Dabulla: E papranueshme ç’i ndodh Memës! Partizan, o sivjet, o kurrë!

Kastrioti-Tirana tërhoqi vëmendjen këtë javë, për shkak të tensionit që pati në fund të takimit dhe të penalltisë që akordoi Olsi Sokoli. Mendimet kanë qenë të ndryshme, ndërkohë që në lidhje me këtë përballje ka folur edhe ish-mbrojtësi i bardhebluve, Rezart Dabulla. Ai pranon se në takime të tilla pritet tension, ndërkohë që nga ana tjetër komenton edhe gjykimin.

“Në këtë pikë ku ka ardhur kampionati është normale që të luftojë për mbijetesë. Ka ekip simpatik dhe e quaj normale që në kushte të tilla kur do të marrësh rezultatin, ka një farë tensioni për të arritur rezultatin dhe Kastrioti ka qenë në të drejtën e vet. Por në situate të tilla është gjyqtari që merr përsipër t’ua fusë ndeshjen në shinat e duhura. Mua m’u duk sikur gjyqtari ka gabuar tek penalltia. Ai moment i penalltisë është faull ndaj portierit nga eksperienca ime si lojtar. Plus pastaj në momentin e dytë nuk ka kontakt, por fërkim. Për mua arbitri ka qenë i predispozuar që ta japë atë penallti. Por Kastrioti mund ta fitonte ndeshjen edhe pa atë penallti, sepse është ekip simpatik”, deklaron Dabulla në emisionin “Kampionët” në Vizion Plus.

Ndërkohë ai bën me faj edhe Tiranën: “Por ka Tirana një faj të madh në këtë mes. U diskutua që takimi do luhej në Durrës, pastaj u çua në Fushë-Krujë. Tirana duhet të kishte dalë dhe të kërkonte pse u ndërrua. Por nuk e bëri, madje e pranoi trajneri Mema. Përveç kësaj, Tirana vete duhet të merrte masa dhe duhet t’i përgatiste lojtarët që të ishin më të qetë. Ngoja i pari dhe të tjerët me radhë”.

Në lidhje me tensionin në fund, Dabulla shtoi: “Pavarësisht se Ard Mema ka bërë gabim që ka hyrë në fushë në fund të ndeshjes, ai nuk është nga ata njerëz që godet dhe prek me dorë. Ama në pamje duket një person që e shtyn në mënyrë të dhunshme Ard Memën. Kjo është e papranueshme. Nuk ka të drejtë askush ta prekë me dorë trajnerin.”

PARTIZANI – Dabulla në fund foli edhe për garën për titullin kampion. “Besoj se janë pjekur kushtet që Partizani të jetë kampion. Kanë trajner të mirë dhe ekip të mirë, por edhe drejtuesit i mbështesin shumë. Nëse nuk del kampion këtë vit, nuk e di se kur mund të dalë më në vend të parë. Kanë, në mos gaboj, 27 vite që nuk dalin kampion dhe tani kanë çdo favor për ta bërë realitet këtë synim. Një barazim ose një fitore kundër Kukësit, besoj 80-90%, mund ta shpallë kampion në ndeshjen e radhës”, deklaroi ish-mbrojtësi i Tiranës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *