Cungu: Skënderbeu nuk është dobësuar, por jemi Kukësi

Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, ka folur para medieve në prag të transfertës ndaj Skënderbeut. Tekniku i ekipit verilindor tha se kundërshtari ka një skuadër të mbushur me lojtarë cilësorë, por se ai beson se lojtarët e tij janë mëse të aftë të marrin një rezultat pozitiv.

A tremb më ky Skënderbeu, çfarë synoni? Ju kënaq një barazim

-Natyrshëm shkojmë për maksimumin në çdo ndeshje, nuk bën përjashtim as Skënderbeu, me gjithë respektin që kam për ta. Nuk janë më të dobët se vitet e tjera, është një ekip kompetitiv, me lojtarë që kanë kontribuar edhe në vitet e tjera, pavarësisht minutazhit. Kanë një grup lojtarësh të talentuar dhe deri tani kanë bërë mirë. Kjo nuk do të thotë se i druhemi, e respektojmë për sa i takon. Por e kam thënë se duhet të respektojmë veten. Nëse tregohemi seriozë, me shpirt të lartë gare, atëherë do të dalim me rezultat të mirë edhe në Korçë.

U shprehët se nuk ishit të kënaqur me lojën kundër Luftëtarit. Keni pasur kohën e mjaftueshme për t’u përmirësuar?

-Nuk mendoj se bëmë gabime në aspektin e lojës. Në sulm kemi pasur gjatë gjithë kohës, shpërdorojmë shumë. Me pak kujdes do kishim pasur më shumë pikë, si dhe do të kishim bërë tjetër nivel loje. Në fazën mbrojtëse nuk kemi bërë gabime, ekipi ka punuar mirë. Nuk kishim ritmin e duhur atë ditë, lojtarë të veçantë nuk kishin freskinë e duhur. Kalendari është i ngjeshur, mund të ketë edhe lodhje, por jemi munduar t’i minimizojmë gabimet?

A do të ketë ndryshime në formacion, nisur nga fakti që kalendari është i ngjeshur?

-Do të shohim e të bëjmë sa na lejohet të bëjmë rotacion. Nesër do të ketë diçka e tillë.

Si është gjendja e Rrumbullakut?

-Ka gati pesë ditë që del me ekipin, por i diferencuar. Ka pasur një shkëputje të madhe, nuk ka ende ritmin e duhur për të qenë me grupin. Pres të jetë me ekipin dhe të japë kontributin e tij.

A është Kukësi në gjendjen maksimale që do të donte për t’u përballur me Skënderbeun?

Besoj se kemi treguar se kemi bërë ndeshje të mira, jo më kot kemi marrë rezultate. Edhe ekipet e mëdha kanë ditën jo të mirë, por e rëndësishme është që dinë të fitojnë. Kështu bëmë edhe ne me Luftëtarin. jemi në një nivel të kënaqshëm, po rritemi dhe patjetër kemi nevojë edhe ne për përmirësime.

Si është gjendja e grupit?

Dihet që Musolli mungon gjatë, Rrumbullaku gjithashtu po mungon prej ditësh. Shameti ka pasur probleme fizike prej një dëmtimi, por ai nuk dorëzohet dhe do të jetë në fushë. Këto shqetësime ulin disi ritmin. Gjithsesi kemi 26 lojtarë që mund të marrin mundësinë e vet.

Ju pëlqen ky cinizmi i Kukësit, keni fituar dy ndeshje 1-0?

Kemi bërë tre fitore me këtë rezultat. Ndoshta kemi gabuar pak, kemi luajtur mirë, nuk kemi shfrytëzuar rastet. Jemi treguar pragmatistë dhe kjo gjë më pëlqen. Ekipi di të vuajë dhe nuk pëson. Megjithatë do kisha preferuar të fitonim edhe më thellë. Shoh tension për të mbajtur rezultatin, pasi 1-0 nuk ke asnjë garanci. Javët e para ekipi nuk ishte në maksimum, Cuculi erdhi me vonesë. Kemi ende për të bërë në finalizim.

Sa mendoni se do të ndikojnë në ecurinë e kampionatit dy ndeshje të tilla si kjo me Skënderbeun dhe kundër Partizanit?

Është herët për të folur, megjithatë janë sfida me rivalë direkt. Nëse ke objektiva madhore, këtë duhet ta tregosh me rivalë të tillë. Gjithsesi herët është për të bërë llogari, por janë të rëndësishme edhe për psikologjinë e ekipit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *