Cungu i kënaqur, Çyrbja: U përballëm me ata që i shohim vetëm në TV

Trajneri i Kukësit, Armando Cungu ka folur sot për faqen zyrtare të klubit, ku u shpreh i kënaqur nga loja e djemve të tij në miqësoren kundër Bashaksehir.

“Të them të drejtën, jam i kënaqur me lojën që zhvilluan djemtë, duke pasur parasysh kundërshtarin. Në vend të parë në Turqi dhe me shumë yje në skuadër. Me këto kushte nuk është e lehtë të luash kundër tyre, por ne luajtëm mirë dhe treguam formë fizike shumë të mirë.

Jam i kënaqur me lojën, edhe pse kemi shumë gjëra për tu përmirësuar. Duke parë që kjo ishte një miqësore, iu dhashë mundësinë shumë djemve të kontribuonin për skuadrën. Të gjithë më pëlqyen dhe më kanë bindur se jemi gati për pjesën e dytë të kampionatit”,- u shpreh Cungu.

Për faqen e klubit, u prononcua dhe autori i golit, Arbër Çyrbja, i cili tha: “Është kënaqësi t’i shënosh portierit të kombëtares turke, por jo vetëm portierit. Është diçka shumë pozitive t’i shënoj një skuadre me cilësi të tilla dhe me lojtarë me shumë kualitet.

Kjo ndeshje ishte shumë e vështirë, pasi luajtëm kundër lojtarëve shumë të fortë, lojtarë që ne i kemi parë vetëm në televizor”,- përfundoi Çyrbja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *