Daja: Dinamo e fortë, por kemi shanset tona

0

Për trajnerin e Skënderbeut çdo kundërshtar është i vështirë, por skuadra e tij do të bëjë ç’është e mundur të shkojë në grupe

Leonard Trebicka

Të gjithë te Skënderbeu, pasi kanë mësuar kundërshtarin e “play-off”-it, kanë dhënë mendimin e tyre për Dinamon e Zagrebit. Dje pasdite ka folur trajneri Ilir Daja, i cili, pas kalimit të tre tureve, beson te “mrekullia”. Për të, Dinamo e Zagrebit është një ekip i fortë, por jo i pamposhtur. Daja ka folur gjatë për ekipin e tij, shanset e kualifikimit, kundërshtarin, largimin e Afrim Takut dhe sulmuesin Soue, që do të jetë risia e vetme e Skënderbeut në “play-off”-in e Europa League.
DINAMO ZAGREB – Fokusi i Skënderbeut dje ishte shorti dhe më pas Dinamo e Zagrebit. Për këtë kundërshtar trajneri i Skënderbeut u shpreh: “Dua të them se çdo kundërshtar që do të na binte, do të ishte i fortë. Koeficientin në atë vazo që kishim përballë, e kishin shumë të lartë. Dinamo Zagreb për mua është një klub që ka histori dhe përveç lojtarëve cilësorë, ka menaxhim shumë të mirë të lojtarëve të rinj, duke i shitur në gjithë Europën, sidomos në skuadrat me emër. Dinamo është një klub, që promovon shumë talentet dhe për këtë njihet më shumë. Gjithsesi, Skënderbeu e ka pasur përballë edhe përpara dy viteve dhe e njeh pak a shumë. Për momentin, nuk kam parë ndonjë ndeshje të tyre. Duke filluar nga sot (dje) në mbrëmje, do të grumbulloj materialin për të nxjerrë konkluzionin për këtë skuadër. Kaq mund të them në këtë moment”.
KUALIFIKIMI – Sa shanse ka Skënderbeu për të kaluar më tej? Mendimi i Dajës është: “Sigurisht që Dinamo është favorite, pasi ka koeficient shumë më të lartë. Do të bëjmë maksimumin, pasi besojmë se mund ta kalojmë. Duhet të qëndrojmë me “këmbë në tokë” dhe të tregojmë që jo rastësisht jemi këtu. Pasi ta shikoj kundërshtarin, do të bëj edhe krahasimin. Mund të kenë lojtarë shumë të mirë, edhe pse thuhet se nuk është ai ekip i para dy viteve. Kemi shanset tona për të kaluar më tej”.
TAKAJ – Para Dajës ka folur presidenti Takaj, duke thënë se kërkonte të mos ndeshej me Ajaksin dhe Fenerbahçen. “Nëse nuk besojmë se do të kalojmë më tej, atëherë kot që futemi në fushën e lojës. Nëse do të arrijmë të kualifikohemi, kënaqësia do të ishte shumë e madhe, por koeficienti i vështirësisë është i lartë. Jam në një linjë me presidentin dhe besoj se mund t’ia dalim. Shpresoj shumë që në këtë moment të mbledhim pak energji, pasi kemi dy javë kohë për t’u përgatitur për Dinamon. Ishin tre ture vërtet të lodhshëm dhe tani nuk duhet të pushojmë, por të mendojmë për “play-off”-in, një fazë vërtet e fortë, por që të jep adrenalinë të shkosh kaq larg”, – shtoi Daja.
TAKU-SOUE – Së fundi, trajneri Daja ka folur edhe për gjendjen e skuadrës, për ikjen e Takut dhe afrimin e fundit, sulmuesin Ali Soue: “Për Afrim Takun është e vërtetë që është larguar. Jam njoftuar nga menaxheri i përgjithshëm Gerhard Takaj. Një javë më parë lajmëroi klubin për këtë largim, pasi ai e tha që më parë se kaq kishte mundësi të luante me Skënderbeu. Do të bashkohet me familjen dhe mund të gjejë ekip në Amerikë. Për afrimin e fundit, atë të Ali Soue, sot (dje) ka zhvilluar stërvitje bashkë me disa lojtarë të tjerë në Korçë, nën drejtimin e Gentjan Liçit. Me t’u kthyer në Korçë ditën e hënë, do të shoh gjendjen fizike të tij dhe pastaj mund të flas. Pasi të shoh potencialin që ka, do të jap opinionin tim”, – ka përfunduar trajneri Daja.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here