Dafina, një… ekonomiste në kombëtaren e femrave

0

Rrëfimi i futbollistes shqiptare që jeton në Suedi dhe prej 5 vitesh është pjesë e skuadrës kombëtare të femrave. Pasioni për futbollin dhe rrugëtimi deri këtu ku është. Mbështetja e familjes dhe pritshmërinë për më tej

Nga Anton Cicani 

14 vjet që luan futboll. Dafina Memedov, futbollistja e ekipit kombëtar të femrave të Shqipërisë rrëfen ecurinë e saj. Lindur e rritur në Suedi por me gjak shqiptari dhe me një krenari të madhe familjare që vajza e tyre dhe ajo vetë vesh një fanellë të tillë. Luan prej vitesh në futbollin e femrave të Suedisë, por nuk hezitoi në asnjë moment kur i duhej të vendoste dhe të zgjidhte se me kë skuadër duhej të luante: Me Shqipërinë, apo me Suedinë. Pa e zgjatur aspak, zgjodhi atë që kishte ëndërr prej kohësh. Ka gati 5 vjet që është pjesë e skuadrës kuqezi shqiptare dhe luan ende titullare në Suedi në Ligën e dytë.

Që e vogël me futbollin, por edhe e shtyrë dhe e mbështetur shumë nga familja, sidomos nga babai dhe nëna. Pa mbështetjen e tyre nuk do arrinte deri këtu. Është ekonomiste me profesion, pasi studimet universitare në këtë fushë i ka mbaruar, por i pëlqen edhe modelingu. Vjen shpesh në Shqipëri ku ka shumë miq dhe ku mikpritja është e pashmangshme. Një ekonomiste në fushë, por edhe një profesioniste në skuadër. Ka përvojë të atillë që çdo reagim i saj shkon në kontribut të skuadrës, luan apo nuk luan në fushë. Është afër vajzave të ekipit dhe beson se rezultatet vijnë shpesh.

Prej sa kohësh keni që luani futboll? E keni pasur pasion që e vogël këtë sport?

Vetëm dy muaj më parë mbusha plot 13 vite që jam pas futbollit dhe luaj në fushë me emocionet e pasionin e këtij sporti. Në moshën 14 vjeçare kam nisur të luaj futboll. Vëllezërit e mi kanë luajtur kur kanë qenë të vegjël dhe gjithmonë i kam ndjekur ata në stërvitje, por edhe në ndeshje. Por, ngaqë nuk ka pasur më parë ekip femrash të futbollit në ato vite, unë fillimisht nisa të luaj tenis. Por pas një periudhe të shkurtër kohe babai im me çoi në një qytet tjetër, 15minuta larg dhe aty fillova të aktivizohem me një ekip si 13-vjeçare. E gjithë familja ime ishte e lidhur me futbollin pasi edhe babai ka qenë trajner, kështu që dhe unë e pata një pasion më vete këtë gjë.

 E keni një pasion të dytë futbollin, apo paralel jeni marrë edhe me të tjera impenjime?

Zakonisht kur jemi të vegjël dhe kemi shumë pasion për nje gjë (në rastin konkret për futbollin)  nuk është se mendojmë shumë për gjërat e tjera. Kur isha në një moshë më të vogël kam menduar vetëm për futboll. Por, me kohën paralelisht kisha një impenjim shumë të madh edhe për shkollën dhe studimet. Unë kam përfunduar studimet universitare për ekonomik, ku mund t’ju them që, përveç futbollit një tjetër pasion më vete është të ndërtoj një karrierë edhe si ekonomiste, por edhe në fushën e modës.

 Me çfarë skuadrash ka luajtur Dafina në Suedi, që në fillimet e saj e deri tani?

Nuk janë pak të them të drejtën, por e gjithë ecuria ime si sportiste ka lëvizur në shumë skuadra Brenda Suedisë, si për shembull: Hogaborgs BK, Malmo FF(sod quhet FC Rosengard) liga e parë, Kristianstads, DFF, liga e parë, Stattena IF, liga e dytë, Linkopings FC, liga e parë, IFK Norrkoping, liga e dytë, Limhamn/Bunkeflo, liga e parë, Stattena IF, liga e dytë ku dhe jam aktualisht dhe aktivizohem këtë sezon.

E keni pasur ëndërr  të vishni fanellën e skuadrës kombëtare shqiptare?

Natyrisht, dhe besoj dhe jo vetëm unë.  Besoj se çdo sportist që e ka mundësinë për të luajtur për kombëtaren e Shqipërisë e ka një ëndërr të tillë. Në momentin kur më është dashur të zgjedh mes fanellës së Shqipërisë, apo të Suedisë nuk kam pasur asnjë moment hezitim apo dilemë se me kë duhet të luaja. Aspak. Zgjodha fanellën kuq e zi, sepse ajo për mua ishte, është dhe do të mbetet e para. Është një krenari shumë e madhe, dhe vetë jam shumë e lumtur që jam pjesë e kësaj skuadre.

Tani ka edhe një kombëtare tjetër si Kosova…?

Normal dhe shumë mirë. Madje edhe u ndeshëm dhe shumica e vajzave e njihnin njera-tjetrën . Do të ishte shumë më mirë që të ishin mbledhur bashkë të gjitha lojtaret më të mira nga Kosova dhe nga Shqipëria me një fanellë të vetme, se jemi një, sidoqoftë edhe kështu çdo gjë është ok. Sepse për të gjitha gocat që luajnë futboll mundësia tani është edhe më e madhe.

Ka futbolliste të tjera shqiptare në Suedi që luajnë në kampionatet aty?

Po dhe jo pak. Si nuk ka. Mund t’ju them që në Ligën e parë, në ligën e dytë edhe më poshtë në ligat e tjera aktivizohen dhe janë në skuadra të ndryshme jo pak vajza shqiptare. Gjithashtu, aktualisht në skuadrën time është edhe një vajzë shqiptare, teksa në skuadrat e mëparshme që ju thashë më lart dhe ku kam qenë kam mundur të luaj me Kosovare Asllanin, kur isha te skuadra e  Linköping FC. Ajo për mua është super lojtare.

Kur jeni thërritur për herë të parë në skuadrën kombëtare të Shqipërisë?

Hmm…para disa vitesh. Në vitin 2012 ishte edhe debutimi im shumë emocional me fanellën e skuadrës kombëtare shqiptare. Një gëzim më vete. Krenare që mu dha mundësia të kontribuoj dhe vazhdoj të jem në këtë skuadër.

Familja juaj është shtysë për të vazhduar futbollin, dhe kush më shumë?

Familja ime gjithmonë më ka dhënë dhe më jep një mbështetje të madhe. Sidomos babai dhe nëna ime. Vëllezërit ishin të vegjël, dmth vëllai i madh ishte 15 vjeç kur unë fillova të luaj futboll dhe 2 vëllezërit ishin në moshën 10-vjeçare . Ata gjithmonë më kanë mbështetur në këtë pasion timin. Dua të them që pa familjen time nuk do të kisha arritur këtu ku jam sot.

A mendoni se edhe futbolli i femrave ka marrë një zhvillim të madh në Evropë dhe në botë?

Po, dhe çdo vit evoluon. Nëse e krahasoj me kohën përpara 10 vitesh kur isha në moshën si 16-17 vjeçare me ekipin tim në Ligën e Parë them se ka ardhur në progres dhe zhvillim të madh. Në pjesën tonë them se ende nuk kemi arritur aty ku duhet. Futbolli i femrave në përgjithësi ka nevojë për shumë mbështetje, e cila edhe kjo ka qenë në nivele shumë të kënaqshme. Kështu që edhe rezultatet e mira do të vijnë shpejt.

A i keni ndjekur ndeshjet e kombëtares së futbollit të meshkujve?

Po, patjetër. Ata janë krenaria jonë. Është kënaqësi të ndjekësh dhe ti shikosh në fushë kur luajnë, si në takime miqësore, apo edhe në ndeshje zyrtare. Pavarësisht rezultateve të fundit, është kënaqësi. Të mos harrojmë Europianin që ishte një arritje historike. i uroj sukseset e mia për ndeshjet në vazhdim.

 Për ju që vini nga jashtë, trajneri De Biazi ka dhënë shumë për këtë skuadër?

Besoj që jo vetëm unë, por nuk ka njeri që mund të thotë jo në këtë pyetje. Ai së bashku me FSHF ka çuar Shqipërinë në Europian, por edhe si rrjedhojë në renditjen e saj më të lartë,  e 22-ta në botë.

Cila ndeshje ju ka pëlqyer më shumë nga kombëtarja jonë?

Ndeshja kundër Armenisë, sepse ishte nje ndeshje me shumë emocione dhe që përcaktoi edhe kualifikimin tonë. Për çdo gol që kanë bërë çunat ishim dhe ndiheshim që aty sa më afër Europianit në Francë, dhe kështu ndodhi. Nuk harrohet dot. Një emocion më vete.

Cili futbollist ju tërheq më shumë në këtë kombëtare?

Është patjetër ish-kapiteni i skuadrës Lorik Cana, sepse ai do të jetë gjithmonë zemra e Shqipërisë. Por, dua të them edhe Taulant Xhakën së bashku me Mërgim Mavrajn. Janë super lojtarë me cilësitë e tyre në fushë. Dy lojtarë që është kënaqësi ti ndjekësh në fushë.

A mendon Dafina që do të vazhdojë të luajë gjatë futboll?

Gjithmonë do të jem në fushë, deri sa fizikisht trupi dhe fuqitë nuk do të përballojnë më ritmet e lojës. Por, edhe në momentin që do të kem familjen time natyrisht do të mendoj largimin, pasi impenjimet shtohen.

Ju vini jo shpesh në Shqipëri. Si ju duket mikpritja shqiptare dhe njerëzit?

Perfekt. Sa herë që vij në Shqipëri më duket sikur vij njësoj si në shtëpinë time. Aq afër zemrës e kam Shqipërinë. Gjithmonë nuk më mungojnë njerëzit që më kanë pritur mirë këtu, sidomos nga federata, por edhe miq të shumtë. Jam shumë krenare që jam pjese e këtij kombi dhe e këtij vendi të mrekullueshëm.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image