Dabulla: Tirana me një këmbë në varr, por 2017-ta nuk përsëritet

Ish-futbollisti i Tiranës, Rezart Dabulla, ka analizuar sezonin e vështirë që po kalojnë bardheblutë në emisionin “Sport News Plus”“News 24”. Sipas ish-mbrojtësit, kryeqytetasit do ia dalin të shmangin rënien nga Kategoria Superiore, ndërsa vë gishtin te dy nga problemet më të mëdha të ish-skuadrës së tij: Shpërdorimi i rasteve dhe mbrojtja e brishtë

TIRANA –  “I kam parë të gjitha ndeshjet e Tiranës këtë sezon. Kam një ndjesi që s’di si ta përshkruaj, herë e mirë dhe herë e keqe. Klubi është një moment të vështirë dhe këta lojtarë që janë në përbërjen e këtij klubi nuk mund të bëjnë këto gabime që po bëjnë. Është një ekip që pëson gola shumë kollaj dhe shënon me shumë vështirësi. Nuk po shënohen raste me portë bosh nga 2 – 3 metra. Brenda ka cilësi, por po dalin në pah vetëm anët negative. Kjo e ka çuar në këtë pikë që është me një këmbë në varr, do bjeri a do qëndrojë. Tirana ka bërë lojëra të mira, por në fund e kanë rrëzuar këtë me duart veta. Është si ajo puna e lopës që e mbush kovën me qumësht dhe i jep një shkelm. Jam optimist se këtë vit nuk do përsëritet 2017-ta, por kam një frikë sepse nuk është ndonjë çudi sikur të fillojnë të ndodhin aleancat. Shpresoj që jo”.

SEZONI I ARDHSHËM – “Unë e njoh Ardian Memën, kam luajtur futboll me të. Shpresoj që ta ketë në dorë ai përzgjedhjen e lojtarëve për vitin tjetër. Nuk jam ndër ata njerëz që them se Tirana ka nevojë të spastrojë me shumicë lojtarët që janë, por duhet të vijnë lojtarët e duhur. Me 2-3 ose maksimumi pesë ardhje të duhura mund të rregullohen të gjitha pikat e klubit. Nuk shpresoj që këtë verë të bëhet kjo punë e Tirana të bëhet kampion, ka një proces të gjatë siç ndodhi te Partizani, që për të dalë kampion kaluan 4 ose 5 sezone në vend të dytë e tretë e duke hequr lojtarë derisa u stabilizuan”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *