Çudia Partizani, në provë një koreano-jugor që nuk e njeh as klubi

Nga klubi i kuq thonë që është lojtar i cili ka luajtur me Austrinë e Vjenës në pjesën e parë të sezonit, por informacioni është i gabuar!!!

Pas spastrimit të janarit, te Partizani po afrohen vetëm lojtarë pa emër dhe me moshë shumë të re. Dje u prezantuan qendërmbrojtësi Renato Gojkoviç, vetëm 22 vjeç, i ardhur nga kampionati kroat, mbrojtësi 19-vjeçar Senad Hysenaj, i marrë nga Vllaznia, si dhe anësori ofensiv Emran Ramadani, marrë nga Renova. Ndërkaq, në stërvitjen e paradites së djeshme kanë dalë edhe dy emra të rinj. I pari është mesfushori 19-vjeçar Henri Okebugu, i cili në pjesën e parë të sezonit ishte tek Egnatia dhe prova te Partizani është paralajmëruar prej javësh.

BEFASIA – Emri i dytë është një surprizë dhe sipas klubit bëhej fjalë për një futbollist me të dhëna të shkëlqyera: Xhin-Hjun Li, mesfushor nga Korea e Jugut, i cili është vetëm 20 vjeç. Këtu nisën pikëpyetjet: Li është pjesë e kombëtares U21 dhe kombëtares olimpike të Koresë së Jugut, Li është në pronësi të Pohang Stilers, një ndër klubet më të rëndësishëm të vendit. Në verë Pohangu e huazoi tek Austria e Vjenës në Austri dhe aty Li ka luajtur 16 ndeshje mes kampionatit, kupës e Ligës së Europës, duke shënuar edhe një gol në gusht në kampionat!

DYSHIMET – Titullar tek Austria e Vjenës, në huazim për një vit dhe me të drejtë blerjeje për kontratë 3-vjeçare, titullar i Koresë së Jugut U-23: A është e mundur të vijë një lojtar i tillë në Shqipëri? Dhe më qesharakja: a mund të vijë një lojtar i tillë në provë? E pamundur, pritej këmbënguljes së klubit se është ai lojtar. Për fat të keq, kontakti me vetë lojtarin në provë ishte i pamundur, por duke hulumtuar në rrjet e vërteta doli në shesh.

PARTIZANIN E KANË GËNJYER? – Në të vërtetë, futbollisti që është paraqitur te Partizani për provë nuk ka lidhje me atë të Austrisë së Vjenës. Përtej faktit që Li i Austrisë është lojtar tepër cilësor për një kampionat si ky i yni, zbulohet që koreano-jugori është në grumbullim në Qipro, me Austrinë e Vjenës. Jo vetëm kaq, por ai luajti titullar të hënën pasdite, në miqësoren kundër Dinamos së Bukureshtit. Duke krahasuar edhe fotot e siguruara nga stërvitja e Partizanit, kuptohet që nuk bëhet fjalë për të njëjtin futbollist. Cili është futbollisti në provë te Partizani? As vetë te Partizani nuk e dinë, por dinë që ka emrin Xhin-Hjun Li!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *