Cungu: Te Kukësi luan kush djersin, ja pse ndryshova skemë

Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, ka folur në emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”, pak minuta pas fitores në transfertë ndaj Flamurtarit me rezultatin 2-1. Trajneri shkodran vlerësoi lojën e skuadrës së tij dhe u shpreh në Kategorinë Superiore atyre do t’u duhet të djersijnë në çdo ndeshje.

NDESHJA – Futbolli i tillë është, nuk mund të parashikosh kurrë se si do të shkojë një ndeshje në këtë kampionat. Duhet djersitur shumë që të marrësh fitore dhe ne e dinim që kundër Vlorës do të ishte jashtëzakonisht e vështirë. Objektivat që ka Flamurtari bëri që ata të luftonin deri në fund, por jam i lumtur që ia dolëm. Djemtë luajtën me shpirt dhe jam i kënaqur që morëm tri pikët”.

FORMACIONI – “Nuk jam aspak në vështirësi për formacionin. Te Kukësi zbret në fushë ai që është në formë optimale, prandaj nuk ka arsye pse të kemi vështirësi. Ardhjet e reja duan pak kohë që të kapin ritmin. Kukësi është ekip që lufton dhe në fushë futen vetëm lojtarët që vrapojnë shumë dhe luftojnë për Kukësin”.

SKEMA – “Unë në fakt nuk vendosa për të ndryshuar skemën, por isha i kushtëzuar nga gjendja shëndetsore e Cuculit. Ai ka qenë me temperaturë dhe ka vuajtur nga pagjumësia mbrëmë. Vendosa të mos e aktivizoj në fillim të takimit. Kundërshtari shtyu shumë në minutat e fundit dhe u detyrova të aktivizoj Cuculin dhe t’i rikthehem skemës time, duke dalë në origjinë. Cuculi është një lojtar me eksperiencë dhe duhet të mbronim me çdo kusht rezultatin. Rrezikuam me kundërsulme, një shtyllë e Kordeiros dhe një rast i Shkurtajt”.

GJICI – “Të gjithë e njohin presidentin Gjici, për ambicien që ka, për dëshirën që ka për të bërë maksimumin. Kështu jam dhe unë, dua gjithmonë maksimumin dhe besoj se ia kemi dalë. Pas një starti të ngadaltë për shkak të dëmtimeve, tani jemi në luftë për titull. Dëmtimet dhe mungesa e ndeshjeve në shtëpi nuk janë justifikime, por fakte që kanë ndikuar në rezultatet tona. Tani kam besim që lojtarët kanë potencial dhe do të arrijmë te objektivat. Ne konkurrojmë gjithmonë për titullin kampion dhe të gjithë lojtarët duhet të bëjnë maksimumin për këtë skuadër. Mua nuk më shqetëson asgjë, bëj punën time mirë dhe me korrektësi, pastaj gjërat tjera i takojnë presidencës”.

MERKATO – “Kanë ardhur lojtarë cilësorë dhe grupi natyrshëm që është më i fortë. Por thashë më përpara që ardhjet e shumta prishin ekuilibrat, pasi thashë dhe më parë që janë 3 në formacion. Ndoshta do të jenë dhe katër në fushën e lojës dhe duhet të kuptoni se kjo gjë kërkon kohë që të ambientohet skuadra”,- u shpreh Cungu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *