Daja: Dua një dhuratë për ditëlindje

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja ka dalë në konferencë për shtyp nga Elbasani, në prag të ndeshjes kundër Partizanit të Beogradit. Presioni është pak më i madh se zakonisht dhe Daja e pranon: “Ka një lloj tensioni të jashtëm, por ne kemi gjithë javën që e përgatitim ekipin për ta shmangur këtë dhe për t’u përqendruar te loja. Mbështetjen e publikut duhet ta shpërblejmë vetëm në fushën e lojës, duke fituar takimin, pa menduar për gjëra të tjera që nuk kanë lidhje me sportin. Kundërshtari ka cilësi individuale shumë të mira, por ne kemi eksperiencën e duhur për të përballuar edhe ekipe si Partizani i Beogradit. Do të kërkojmë të jemi pragmatistë dhe të marrim 3 pikët, por që të bëjmë këtë, duhet të komandojmë pjesën më të madhe të lojës dhe të mos i lejojmë kundërshtarët të ndërtojnë raste të rrezikshme”, tha trajneri i korçarëve.

Daja kërkon tre pikë për të shpresuar te kualifikimi, por edhe si dhuratë: “Natyrisht që situata në grup na jep mundësinë të pretendojmë kalimin më tej dhe ne do të bëjmë maksimumin për t’u renditur të dytët. Marrja e 3 pikëve nesër është një hap i rëndësishëm në rrugën drejt kualifikimit, kjo edhe për faktin se Jang Bojs do të luajë ndaj skuadrës më të fortë të grupit dhe mund të dalë pa pikë, por ne duhet të përqendrohemi vetëm te ndeshjet tona dhe të japim maksimumin. E dua fitoren nga skuadra edhe si dhuratë për ditëlindjen, që e kam një ditë pas ndeshjes”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *