Cungu: Nuk ka çështje Rexhinaldo, Musolli emblemë e Kukësit

Kukësi përballet nesër me Skënderbeun dhe trajneri Armando Cungu si zakonisht ka dalë para mediave dhe ka folur për gjithçka ndodh në kampin verilindor. Një nga temat më interesante është ajo e Rexhinaldos, për të cilin tekniku shkodran thekson se nuk ka një çështje. Në lupë ka kaluar edhe Skënderbeu, çështja e Musollit dhe gjendja e të dëmtuarve te Kukësi.

NDESHJA ME SKËNDERBEUN – “Jemi rivalë direkt për titull. Pavarësisht ndeshjes së parë, që vetëm rezultati nuk ishte ai që duhet, loja ishte e mirë. Shpresojmë t’i kthejmë reston Korçës nesër. Fitorja është objektivi ynë në çdo ndeshje. Kemi shqetësime të vogla, si zakonisht. E them sërish, kur ke 25 lojtarë çdo lojtar pret momentin e vet. Ekipi po kalon një moment të mirë.

REXHINALDO – “Nuk ka probleme për të kthyer në një situatë. Ai ka pasur një shqetësim të lehtë që para 2-3 javësh, por është stërvitur mirë dhe në fushë nuk kursehet. Nuk më ka pëlqyer aspak që është bërë objekt në faqen e parë të gazetës. Nuk ka lidhje me lindjen e fëmijës, i kemi dhënë leje para se të iknim në Gjirokastër. Pastaj erdhi me dëshirën e vet për të luajtur, gjë për të cilën e kemi falënderuar. Do shohim nëse është i gatshëm fizikisht për të luajtur ndaj Skënderbeut”.

“Konflikt? Si trajner ju them që ai prej 2-3 javësh më ka thënë për shqetësimin e vet. Ai është nga ata që jep maksimumin në fushë dhe në stërvitje. Nuk ka shfaqur problematika serioze. Ka luajtur edhe në Kamzë, në terren të rënduar, ka luajtur edhe në Gjirokastër. Pas ekzaminimeve ka rezultuar një traumë e lehtë, diçka normale për mënyrën e tij të lojës. Mund ta ketë pasur që përpara. Nuk ka diçka serioze, këto janë fjalët e mjekëve. Nesër do shohim situatën”.

“Mungesa e një sulmuesi? E kam theksuar edhe më parë, çdokush ka rëndësinë e vet, vlerën e vet dhe momentin e vet në një ekip futbolli. Nuk luhet me një lojtar, apo dy persona,  por në grup. Kukësi është ekip grupi, jo individësh. Edhe nëse nuk do jetë, ka të tjerë që do japin maksimumin”.

LUFTA PËR TITULL – “Ka kohë, por sa më shumë javë ikin, aq më shumë pikë duhen grumbulluar për të shkuar aty kua duam të gjithë. Ndeshjet me Skënderbeun janë të veçanta. Fokusimi i të gjithëve është maksimal për të marrë fitoren, që është shumë e rëndësishme për ne. Shumë respekt për Skënderbeun, por nuk i druhemi asnjë kundërshtari”.

GJENDJA E SKUADRËS – “Skënderbeut i mungon vetëm Radas, kurse ne që kur kam ardhur te Kukësi na kanë munguar shumë Radas. Shameti është rikuperuar dhe do të jetë në fushë. Rrumbullaku është i rëndësishëm, por nuk ka luajtur prej gati tre muajsh. Këtu është një koncept i gabuar, që kur lojtari fiton formën fizike është gati. Unë mendoj disi më ndryshe. Është tjetër gjë të kesh formë fizike, tjetër gjë të kesh formë sportive. Gradualisht duhet t’i japim minutat për t’u ambientuar. Por edhe nuk duhet të gabojmë si herën e parë, që qëndroi gati një muaj e gjysmë jashtë. Shkodra? Ka marrë një goditje ndaj Kamzës, i kam pësuar edhe unë kur luaja. Duan rreth 5 ditë për ta kaluar. E provoi në Gjirokastër, por e pashë që kishte probleme dhe e ndërrova. Do shohim stërvitjen e fundit dhe me stafin mjekësor do marrim vendimin e duhur”.

TIFOZËT – “Dihet që nuk luajmë në shtëpi. Aty luajmë pasi aty vijnë shumë tifozë. I falënderoj ata që vijnë, pasi janë një shtysë për lojtarët. Ata janë një impuls. terreni nuk na favorizon aty. Kukësi është ekip që luan futboll, nuk tenton të mbajë rezultatin dhe të largojë topin”.

MUSOLLI – “Kam shprehur pak habi. Ishte kërkesë e vetë Musollit, që donte kohë për rikuperimin. Çdo gjë është lënë e hapur, kjo është ajo që mund të them. Fakti që ai vetë më klubin ishin dakord për të qenë sërish pjesë e Kukësit. Ai është një emblemë këtu, shpirtin e ka te Kukësi. Edhe pse i janë bërë oferta nga shumë ekipe, e doja edhe unë kur isha në ekipe të tjera. Ai nuk e ka tradhtuar kurrë Kukësin dhe kjo do të thotë shumë. Jam i lumtur që në janar do e kem nën urdhra. Di të them që ka kërkuar ai ta zgjidhë situatën”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *