Cungu: Ndeshje delikate, marrim pikë në Laç

0

Gaspër Marku

Një ndeshje për t’u parë dhe shijuar është kjo, që do të luhet sot në stadiumin e Laçit. Një 90-minutësh përcaktues për të dyja skuadrat, Laçin dhe Vllazninë. Për pozitat aktuale, pikët e kësaj ndeshjeje janë jetike për Laçin, që rrezikon seriozisht rënien nga Superliga, por edhe për Vllazninë janë po aq të nevojshme pikët, jo vetëm për pretendimet e zonës europiane, por edhe për mbijetesën, për të mos i komplikuar më shumë llogaritë. Kjo është arsyeja, që sot në Laç pritet të luhet fort, me grintë dhe mobilizim nga të dyja palët. Shkodranët e dinë fort mirë se vetëm me grintën e duhur mund t’i dilet mbanë në këto rrethana, që ka mbërritur kampionati. Për fat të mirë, ata kanë në krye një “timonier” si Armando Cungu, i sprovuar në menaxhimin e këtyre situatave, aq më tepër kur jo shumë larg ka pasur rastin ta drejtojë vetë kundërshtarin e sotëm. Natyrisht, atij nuk i vjen mirë, nëse laçianët nuk do t’ia dalin për të qëndruar në Superiore, por i duhet të luftojë maksimalisht me skuadrën e tij për të marrë pikë në këtë sfidë.

E VËSHTIRË, JO E PAMUNDUR – Në prononcimin e tij për këtë ndeshje vendimtare, tekniku Cungu thekson se është shumë e vështirë, por jo e pamundur për t’u kaluar me sukses: “Kemi të bëjmë me një ndeshje të radhës për Vllazninë, por natyrisht që është shumë e vështirë. Do luajmë ndaj një kundërshtari shumë të motivuar dhe që s’mund ta marrim lehtë kurrsesi. Kampionati ka ardhur në një pikë, ku nuk dihet se çfarë po ndodh dhe kuptohet që na duhen pikë për të siguruar mbijetesën. Ajo çfarë kërkoj nga futbollistët për këtë takim, është të ndryshojnë mënyrën e të luajturit, sepse që nga takimi me Flamurtarin skuadra nuk ka funksionuar si duhet”, – u shpreh Cungu.

MUNGESAT – Duke folur për mungesat që ka në formacion, trajneri Cungu thotë se nuk ka Bakajn për shkak kartonësh, si dhe disa futbollistë për shkak dëmtimesh. “Unë them që në fushë do të jenë ata futbollistë, të cilët kanë treguar më shumë dëshirë gjatë gjithë kësaj periudhe për ta përfaqësuar denjësisht fanellën e Vllaznisë, sepse, në fund të fundit, është fundi i sezonit dhe për gjithsecilin do të bëhet një bilanc i asaj çfarë ka bërë mirë dhe keq. Për këtë arsye, secili prej tyre duhet të japë më të mirën në fushë”, – shton Cungu.

KALENDARI – Numri 1 i stolit kuqeblu flet edhe për ndeshjet e ardhshme, duke theksuar se kalendari nuk është aspak i favorshëm. “Na duhen ende pikë për të siguruar mbijetesën dhe kurrsesi nuk duhet ta lëmë këtë gjë për në fund. Për këtë arsye, do të kërkojmë të mbyllim gjithçka që në Laç. Padyshim, na vjen keq për kundërshtarin, por punojmë për Vllazninë dhe duhet t’i shërbejmë asaj sa më mirë. Ndaj laçianëve do të tentojmë të mos dalim pa pikë”, – përfundon Cungu.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image