Cungu sheh nga infermieria, përforcohet mbrojtja para Luftëtarit

Kukësi u rikthye te fitorja në Kamzë, edhe pse duhet përmendur se ishte një takim i cili u vendos nga dy autogola, që u shënuan në harkun kohor të 3 minutave. Po ashtu ishte një takim i zakontë, pasi Kamza nuk kishte portier rezervë, ndërsa verilindorët kishin vetëm 4 lojtarë në stol.

Në fund gëzuan kuksianët, të cilët tani mendojnë për takimin e radhës me Luftëtarin, që do të luhet të shtunën në orën 14:00. Për këtë takim, Armando Cungu do të ketë të gatshëm Vangjel Zguron, i cili kishte plotësuar numrin e katër kartonëve dhe nuk ishte i disponueshëm për takimin me Kamzën.

Vëmendja është në infermieri, ku kapiteni Ylli Shameti ka dhënë sinjale pozitive dhe me shumë gjasa do të jetë në ndeshjen ne javës së 15-të, që për të do të jetë e veçantë, pasi rikthehet në shtëpinë e tij si kundërshtar. Po ashtu pritet nga dita në ditë leja e stafit mjekësor edhe për Simo Rrumbullakut, i cili është bashkuar me ekipin në ushtrimet e thjeshta dhe mund të jetë në stol që në takimin e radhës.

Shafik Tigruxha po ashtu e ka lënë pas shqetësimin fizik që ka ndjerë dhe gjatë javës do të shihet nëse do të ketë më shqetësime apo do të mund të japë kontributin e tij në ndeshjen e radhës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *