Cungu i kënaqur, por: Na mungon njeriu gol, edhe Shkurtaj na refuzoi

Trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, ka mbetur mjaft i kënaqur nga fitorja në Fier ndaj Lushnjes, edhe pse e pranon se nuk ka vend për entuziazëm të tepruar: “Jam i kënaqur nga fitorja, por kjo nuk do të thotë që bëmë gjithçka e mirë. Mesfusha është shumë mirë, kemi bërë afrime cilësore, por e pranoj që na mungon një sulmues goli dhe nuk krijuam shumë raste. Kemi kërkuar sulmues gjithë verën, por disa lojtarë na kanë refuzuar ose na kanë dalë fjale. Shkurtaj? Po, është një prej lojtarëve që nuk e pranoi ofertën tonë dhe ende nuk e di arsyen”.

Për Cungun starti i mbarë ishte shumë i rëndësishëm: “Ky ishte testi i vetëm real i Vllaznisë, duke parë që në fazën përgatitore nuk bëmë ndonjë ndeshje serioze dhe nuk patëm mundësi të testonim skuadrën. Edhe unë, edhe skuadra, jemi në procesin e ambientimit dhe njohjes me njëri-tjetrin, ndaj kjo fitore na vlen shumë për të punuar më të qetë në vazhdim”.

Europa? “Dëshira kemi shumë, por duhet të jemi realistë. Nuk është e lehtë të kapësh Europën, sepse janë Skënderbeu, Partizani, Kukësi apo Flamurtari që ka bërë investime. Nuk janë pa gjë as ekipe si Laçi e Teuta, duhet shumë kujdes edhe nga Kamza që ka ndërtuar ekip shumë të fortë. Vllaznia duhet të synojë të evitojë diskutimet e mbijetesës, sepse edhe vjet ishim për Europë në një moment dhe më pas shpëtuam në ndeshjen e fundit”.

Tifozët ishin edhe në Fier: “Ishin sot, uroj t’i kemi gjithmonë me vete. Nuk mund të jenë gjithmonë si me Tiranën, por uroj të jenë sa më të shumtë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *