Cungu: Nuk kemi probleme, po krijohen situata artificiale

Armando Cungu rikthehet të flasë dhe tashmë është disi më i qetë. Kritikat për merkaton pas ndeshjes me Torpedon bënë që të krijohej një situatë jo e mirë. Gjithsesi shkodrani tanimë e analizon më qetë ndeshjen e humbur.

“Natyrshëm që ka qenë një mërzi për shkak të rezultatit. Pësuam gola të lehtë. Gjithsecili u mendua të bëjë më të mirën. Po flitet sikur Cungu ka akuzuar Hoxhën, kur në fakt unë nuk e kam përmendur. Nuk është faji i një individi,  të akuzojmë vetëm një emër, pasi kur humbim, humbim të gjithë si skuadër. Nuk dorëzohemi, e njoh grupin, ne nuk kemi asnjë problem. E gjithë kjo situatë artificiale e krijuar shkon në favor të gjeorgjianëve. Për shkak të problematikeve, dy-tre ditë kishim lojtarë që nuk i kishim të gatshëm, pastaj ik e ktheu aeroporteve. Këto ndikuan në aspektin psikologjik. Edhe për mua si trajner gjërat ishin ndryshe, pasi ndryshe e kisha përgatitur ndeshjen”, ka thënë mes të tjerave Cungu në “Supersport”.

Më tej trajneri i Kukësit foli edhe në lidhje me kualifikimin në turin tjetër të Europa League. “Cungu në karakterin e tij nuk dorëzohet kurrë. Do provojmë mrekullinë, njihet në futboll. Duhet të sulmojmë, nuk kemi çfarë humbim. Duhet edhe fat, nëse shënojmë shpejt bëhet më i mundshëm kualifikimi. Kam shpresë te çdo lojtar, te çdo individ. Kukësi po fuqizohet. Sa më shumë lojtarë cilësorë të kemi, aq më mirë është për një trajner. Në kulturën time sportive do luajë ai që e meriton”.

Në fund pak fjalë edhe për objektivat e Kukësit: “Nuk vendos unë objektiva, një trajner që shkon te Kukësi i ka objektivat e qarta. Janë disa ekipe të forta, që kanë ambicie të mëdha për të fituar kampionatin, ose për të kapur Europën. Normal edhe Kukësi është një nga pretendentët kryesorë për titullin dhe Kupën”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *