Vllazni “e gjymtuar”, Cungu kënaqet edhe me barazim

0

Gaspër Marku

Në konferencën e zakonshme për shtyp një ditë para përballjes me Partizanin shtë paraqitur, ashtu javë më parë, trajneri Armando Cungu, i shoqëruar nga drejtori sportiv, Eugent Zeka. Një konference të cilën kreu i pankinës kuqeblu e ka shfrytëzuar për të thënë gjithçka, që nga reagimi i asaj që përflitet për aleancë me Partizanin, presioni që e ka shoqëruar skuadrën gjatë këtyre ditëve, mungesat e shumta të titullarëve që skuadra ka në këtë ndeshje, mesazhi për tifozerinë dhe besimi për marrjen e një rezultati pozitiv.

Si po përjetohet nga stafi shkodran supersfida Vllaznia-Partizani, pas komenteve që janë bërë pas takimit me Kukësin?
Është e vërtetë që quhet supersfidë, sepse luajnë dy ekipe me shumë emër në futbollin shqiptar, ku fanellat e tyre peshojnë shumë dhe njëkohësisht kanë bërë histori në futbollin shqiptar. Nëse e keni fjalën për këtë pikë, dakord, por nëse e keni fjalën për probleme të tjera që artificialisht dhe çuditërisht janë vënë në qendër të vëmendjes së medieve, nuk jam dakord. Besoj se është një ndeshje e radhës për ekipin tonë, për djemtë, që duhet ta kenë të qartë dhe patjetër të bëjnë maksimumin në fushën e lojës për të dhënë më të mirën dhe për të marrë një rezultat pozitiv për të cilin Vllaznia ka shumë nevojë në këto momente, për objektivat që tashmë ka.

Duket se ka një farë presioni ndaj Vllaznisë, pasi i kërkohet një rezultat pozitiv, jo vetëm nga drejtuesit, por më së shumti edhe nga opinioni sportiv…
Jam munduar të jem i qetë gjatë të gjithë javës, jam munduar të jem edhe larg mediave, megjithatë meqë po ma bëni këtë pyetje, po ju përgjigjem drejtpërdrejtë atyre të cilët kanë tentuar sadopak të lakojnë emrin e Cungut dhe të Vllaznisë së Shkodrës për allishverishe në futboll. Po ju garantoj se ky është një ekip i cili që çdo gjë e ka marrë me djersë në fushën e lojës dhe me pastërtinë më të madhe dhe për këtë jam shumë krenar unë si trajner dhe gjithë klubi për këto djem. E dyta, dua t’iu bëj me dije se Armando Cungu nuk shitet dhe as nuk blihet për asnjë çmim. Nuk kam çmim dhe nuk janë të zotë për të më blerë për kurrgjë, këtë duhet ta ketë të ditur të gjithë ato që janë marrë me këtë punë. E treta, janë zëra amatorë, ose më mirë të themi mentalitete provinciale, normalisht që jetojmë në Shqipëri dhe çudirat nuk mungojnë nga dita në ditë, të kesh vlera, të jesh mirë, të jesh korrekt, të jesh profesionist, natyrshëm të quhet antivlerë dhe anasjelltas e njëjta gjë. Besoj se kemi të drejtën e Zotit që edhe ne të luajmë futboll për dinjitetin tonë, për familjet tona, për fanellën tonë, për qytetin tonë. Këtë gjë e ka bërë Vllaznia. Nëse do të kishim humbur ndoshta do të kishim qenë ekipi i mirë dhe i ndershëm, nëse kemi shkuar për të marrë pikë për interesat tona, thashë edhe një herë personale të klubit Vllaznia, të cilat është e drejtë morale e jona, quhemi ekip i cili qenkemi në pazare me ekipe të tjera kushdo qofshin këto. Vllaznia nuk ka asnjë pazar me askënd, këtë ia garantoj çdo qytetari të Shkodrës, çdo tifozi dhe dashamirësi të futbollit. Dhe është në turpin e atyre që e kanë futur Vllazninë në këtë vorbull, qofshin ato gazetarë, qofshin drejtues klubesh, apo kushdo qoftë, për mua nuk ka asnjë lloj dallimi, pasi duhet të maten mirë kur të flasin për Armando Cungun dhe Vllazninë e Shkodrës. Këtë besoj se e dinë fort mirë edhe ato që e kanë përhapur këtë tymnajë.

Sa do të ndikojnë mungesat në formacion?
Është shumë e drejtë kjo që thoni, për këtë arsye thashë se është një sfidë që mund të ketë edhe tre rezultatet brenda. Mungesat janë të shumta në ekipin tonë, lojtarë titullarë me shumë peshë që kanë mbajtur edhe peshën më të madhe të kampionatit deri në këto momentet që flasim. Megjithatë, futbolli është i tillë, kampionati është i tillë, ka firo rrugës si dëmtime, ashtu edhe kartonë. Në këto kushte gara vazhdon dhe ne patjetër do të hedhim në fushë lojtarët të cilët mendojmë se do të bëjnë punën më së mirë në këto momente që ndodhemi. Në fund të fundit stërvitemi pothuajse 30-të vetë dhe gjithsecili duhet të jetë i gatshëm për çdo minutë që do t’i jepet mundësia për të treguar vlerat e tij, por njëkohësisht për të përligjur edhe besimin që do t’i japim ne. Kam bindjen e plotë që djemtë do të japin më të mirën.

A është e vështirë për ju për të ndërtuar formacionin, duke parë mungesat e shumta që keni?
Nuk është e lehtë ç’është e vërteta, por të jeni të bindur që jam munduar dhe jam mës e i bindur dhe nuk kam as më të voglin dyshim që kam marrë vendimet më të duhura brenda mundësive që janë për të hedhur në fushën e lojës lojtarët të cilët mendojmë se do të na shërbejnë më së miri në kushtet që jemi gjithmonë, të kuptohemi për sa i përket sfidës kundër Partizanit.

A keni një thirrje për sportdashësit për këtë ndeshje?
Sportdashësit tashme janë të lirë. Thirrjet e mia janë prej një viti e gjysmë për sportdashësit e Shkodrës. Ato kanë qenë të vazhdueshme, kështu që janë të lirë. Natyrshëm që dëshira është që të jenë një numër shumë i madh tifozësh për të mbështetur Vllazninë. Por, do të kërkoja që të vijnë sportdashës dhe të tregojnë atë qytetari që ka karakterizuar gjithmonë sportdashësit shkodranë. Pra, në mbështetje të ekipit, dhe jo në momente të caktuara duke fyer edhe sportistët e tyre, sepse nuk i shërben Vllaznisë dhe shkon në një farë mënyre në favor të kundërshtarit edhe në aspektin psikologjik.

Bakaj, një mungesë e rëndësishme në majë të sulmit, por duket se do të jetë një shans i artë për të riun Hebaj. Mendoni se do ta justifikojë besimin tuaj dhe do ta shfrytëzojë këtë mundësi që i jepet?
Bakaj është një futbollist i cili ka shërbyer dhe ka kontribuar jashtëzakonisht mirë që nga ardhja e tij dhe jo rastësisht Vllaznia ka rritje që nga janari që ai është bërë pjesë e skuadrës, falë edhe kontributit të tij. Edhe Hebajt nuk është shansi i parë që i jepet. Besoj se jeni të vetëdijshëm, Hebajt i janë dhënë shanset që në startin e sezonit dhe deri në këto momente, ka mbi 16 ndeshje aktivizimi dhe për një lojtar 18 vjeçar nuk është pak. Është një futbollist që ka kualitete shumë të mira për të luajtur futboll, sikurse duhet të kuptojnë të gjithë se edhe ai është i ri dhe do edhe ai kohën dhe përshtatjen e vet për t’u formuar dhe forcuar dhe për të mbajtur, nëse mund të them kështu, peshën e ekipit. Gjithsesi, fakti është që me shumë gjasa mund të hidhet në fushë do të thotë që unë besoj tek ai djalë, kam besuar gjithmonë, dhe uroj që edhe ai të jetë në ditën e tij më të mirë, t’i shërbejë jo vetëm emrit të tij si futbollist, por edhe Vllaznisë së Shkodrës.
A do të ishte e kënaqur Vllaznia edhe me barazim?
E kam thënë gjithmonë që Vllaznia futet në fushën e lojës për të fituar një ndeshje futbolli, me çfarëdo problematikash që mund të ketë, me shumë mungesa, pa mungesa, kushdo që është kundërshtari, në çfarëdo fushe, vetë emri i Vllaznisë të imponon gjithmonë këtë lloj objektivi për t’u futur në fushën e lojës kudo për të marrë tre pikë. Por, do të jem korrekt dhe të sinqertë, sepse në fund të fundit nuk është dramë, por një rezultat pozitiv do ta ishte edhe barazimi në Shkodër. Dihet se je përballë një ekipi që është në krye të tabelës së klasifikimit me shumë meritë, dhe normalisht që me ekipe rivale, dhe ekipe nëse mund të them në ndeshje derbi, këto rezultate janë më se të pranueshme. Kështu që nuk do ta quash rezultat negative, por do ta fusja edhe këtë pjesë të rezultatit pozitiv. Kjo nuk do të thotë që do të futemi nesër (sot) për të mbajtur rezultatin dhe barazuar ndeshjen. Vllaznia ka për t’u futur në fushën e lojës për ta fituar ndeshjen.

Vllaznia me probleme, Cungu fikson formacionin

Do të jetë ora 19.00 e mbrëmjes së sotme që shënon startin e takimit Vllaznia-Partizani, ballafaqim ky i vlefshëm për javën e 29-të të Superligës së futbollit shqiptar. Përgatitjet e kësaj ndeshje për kuqeblutë janë mbyllur pasditen e së shtunës me seancën e zhvilluar në fushën e stadiumit “Reshit Rusi”, e cila ka qenë e fundit në këtë pragndeshje. Përgjithësisht, ka qenë po ajo situatë që “Sport Ekspres” e prezantoi në numrin e së shtunës, që do të thotë se në kampin kuqeblu vazhdojnë të jenë sërishmi ato probleme në lidhje me mungesat e titullarëve në formacion. Dy të skualifikuarit Vrapi dhe Bakaj, Krymi dhe Bardulla të dëmtuar dy javë më parë ndaj Tiranës, si dhe Kapaklia dhe Marku më herët me probleme serioze dëmtimesh, nuk janë fare në listën e teknikut Cungu për sfidën e sotme ndaj Partizanit. Sidoqoftë, tekniku Cungu është përpjekur të bëjë më të mirën me grupin që ka. Nga sa u pa në vendosjen e lojtarëve në fushë, do të jetë po ajo përbërje që ai prezantoi një ditë më parë. Selimaj në portë, Gurishta, Bicaj, Pjeshka, Shtubina, Gocaj, Tafili, Kruja, Çinari, Kalaja dhe Hebaj janë emrat që Cungu i ka besuar të nxjerrë në fushë nga minuta e parë mbrëmjen e sotme. Menjëherë pas përfundimit të kësaj seance, 18-ja e planifikuar për sfidën e sotme së bashku me stafin drejtues janë drejtuar për në kompleksin turistik “Gardenland Resort” në periferi në qytetit, Barbullush, ku kanë kaluar natën dhe do të qëndrojë e akomoduar deri rreth dy orë përpara startit të ballafaqimit të sotëm në “Loro Boriçi”.

Formacioni i mundshëm i Vllaznisë
Selimaj – Gurishta, Bicaj, Pjeshka, Shtubina – Tafili, Gocaj, Kruja – Çinari, Kalaja – Hebaj

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here