Cungu flet për herë të parë në detyrën e re: Një pikë me Tiranën, nuk do të ishte keq

Armando Cungu është rikthyer në pankinën e Laçit. Pas shkarkimit të Sulejman Starovës, do të ishte pikërisht ky rikthim në stolin e kurbinasve, me të cilin arritën edhe të fitonin Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë disa vite më parë.

Për herë të parë Cungu ka folur edhe në detyrën e re, ndërsa sipas asaj që raporton “Supersport”, ka thënë se një pikë do të ishte e mirë në ndeshjen e radhës kundër Tiranës.

“E kam ndjekur Laçin dhe kam parë që skuadra ka bërë ndeshje të mira, por fati nuk ka qenë në krahun e saj. Jam i bindur që mund të kishte marrë rezultate më të mira dhe më tepër pikë, por tani do të përqendrohem në aspektin psikologjik, pasi duhet të luajmë me qetësi dhe të synojmë të ngrihemi lart”, tha trajneri I Laçit.

Çdo trajner kërkon të arrijë suksese të mëdha dhe suksesi më i madh janë trofetë. Kjo dëshirë nuk mungon as te unë, as te drejtuesit dhe as te djemtë, por duhet të jemi realist dhe pragmatistë, duke menduar si të marrim sa më shumë pikë. Me kalimin e javëve, do të shohim më qartë se çfarë mund të arrijmë.

Është e vështirë të luash ndaj kujtdo, pasi kampionatin është forcuar dhe diferencat janë ngushtuar shumë. Nuk e di nëse kanë rënë skuadrat e mëdha, apo janë ngritur ato të voglat, pro sot ndaj çdo kundërshtari në Superiore, është e vështirë. Tirana është një emër për t’u respektuar si për atë që ka dhënë ndër vite, ashtu edhe për organikën që ka në dispozicion. Mundësitë për rezultat janë të shumta, por duhet të pranojmë se edhe një pikë në Tiranë, nuk do të ishte keq për ne”, ka thënë Cungu. /Sport Ekspres/