Daja: Duhet të përmirësojmë performancën, ndeshje mes të barabartësh

Flamurtari do të sfidojë nesër skuadrën e Teutës, që ashtu si vlonjatët ka 14 pikë në klasifikimin e përgjithshëm. Ndeshja e fazës së parë po ashtu ka përfunduar në barazim ndaj edhe nesër pritet një takim i ekuilibruar. Në konferencën e zakonshme për shtyp, trajneri Ilir Daja ka komentuar sfidën me “djemtë e detit”, por nuk ka lënë jashtë vëmendjes dhe gjendjen e skuadrës së tij.

NDESHJA ME TEUTËN – “Nesër kemi një ndeshje mes të barabartëve, qoftë nga klasifikimi, por dhe duke u nisur nga ndeshja e fazës së parë që përfundoi në barazim. Nga kjo mendojmë që duhet të futemi me një motiv maksimal nëse duam që të shkojmë drejt fitores, për të vijuar në këtë fazë të dytë ashtu siç mbyllëm fazën e parë me marrjen e 3 pikëve. Natyrshëm që kemi obligim përmirësimin e performancës së lojës, pasi performancë e lojës do na japë garanci për vazhdimësinë”.

MUNGESAT – “Po e përsëris sërish, që nuk do të flasim për mungesat, pasi na është bërë rutinë në 9 javët e para. kemi menaxhuar me kontingjentin që kemi pasur në dispozicion kështu do të bëjmë dhe nesër. Nuk besoj se ka rikthime, por shpresoj që të lojtarët që kemi pasur të dëmtuar së fundmi të jenë në një kondicion më të mirë”.

BICAJ E SIDIBE – “Do të thosha se njohin mentalitetin, por jo skuadrën, pasi skuadra është e rinovuar plotësisht, si në manovër ashtu dhe në afrimet që kemi bërë. Si Bicaj dhe Sidibe janë lojtarë shtatlartë që në goditje standarde kemi marrë masa. Shpresojmë që t’u lëmë sa më pak mundësi duke përdoru edhe ne atë manovër që kemi përgatitur gjatë kësaj jave për ndeshjen e nesërme”.

Hyseni: Ndeshje e fortë, Teuta vjen nga dy fitore
Edhe Alsio Hyseni është në të njëjtën linjë me trajnerin, duke vënë në dukje faktin se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por beson se me tifozët do të arrijnë që të marrin fitoren: “Kundër Teutës do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Dihet që si ne ashtu dhe kundërshtari ka 14 pikë, plus Teuta vjen nga dy fitore. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Mesazh për tifozët? Uroj që të jenë sa më të shumtë për të na mbështetu dhe uroj që t’i kënaqim me një fitore”.

 

Alvesh: rëndësi ka suksesi, jo kush shënon
Së bashku në konferencën për shtyp ishte dhe sulmuesi Danilo Alvesh, i cili vendosi fatin e ndeshjes me Tiranën. Braziliani e thekson se pak rëndësi ka se kush e gjen rrugën e rrjetës, mbi të gjitha rëndësi ka që skuadra të ketë sukses: “Presim që të zhvillojmë një ndeshje të mirë. Pak rëndësi ka nëse shënoj unë apo dikush tjetër, e rëndësishme është të arrijmë te suksesi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *