Daja: Asnjë plan B, po përgatitemi për Champions League

Kampionati i arkivuar me ecuri mbresëlënëse, finalja e kupës në horizont dhe trofeu që mungon në historinë e Skënderbeut është prioritet absolut, ndaj edhe dje Ilir Daja luajti me rezerva ndaj Teutës.

Trajneri i Skënderbeut ishte i ftuar në emisionin ‘Zona Gol, në Supersport, ku foli jo vetëm për këtë titull, por edhe për planet e skuadrës korçare dhe pritshmëritë nga CAS-i, për të hequr pezullimin prej 10 vitesh nga kompeticionet europiane.

Humbja me Teutën: “Luajtëm me shumë futbollistë të rinj, që kishin marrë shumë pak minuta gjatë sezonit. Edhe ata kishin dëshirën dhe motivimin për të treguar veten dhe për të marrë rezultat, por kur ndryshon 8-9 lojtarë nga formacioni bazë, është gjithmonë e vështirë për të menaxhuar lojën. Në klube të tjera, kur nuk kam pasur këto objektiva, kam guxuar dhe kam aktivizuar lojtarë të rinj, por te Skënderbeu duhej rezultati dhe titulli, ndaj nuk kishte kohë për eksperimente. Natyrisht që edhe një supermotivimi i Teutës, që kërkonte pikë mbijetese, ishte mes shkaqeve që sollën humbjen”.

Titulli i vjetshëm u humb në Kukës: “Në fakt vitin e kaluar e mora drejtimin e Skënderbeut pas 12 javëve, kur kishte marrë vetëm 14 pikë, pra rreth 30% e totalit. Me të njëjtin grup lojtarësh, ne arritëm të bënim një sezon super në vijim, duke i shkuar shumë pranë titullit, të cilin e humbëm në Kukës, ku protagonist u bë edhe arbitri. Pra atë titull nuk e humbi as Ilir Daja dhe as lojtarët e Skënderbeut, por u humb në javët e para”.

3 tituj, me 3 skuadra të ndryshme: “Të 3 kanë qenë të veçantë, pasi për Elbasanin ishte një arritje e jashtëzakonshme dhe një tifozeri që na mbështeti në mënyrë të çmendur, nga fillimi në fund. Edhe ai me Dinamon ishte shumë i veçantë, pasi vuajtëm shumë për ta fituar. Ky i treti u duk i lehtë, por duke parë edhe problemet ligjore që na shoqëruan dhe që prishin atmosferën, mendoj se ia dolëm të menaxhojmë mirë situatën dhe të triumfojmë.

Kapiteni i preferuar: “Si Nevil Dede, ashtu edhe Orges Shehi janë liderë të lindur, që kanë fituar shumë në futbollin tonë dhe dinë të menaxhojnë dhomat e zhveshjes, por nuk dua t’i heq asnjë meritë as Arjan Pishës, që ishte një mbështetje e madhe për mua”.

Marrëdhëniet me presidentin Takaj: “Kemi marrëdhënie shumë të mira, pasi jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe diskutojmë vazhdimisht për punën në klub, jo vetëm për ndeshjen e radhës, por për planet e perspektivës së ekipit. Kemi biseduar me argumente mbi çdo detaj dhe kemi gjetur gjuhën e përbashkët, pasi kam marrë mbështetjen maksimale të Takajt”.

Plaku, gola vendimtarë verën e shkuar dhe më pas largim: “Nuk kam pse ta falënderoj, pasi ka bërë detyrën për të cilën është paguar si lojtar profesionist. Ai është një lojtar shumë i talentuar dhe ndoshta zgjidhja që bëmë ishte më e mira për të dy palët. Nëse do të më duhej ta falënderoja Plakun, më parë do të duhej të më falënderonte ai mua që i dhashë mundësinë të luante dhe më pas të shënonte”.

Lufta me UEFA-n: “Nuk kemi asnjë plan B, pasi zyra që na mbron në CAS na ka dhënë garanci për të marrë pjesë në eliminatoret e Champions League dhe po mendojmë të përgatitemi për të bërë edhe një tjetër tentativë të bukur evropiane”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *