Curry i papërmbajtshëm, më në fund feston edhe LeBron James

Tjetër fitore e kampionëve. Golden State Warriors mposhtën Washington Wizard me rezultatin 144-122, me një ndeshje që nisi mirë për vendasit. Perioda e parë dhe e tretë ishin ato ku bënë diferencën kampionët në fuqi.

Stephen Curry ishte i papërmbajtshëm me 51 pikë të realizuara. Sigurisht në lartësinë e duhur u paraqit edhe Kevin Durant, që shënoi 30 pikë. Fitorja e katërt për Warriors, që deri më tani janë mposhtur vetëm një herë.

Më në fund ka ardhur edhe fitorja e parë për Los Angeles Lakers, që thyen Phoenix Suns 113-131. Moment gëzimi për Lebron James, i cili shënoi vetëm 20 pikë. Gjithsesi ai rikuperoi 7 topa dhe asistoi 10 herë për shokët e skuadrës.

Milwaukee Bucks nuk dinë të ndalen. Ata kanë mposhtur Philadelphia 76ers 123-108, duke regjistruar fitoren e katërt radhazi. Giannis Antetokounmpo ishte njeriu i ndeshjes me “triple-double”, teksa shënoi 32 pikë, dha 10 asiste dhe rikuperoi 18 topa. Për 76ers Joel Embiid vijon të jetë lart. 30 pikë, 6 asiste dhe 19 topa të rikuperuar prej tij nuk mjaftuan për t’i bërë ballë forcës së Milwaukee Bucks.

Fitore për Sacramento Kings ndaj Memphis Grizzlies, me vetëm pesë pikë diferencë. Një ndeshje që u mbyll me rezultatin 97-92 dhe që u vendos në pjesën e dytë të lojës, me Kings që përmbysën disavantazhin e krijuar në dy periodat e para.

Ka festuar edhe për Indiana Pacers, që ka kontrolluar lojën kundër San Antionio Spurs dhe ka triumfuar në transfertë me rezultatin 96-116. Utah Jazz gjithashtu ka fituar jashtë ndaj Houston Rockets. Këta të fundit e nisën mirë, duke e mbyllur periodën e parë në avantazh, por më pas Jazz reaguan dhe në fund triumfuan 89-100.

James Harden për Rockets spikati me 29 pikët e shënuara, por Donovan Mitchell ishte më lart. Ai arrit të shënonte për Jazz plot 38 pikë dhe shërbeu shtatë herë për shokët e skuadrës së tij.

Houston Rockets-Utah Jazz 89-100
Milwaukee Bucks-Philadelphia 76ers 123-108
Sacramento Kings-Memphis Grizzlies 97-92
San Antonio Spurs-Indiana Pacers 96-116
Phoenix Suns-Los Angeles Lakers 113-131
Golden State Warriors-Washington Wizards 144-122

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *