Cungu sheh ende pas, klubi frikë nga gjykimi

0

Gaspër Marku

Vllaznia luan sot një tjetër “betejë” me një skuadër, që e ndjek nga pas, Teutën. Ndeshja luhet në orën 17:00, në stadiumin “Loro Boriçi”. Për këtë ndeshja ka folur dje trajneri Armando Cungu, i cili në fakt ka dalë në konferencën e shtypit bashkë me portierin Erind Selimaj. I ngacmuar për faktin se kishte në krah portierin, i cili është pikë sigurie për sfidën me durrsakët, Cungu u shpreh: “Portieri është pjesë e rëndësishme e ekipit. Selimaj po tregon një formë të mirë sportive. Ka disa ndeshje që ka besimin tim, sepse ka dhënë kontributin e tij maksimal për të arritur këto rezultate pozitive. Nëse pësohet gol, përgjegjësi kemi të gjithë, duke filluar nga unë i pari dhe çdo repart. Ne funksionojmë si një trup i vetëm, në të kundërt nuk mund të quhemi ekip. Për Selimajn jam shumë i kënaqur, sepse ka qenë serioz gjithmonë dhe, kur i jepet mundësia, shfaq më së miri vlerat e veta. Me punën e tij ka arritur të marrë portën dhe shpresoj të vijojë me këto ritme dhe me këtë formë sportive”.
TEUTA – Duke kaluar te përgatitjet javore dhe ndeshja e sotme me Teutën, Cungu theksoi: “Të them të drejtën, gjendja, si zakonisht, nuk ka qenë shumë normale. Kemi pasur problematika me lojtarë, të cilët kanë pasur shqetësime fizike prej ndeshjes së fundit me Laçin, siç ishin Pjeshka apo Bardulla, që dolën nga fusha për arsye dëmtimesh. Pati shqetësim edhe Tafili, ndërkohë që dihen mungesat e Markut dhe Cicmilit për arsye dëmtimesh. Megjithatë, çdo sportist që do të jetë në fushë, jam i bindur se do të japë më të mirën e tij për t’i shërbyer vetes dhe fanellës së Vllaznisë. E kam theksuar shpesh dhe nuk kam pse ndryshoj mendim. Vllaznia futet gjithmonë në fushë për ta fituar ndeshjen, ndaj çdo kundërshtari. Kështu, nuk bën përjashtim as Teuta, ndaj së cilës do të kërkojmë vetëm 3 pikët. Uroj dhe shpresoj të dalim faqebardhë dhe objektivi të jetë i arritshëm”.
RREZIKU – Për rrezikun e rënies në Kategorinë e Parë, trajneri Cungu ka thënë: ”Diferenca është 9 pikë dhe janë edhe 11 javë, por çdo gjë mund të ndodhë në futbollin shqiptar. Për këtë arsye kam kërkuar përqendrim maksimal nga lojtarët, ne si staf dhe klubi. Dua të jemi të gjithë bashkë, afër si një trup i vetëm për t’u mbrojtur, nëse mund të them kështu, nga influenca të ndryshme. I kemi marrë ndeshjet me radhë dhe do të kërkojmë maksimumin. Nuk do të thotë asgjë kjo distancë, nëse nuk do të jemi të përqendruar dhe seriozë në fushë, sepse mund të zvogëlohet”.

Klubi shkodran, apel për gjykim të drejtë
Dje në mbrëmje klubi kuqeblu ka dalë me një deklaratë për shtyp, me anë të së cilës bën apel për një gjykim sa më të drejtë në ndeshjen e sotme. Paragjykimi i shkodranëve lidhet me ndeshjen e Kupës, ku Vllaznia u eliminua pikërisht nga Teuta, për shkak të gjykimit. Ja deklarata e klubit kuqeblu: “Ndeshja e nesërme (sotme) ndaj Teutës konsiderohet shumë e rëndësishme për ekipin tonë. Për këtë arsye, përderisa në përballjen e fundit me këtë ekip Vllaznia ka një histori aspak të këndshme, shpresojmë shumë që të mos përsëritet skenari i eliminimit tonë nga Kupa nga gjykimi skandaloz i Enea Jorgjit në atë ndeshje. Ne kërkojmë arbitrim të drejte dhe korrekt në këtë takim, pastaj le të fitojë ekipi më i mirë. Ecuria e këtij sezoni ka treguar se Vllaznia është ndëshkuar nga arbitrimet jo vetëm ne ndeshjen e Kupës me Teutën, por edhe në disa ndeshje të tjera, si ato me Partizanin, Kukësin, Flamurtarin dhe ndonjë tjetër. Për të gjitha këto, shpresojmë që nesër (sot) të jetë çdo gjë korrekte në fushë”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here