Cungu: Nuk kam parë asnjë ekip më të fortë se Kukësi!

Trajneri i Kukësit Armando Cungu ka folur në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të ndeshjes me Kastriotin. Tekniku shkodran ka prekur disa çështje në daljen para gazetarëve, duke nisur që nga situata jo e mirë pas dy humbjeve radhazi dhe deri tek çështja “Rexhinaldo”.

Si është gjendja e ekipit sa i përket anës psikologjike pas dy humbjeve me dy rivalë direkt për titull?
-Nuk ka asnjë shqetësim, e kam thënë dhe më parë dhe e them sërish. Na kanë munguar rezultatet edhe pse të gjithë i prisnim, për arsye që i kemi bërë të ditura, por duhet thënë se kemi qenë dominues në këto sfida, veçanërisht në takimin me Partizanin. Duhet të jemi mirë nga ana psikologjike, pasi po luajmë futboll, po krijojmë raste dhe realisht nuk po shoh ekip më të fortë se Kukësi deri më tani. Nuk ka asnjë lloj shqetësimi.

Sa ju ndihmoi kjo pauzë e kampionatit?
-Është pozitive, pasi na ndihmon dhe është e rëndësishme për të punuar me ekipin dhe për të riparuar problematikat, por dhe për të dhënë ngarkesën e duhur stërvitore, për disa lojtarë që kanë pasur probleme fizike, nëse mund të them kështu, apo dhe rikuperimit të disa lojtarëve, si Rrumbullaku. Po ashtu ka ndikuar për mirë dhe tek ato lojtarë që kanë ardhur vonë.

Sa delikate është ndeshja me Kastriotin?
-Në Superiore nuk shoh asnjë ekip të dobët, sikurse nuk shoh asnjë ekip të pamundur për t’u thyer. Është një ndeshje me të njëjtën vlerë si kundër Partizanit apo Skënderbeut. Jam munduar gjatë kësaj kohe që t’ua bëj të qartë djemve rëndësinë e kësaj sfide edhe të mos ketë shenja nënvlerësimi. Besoj dhe jam i bindur se nuk do të ketë aspak nënvlerësim.

Sa e vështirë ka qenë ta përgatisësh këtë sfidë e cila në letër duket e lehtë?
-Nuk e kam të vështirë për ta përgatitur ndeshjen në të gjitha aspektet. Është e vështirë sa i përket karikimit dhe motivimit në ndeshje të tilla. Kundër Skënderbeut dhe Partizanit nuk ka nevojë të flasësh shumë, lojtarët duhet të jenë të qetë dhe të luajnë për stres. Nëse e merr një ndeshje lehtë, apo nuk mendon gjatë gjithë javës do të jetë shumë vonë. Djemtë e kanë kuptuar mirë se çdo të thotë ndeshja e radhës dhe sa të rëndësishme janë pikët.

Do kemi ndryshime në formacion?
-Do të ketë ndryshime në formacion, siç ka pasur në ndeshjet e fundit, pasi ka lojtarë që kanë ulje-ngritje në lojën e tyre dhe natyrshëm mundohemi që të gjejmë zgjedhjen më të mirë.

A ka presion rezultati te Kukësi?
-Janë rezultate zhgënjyese. Kur luan ndaj rivalëve janë në lojë të treja rezultatet. Loja, sipas meje, ka qenë e mira dhe nuk shoh ndonjë zhgënjim. Zhgënjim kam për pikët, pasi mundësitë i kemi pasur gjatë ndeshjes. Jam i qetë sa i përket lojës, ndërsa për presionin, nuk duhet të marrim ndeshjen kështu, edhe pse na duhen pikë dhe do jenë si oksigjen. Lojtarët duhet të luajnë të qetë dhe të japin më të mirën në fushën e lojës dhe nëse ndodh kështu jam i bindur se fitorja do të jetë e jona.

Deklaratat mes jush dhe Rexhinaldos?
-Nuk kam pasur asnjë farë presioni. Jam përgjigj pyetjeve të gazetarëve pas ndeshjes. Më vjen keq që tjetërsohen thëniet e mia dhe kjo nuk është pozitive. Po ashtu edhe për përkthyesin e Rexhinaldos nuk ka qenë i mirë. Nuk e kam fyer Rexhinaldon dhe asnjë futbollist. E kam vlerësuar si Rexhinaldon dhe ekipin. Kur nuk ka prezenca të mira ka dhe ndonjë kritike. Më vjen keq për përkthimin që i është bërë. Kjo është e kaluar dhe nuk ka asnjë lloj problemi. Presim që të kthehet Rexhinaldon i fillimit të sezonit dhe nesër mund të jetë dita më e mirë për ta bërë diçka të tillë.

Ju shqetëson fakti se 5 nga 7 golat i ka shënuar Rexhinaldo dhe pjesa tjetër nuk po e gjen rrugën e rrjetës?
-Kjo ka qenë pjesa ku unë jam ndalur më shumë pas ndeshje dhe jo tek Rexhinaldo. Nuk mund të presim çdo gjë nga një lojtarë i vetëm. Një ekip nuk mund të varet nga një individ. Si trajner dhe si klub presim kontributin edhe të lojtarëve të tjerë, pasi mundësitë janë, diçka që është parë nga rastet e krijuara, pa fund. Të paktën çdo ndeshje kemi shpërdoruar 4 raste flagrante. Uroj të ketë qen ë një ngërç psikologjik dhe ndeshje pas ndeshje edhe lojtarët e tjerë të shënojnë, pasi është shumë e rëndësishme.

Është përfolur për një gjobë në drejtim të Rexhinaldos…
-Nuk më takon mua kjo pjesë, unë si trajner duhet të bëj punën time në stërvitje dhe t’i jap mundësi çdo futbollisti, në veçanti atyre që janë të gatshëm për të dhënë më të mirën në këtë pikë, por dhe për të mbajtur disiplinën dhe seriozitetin. Këto janë parësore për mua, pastaj nëse ka probleme për individë të caktuar janë instanca më të larta që marrin vendimet e tyre.

Mos ndoshta keni diçka më pak se kundërshtarët tuaj?
-Fakti që kemi bërë lojëra të mira, tregon se skuadra ka ndryshuar shumë, është përmirësuar dhe është në rrugën e duhur, por në dy javët e fundit fati na vuri kundër dy rivalëve direkt dhe nuk morëm rezultate që prisnim, por koj nuk do të thotë se kemi diçka më pak se kundërshtarët. Ajo që mund të mos kemi është mungesa e një fushe apo disa tifozë pas vetes. Ky është një minus që të gjithë bimë dakord.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *