Cungu: Gabojmë raste flagrante, duhet ndërhyrje në merkato

Kukësi pësoi humbjen e parë në shtëpi dhe të dytën rresht. Djemtë e Cungut zhvilluan një ndeshje të mirë, por goli i Malës i dhuroi tre pikët Partizanit. Diferenca me kreun ka shkuar në gjashtë pikë, ndërsa Armando Cungu është shfaqur mjaft i mërzitur për rezultatin në emisionin “Gol pas Goli”. Skuadra shpërdoron pafund dhe kjo është diçka shqetësuese.

HUMBJA – “Keqardhja është e madhe, ka dhe momente nervozizmi. Kukësi që në fillim dhe deri tani ka bërë ndeshje të mira, ka krijuar raste dhe ka qenë dominues. Ajo që të vjen keq është pasimi i fundi apo ai final, që çon në shënimin e golit dhe kjo po na mungon. Edhe pse kemi raste, nuk po shënojmë gola në mënyrë të çuditshme. Kukësi luan futboll, por vlerë kanë pikët dhe ne na mungojnë”.

MUNGESAT – “Peshojnë mungesat e Musollit dhe Rrumbullakut që janë lojtarë të rëndësishëm dhe kanë vite që luajnë. Ata janë mësuar me fitore, trofe dhe marrin përgjegjësi. Nëse do të dalësh kampion duhet të jesh kampion. Partizani ka dhe lojtarë të rinj që bëjnë diferenca në momente të caktuara dhe marrin përgjegjësi. Mund të veçoj këtu Asanin”.

ECURIA – “Jam i bindur se do të gabojë dhe kundërshtari. Janë dhe tre faza. Kjo pauzë vjen në momentin e duhur që skuadra të kuptojë, që fitimi i titullit duhet të demonstrohet në fushë dhe jo me fjalë. Në jemi kritikuar që nuk luajtëm futboll, por morëm rezultat. Tani po prodhojmë, por nuk po shënojmë. Sërish po kritikohemi. Kur vjen puna në fushë kemi tension dhe gabojmë, ndoshta dhe se kemi një ekip me djem të rinj. E them javë pas jave se kemi shumë afrim, diku tek 13 lojtarë. Janë djem të rinj që premtojnë, por kanë ende për të mësuar”.

SULMI – “Rexhinaldo ka bërë mirë më parë, ai është një lojtar goli. Nuk ka qenë në nivelin që pritet në këto dy ndeshje. Nuk ka munguar kërkesa e llogarisë nga unë, por kemi pak alternativa për të dhe kjo është një problematikë që duhet pranuar, edhe pse presidenti ka qenë mjaft aktiv. Ai e ka bërë detyrën e tij duke investuar, por nuk kanë qenë të suksesshëm ato lojtarë që mund të jenë alternativa për të. Përgjegjësia do ishte më e madhe sikur të kishte pak më shumë konkurrencë.Më mirë të humbasim me një lojtarë vendas që është djalë i ri, që ka dëshirë për të luajtur futboll, se sa me të huajt”.

RASTI I PENALLTISË – “Gjyqtari është shumë afër dhe është vendim i tyre. Nuk mund të gjykoj unë. Përveç këtij rasti gjykimi ishte shumë korrekt. Edhe në Korçë ishin shumë korrekt, 11-metërshi ishte atje. Komplimente për gjyqtarët”.

KONTIGJENTI DHE MERKATO – “Është e nevojshme ndërhyrja në janar, pasi lojtarët që kemi në dispozicion i kemi aktivizuar dhe u është dhënë mundësia. Edhe Partizani nuk është se ka një lojtar që shquhet para porte, por golat shpërndahen. Kundërshtari ka lojtarë me eksperiencë dhe me personalitetin e duhur, por dhe të rinj që marrin përgjegjësi dhe bëjnë diferencën. Ndërhyrja në merkato është evidente. Ne gabuam sapo nisi ndeshja, pasi mjaftonte vetëm ta frynte dhe jo ta godiste. I kemi ndryshuar lojtarët e krahëve për të krijuar diçka më tepër, por kontributi në përgjithësi ka qenë shumë i vakët”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *