Cungu rigjen qetësinë: Në Durrës, për kualifikim

0

Gaspër MARKU

Vllaznia ka zhvilluar dje në mesditë seancën e fundit stërvitore dhe rreth orës 16:00 është nisur drejt Durrësit, ku sot luan ndeshjen e kthimit çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Kuqeblutë vijnë pas fitores të rëndësishme me Flamurtarin, por edhe të qetë tashmë, pasi konfuzioni i krijuar nga deklarata e teknikut Cungu për presion nga brenda dhe jashtë klubit, është lënë pas. Madje, ai paralajmëroi edhe dorëheqjen, por tashmë gjithçka vazhdon si më parë. Drejtuesit e lartë të klubit, administratori Astrit Gjyrezi, drejtori sportiv Eugent Zeka dhe trajneri Armando Cungu dolën dje në një konferencë për shtyp. I pari foli trajneri Cungu, i cili fillimisht bëri të ditur situatën në skuadër rpara sfidës me Teutën: “Për gjendjen e skuadrës besoj se është optimale. Stërvitja ka rrjedhur natyrshëm, si çdo javë. Kemi problem ndonjë individ të caktuar për shkaqe fizike dhe për kohën e shkurtër të rikuperimit. Megjithatë, jam i kënaqur me djemtë. Në seancën e së hënës jemi munduar të bëjmë diçka të mirë, një stërvitje në aspektin relaksues dhe taktik, për t’u përqendruar dhe për të zgjedhur mënyrën e lojës kundër Teutës”, – sqaroi trajneri Cungu. Duke folur konkretisht për ballafaqimin e sotëm në “Niko Dovana”, ai shtoi: “Patjetër që shkojmë për kualifikim. Rezultati i parë na jep një farë ngrohtësie, megjithatë nuk duhet të shkojmë shumë të qeshur. Duhet të përqendrohemi maksimalisht, pasi ndeshja ka për të qenë shumë e vështirë. Uroj me zemër që ndeshja të jetë e drejtë, të luhet futboll brenda fushës dhe në fund të fundit të fitojë ai që e meriton. Dua që të mos ndikojnë faktorë jashtë fushës”. Trajneri Cungu ndoshta i druhet gjykimit në këtë ndeshje, edhe pse nuk e thotë hapur.

NGARKESA – Për teknikun Cungu, zhvillimi i ndeshjeve nga dy brenda javës, krijon probleme me lodhjen dhe dëmtimin e futbollistëve: “Të them të drejtën, është pak e lodhshme të luash të mërkurën dhe të shtunën, pra dy ndeshje në javë, aq më tepër që kontigjenti ka pasur disa probleme fizike. Lodhja mund të jetë në këmbët e sportistëve. Ekipi ka bërë ndeshje shumë të mira dhe ka marrë besoj rezultate të kënaqshme, pavarësisht humbjeve me Kukësin dhe Partizanin. Në lojë nuk kanë qenë humbje. Do të bëjmë maksimumin dhe kam besim të plotë te këmbët e djemve dhe sidomos te karakteri i tyre”.

REFLEKTIMI – Më pas, trajneri Cungu komentoi deklaratat pas ndeshjes me Flamurtarin, që pas një takimi me kryebashkiaken Ademi mbrëmjen e së hënës, janë lënë pas dhe situata është shumë e qetë: “Nëse më keni kuptuar drejt, atë ditë kam thënë se e kam menduar dorëheqjen, nuk kam thënë se do të ikë. Kjo është e vërteta. Nuk ishte presion dhe as akuzë, asgjë kundër kërkuat. Ishte një zë i ngritur për të qenë të gjithë bashkë sa më afër ekipit, pasi gjithçka vështirësohet. Kemi nevojë për praninë e çdokujt, që nga kryetarja e Bashkisë dhe deri te tifozi i fundit. Të gjithë të bëjmë më të mirën dhe për të ngrohur këta djem, sepse realisht e meritojmë”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here