Daja: Asnjë problem me Osmanin, Batha nuk na intereson

Trajneri kërkon ta mbajë përqendrimin te ndeshja e sotme: Ta mbyllim me fitore para tifozëve tanë. Në merkato do të jemi shumë të kujdesshëm

Leonard Trebicka

Para ndeshjes së fundit të 2017-ës me Teutën, që luhet sot në Korçë, në orën 13:00, trajneri Ilir Daja theksoi në konferencën për shtyp se vlerësimi mbetet në shkallën më të lartë për një fitore të radhës, që do të ishte edhe urimi më i mirë për tifozët. Trajneri i Skënderbeut tha gjithashtu se në merkato do të veprohet me shumë kujdes, pasi kërkohen lojtarë, të cilët janë në gjendje ta çojnë ekipin një hap përpara.
– Daja, çfarë prisni nga ndeshja e fundit e 2017-ës?
– Normalisht, pres një fitore si për të mbyllur në mënyrën e duhur vitin në Korçë. Jemi gati ta mbyllim në mënyrën e duhur. Kemi përballë një Teutë që nuk ka pasur rezultate të mira, por duhet përqendrim për ta mundur.
– Me 9 pikë diferencë nga vendi i dytë, Skënderbeu po shkon i sigurt drejt titullit
– Janë edhe shumë pikë në lojë. Kemi një avantazh prej 9 pikësh, që na jep qetësi të madhe psikologjike, por nëse duam ta rritim cilësinë, në çdo ndeshje duhet të hyjmë me përqendrim maksimal. Kam biseduar me lojtarët dhe asnjë nuk do të jetë në fushë, nëse neglizhon.
– Teuta ju ka hapur shumë punë jo vetëm në Durrës, por edhe në Korçë. Si e shikoni këtë përballje?
– Kemi një barazim vjet në Korçë, kurse rezultatet e tjera flasin në favorin tonë. Pavarësisht se statistikat nuk shërbejnë, jemi të bindur që duhet të luftojmë fort, që ta ruajmë diferencën madje ta shtojmë javë pas jave.
– Keni pasur kritika për stolin. Pse?
– Pavarësisht se kemi bërë dy kampionate paralele, janë përdorur pak futbollistë. Kjo do të thotë se lojtarët që duan formacionin, duhet ta meritojnë. Por kjo nuk do të thotë se nuk i kam parë të impenjuar. Ka një zinxhir veprimesh, që çdo individ duhet të jetë në funksion të ekipit.
– Keni pohuar se reparti i sulmit ka defiçite
– Patjetër që do ta ndjekim merkaton me kujdes, pas përfundimit të ndeshjes me Teutën. Do të shikojmë çfarë ofertash mund të kemi për lojtarët tanë. Nuk mund të flasim paraprakisht, pavarësisht se mendoj që një ekip si Skënderbeu duhet të gjejë fillimisht alternativat dhe më pas të shikojë merkaton në dalje.
– Kjo do të thotë që nuk largohet askush, pa ardhur një tjetër?
– Nuk jam presidenti, por trajneri i ekipit. Në aspektin teknik, nuk do të doja të largohej askush, por klubi mendon edhe për menaxhimin. Prandaj këtu mund të themi se do të shohim si do të veprojmë me fillimin e merkatos.
– Merkatoja fillon më 1 janar, janë piketuar goditjet?
– Një ditë më parë kam pasur një bisedë me presidentin dhe do të vijojmë të punojmë, pasi ne nuk kemi pushime. Do të ndjekim çdo lojtar, i cili bën diferencën, pasi nuk na duhen më lojtarë për në stol apo për të shtuar kontingjentin. Kemi një numër të mirë në organikë. Duam cilësi që këtë ekip ta çojmë një hap përpara.
– Kjo do të thotë se priten largime nga lojtarët e stolit?
– Nuk do të thosha largime, por mundet që me huazime të japim mundësi lojtarëve të rinj të aktivizohen më shumë në një ekip tjetër. Gjithsesi, do të vazhdojnë të jenë futbollistë të Skënderbeut.
– Soue, sa i rëndësishëm është për ju?
– Deri në momentin e dëmtimit i ka shërbyer shumë ekipit. Për shkak të disa javëve mungesë, ka pasur ulje të rendimentit të tij, por dua të them se ka qenë një blerje e mirë e Skënderbeut këtë sezon.
– Osmani qëndron në stol dhe flitet dhe për krisje me ju…?
– I kam parë nëpër portale dhe janë për të rritur numrin e klikimeve ato lajme, asgjë më shumë se kaq. Nuk është e vërtet që ka një çështje Osmani te Skënderbeu. Lojtari nuk ka qenë pjesë e formacionit, pasi ka kaluar një gjendje gripale, që e ka mbajtur larg stërvitjes. Është një lojtar i rëndësishëm, që kur ka qenë në gjendje madje ka qenë i domosdoshëm. E përsëris, Osmani është një lojtar i rëndësishëm për ne.
– Ka pasur fjalë për Bathën apo dhe për Krasniqin. Komenti juaj?
– Nuk dua të flas për emra konkretë, që janë në kontratë me klubet e tjera. Duhet fillimisht të flasim me klubin për të tillë lojtarë. Bathën e njoh, sepse e kam drejtuar, është lojtar me cilësi të mira, por ne zbatojmë rregullat e vëna nga UEFA dhe FIFA. Këta lojtarë nuk janë në planet tona, janë lajme të rreme dhe të pabaza.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *