Cungu: Po të mos na akuzonin, stadiumi do mbushej

0

Trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, ka mbetur shumë i kënaqur nga loja e skuadrës së tij kundër Partizanit, ndërsa nuk e fsheh mërzinë e tij për një javë të mbushur me akuza e aludime, që sipas tij shkatërruan atmosferën e bukur që pritej para këtij takim.

“Kjo skuadër tregoi se ka dinjitet dhe nder, luan për vete, përkundër gjithë sulmeve e aludimeve gjatë javës. Mendoj se e dominuam lojën, si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje. Mund të shënonim më tepër, me pak kujdes, ndërsa në një pakujdesi kundërshtari barazoi, por nuk kam asnjë keqardhje, ishte një ndeshje e shkëlqyer.

“Po të ishin titullarët? Kishim mungesa, e vërtetë, por të gjithë ata që luajtën dhanë gjithçka dhe bënë më të mirën. Nuk mund të thuash që po të ishin ata që munguan do bënin më mirë, sepse futbolli është i çuditshëm. Kjo ndeshje ishte një vitrinë për futbollin shqiptar, një ndeshje shumë e bukur, mes dy skuadrash që dhanë gjithçka për të marrë fitoren. Nuk e di, ndoshta po të ishim më të plotë mund të merrnim edhe fitoren, por pak rëndësi ka tani.

“Vllaznia më e mirë e sezonit? Natyrshëm që kishim probleme, por kemi rikuperuar edhe një lojtar të ri si Kruja, i cili po rigjen nivelin e tij më të mirë. Skuadra po bën maksimumin, lojtarët po sakrifikojnë, duke luajtur edhe jashtë roli, ndaj jam shumë i kënaqur. Sot luajtëm me 11 lojtarë shkodranë, sepse për mua edhe Bicaj është shkodran, me origjinë shkodrane. Është ekip i ri, pa eksperiencën e duhur për të menaxhuar mirë lojën në momente të caktuara, ndërkohë që edhe pas avantazhit ndoshta nuk patëm qetësinë dhe besimin e duhur se mund të fitonim, por kjo skuadër ka mundësi ta çojë Vllazninë aty ku i takon.

“Stadiumi jo i mbushur? Unë u kam kërkuar gjithnjë mbështetje tifozëve dhe Vllaznia është ekip që po luan futboll në fushë, jo në tavolina, por ata persona që tentuan të hedhin baltë mbi Vllazninë pas ndeshjes me Kukësin i kanë bërë dëm të madh Vllaznisë. Shumë njerëz mendonin se Vllaznia do të toleronte dhe nuk dëshironin të vinin në stadium, nga frika se do të ishte e kotë, aq sa më merrnin në telefon pas ndeshjes dhe më pyesnin a ia vlente të vinin”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here