2 fitore dhe 1 barazim me cilindo nga ndjekësit. Të thuash që kampionati u rihap, nuk besoj se është pohimi i duhur. Vetëm Skënderbeu mund ta humbasë këtë kampionat, pasi gjithçka e ka në dorë e vet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *