Pasi ka lënë pas krahëve Serinë A dhe Italinë, Xhani de Biazi, vetëm tetë muaj më parë, mori drejtimin e një Kombëtare, në këtë rast, Shqipërinë. Ky ishte një fillim i ri në karrierën e tij në stol dhe, të premten e shkuar, ai mori edhe duartrokitjet e para nga publiku kuqezi, pasi mundi brenda fushës skuadrën e Qipros, me rezultatin 3-1. Një ndeshje shumë e vështirë, e cila u zhbllokua në fund.
- Me Qipron erdhi fitorja juaj e parë në një ndeshje të rëndësishme dhe zyrtare, pra jo miqësore. Megjithatë, nuk ishte aq e lehtë sa pritej, pasi vetëm në fund arritët që të gjenit dy gola që iu dhanë tri pikët. Sa e vështirë ishte për ju dhe Shqipërinë të debutonit në këto eliminatore me një sukses?
- Shumë e vështirë, por nuk u befasova aspak, sepse e prisja që të ishte kaq e vështirë. Por, morëm fitoren dhe tri pikët, me meritë sipas meje.
- Ndërsa ju fitonit në Tiranë, në Ljubjanë, Zvicra, kundërshtari i radhës, merrte gjithashtu një sukses ndaj Sllovenisë
- Por, fitorja e Zvicrës edhe kundër një rivali vërtet të fortë dhe që luante brenda fushës. Mendoj se të fitosh në Slloveni duhet të zhvillosh një ndeshje super, por duke njohur potencialin e Zvicrës, atëherë nuk surprizohem aspak. E kam thënë që në fillim të shortit dhe vazhdoj ta përsëris: favoritët e grupit tonë janë Zvicra, Sllovenia dhe Norvegjia. Nëse Shqipëria mbërrin e katërta, atëherë do të ketë marrë një rezultat të mirë.
- Si është një ditë e juaja e punës në Shqipëri?
- Bashkë me pesë pjestarët e stafit tim, ne bëjmë shumë udhëtime në Europë. Përpiqemi që të ndjekim të gjithë futbollistët, duke programuar udhëtime në Itali, Gjermani, Suedi, Ukrainë, Zvicër, por edhe në Iran dhe Azerbajxhan. Kjo është e kushtueshme dhe e ndërlikuar, por kjo është puna ime. Unë jetoj në Koneljano, në Italinë veriperëndimore, dhe udhëtoj në Shqipëri, duke ndjekur shpesh ndeshjet e Kampionatit dhe ato të Europës, si gjatë kësaj vere, kur morën pjesë Flamurtari, Tirana dhe Skënderbeu dhe të gjithë u eliminuan shumë shpejt.
- Si duket situata e futbollit shqiptar?
- Realiteti është ai që sapo përmenda. Futbolli shqiptar ka një kulturë e cila duhet zgjeruar më shumë. Si për organizimin, disiplinën dhe gjëra të tjera. Ne mund të mësojmë shumë gjëra, por edhe të japim leksione. Unë, bashkë me stafin tim italian, jemi ambientuar në perfeksion.
- Pra, po më thoni se duhet të punoni shumë?
- Le të themi që lëvizja shqiptare e futbollistëve është shumë e re dhe ne po përpiqemi që ta promovojmë. Shumë shqiptarë kanë emigruar në vitet ’90 dhe, si pasojë, kanë lindur fëmijët e tyre jashtë, ose i kanë marrë në moshë të vegjël, ndaj dhe interesi ynë është që ata të kthehen të japin kontributin e tyre për Kombëtaren.
- Shumë zgjodhën të kthehen te Shqipëria, të tjerë qëndruan në “shtëpinë” e tyre të re: flasim për dy emrat më të njohur, Xhaka dhe Shaqiri. Sa të vështirë e bën punën tuaj mungesa e talenteve të këtij tipi?
- Ne kemi shumë futbollistë të mirë që kanë pranuar të luajnë për Federata të tjera dhe jo vendlindjen. Mendoj se është një turp, por nuk kemi se çfarë të bëjmë tjetër vetëm se ta pranojmë këtë gjë.
- Ballkani “prodhon” gjithnjë talente futbolli. Si e shpjegoni?
- Le të themi që talentet vijnë gjithmonë nga rajonet e varfra. Pse? Sepse ata kanë nevojë vetëm për një top, që kushton shumë pak dhe duhen 22 futbollistë për të luajtur dhe për të provuar veten. Shqipëria nuk është një standard kushedi se çfarë, por ka shumë futbollistë të mirë.
- Talente duhet të ketë edhe në kampionatin shqiptar, ku ka shumëllojshmëri moshash dhe brezash
- E vërtetë, por mungon një gjë: cilësia dhe niveli. Pa harruar këtu tifozët. Ata preferojnë më shumë të ndjekin ndeshjet e Serisë A sesa të shohin Kampionatin e tyre. Por, kur vjen puna për Kombëtaren, për fat, janë të gjithë të pranishëm në stadium. Dhe për këtë jam shumë i lumtur. Madje, më kanë thënë se këtu në Zvicër do të jenë më shumë shqiptarë se zviceranë në Lucernë, ditën e ndeshjes. Shpresoj të jetë ashtu.
- A mund të na flisni për vështirësitë që do të hasë Shqipëria ndaj Zvicrës?
- (qesh) Asnjë vështirësi. Përtej shakave, është një ndeshje nga më të vështirat, por duke qenë se janë vetëm 90 minuta, mendoj se mund të jetë e ekuilibruar.
- Çfarë iu mungon futbollistëve kuqezi?
- Disiplina taktike. Entuaziazmi mund t’i dehë shumë shpejt dhe në të shkuarën kjo gjë ka ndodhur. Shpirti i garës, dëshira dhe grinta nuk iu mungon. Nëse të gjithave këtyre u shtohet edhe disiplina taktike, atëherë mund të mbërrijmë shumë larg.
- Si ju duket Kombëtarja e Zvicrës?
- Çfarë mund të them?! Fakti që është te 30 Kombëtaret më të forta në botë flet vetë. Kanë futbollistë që luajnë në Ligat kryesore në Botë dhe një trajner të madh. Pa organizim, nuk shkohet gjëkundi. Zviceranët janë zviceranë.
- A mund të përdoret ky model në një vend si Shqipëria?
- Duhet të ndryshojë në themel Shqipëria, nuk është vetëm puna te futbolli. Infrastruktura është ende e vjetër, vendet ku stërviten dhe luajnë ekipet janë të tmerrshme. Stadiumi Kombëtar, që duhet të jetë edhe më komodi, është në kushte jo të mira dhe të heq dëshirën për të shkuar dhe ndjekur ndeshjet, e jo më të luash futboll. Në Zvicër, këto gjëra janë krejt ndryshe.
- Cila është moto e Kombëtares kuqezi?
- Asnjëherë mos u dorëzo dhe beso në ëndërr. Kur mora Modenën në C1 ishte në vend të parafundit në renditje. Por, me besim dhe dëshirë, arritëm të shpëtonim, ndërsa vitin tjetër u ngjitëm në Serinë B dhe, më pas, në Serinë A. Edhe tani unë dua të bëj të pamundurën. Ndonjëherë ndodh, ndoshta duhet kohë, por ku i dihet…
- Pse një trajner i Serisë A pranon një punë në Shqipëri?
- Është hapi i parë në një profesion që unë dua ta bëj 10 vitet e ardhshme. Bëhet fjalë për trajner të një Kombëtareje dhe në të njëjtën kohë menaxher. Gjithmonë kam pasur këtë fokus. Më është dashur të startoj diku. Gjithashtu karriera ime si trajner ka nisur në Serinë C2, duke arritur deri në Serinë A, pra maksimumi.
- Sa e vështirë është jeta e një trajneri në Itali?
- Stërvitja dhe puna është gjëja më e lehtë në botë për mua. Vështirësia vjen të rezistosh në një ambient ku shpesh shumë njerëz që nuk janë kompetentë të futbollit, përfshihen.
- Çfarë doni të thoni?
- Këshilltarët e kanë merkaton nën kontroll, ata vendosin jetën, apo vdekjen e trajnerit dhe futbollistëve. Pra, nëse duan t’i mbajnë, apo t’i heqin. Unë kurrë s’kam qenë menaxher.
- Ju keni provuar absurdin: me Torinon, pasi e ngjitët në Serinë A, menjëherë u shkarkuat pa filluar sezoni
- Situatë abstrakte. Nuk e kuptova. Shumë ndryshime ndodhën te Torino, por ata pasi më shkarkuan, më thërritën sërish.
- Më thoni: cila gjë ju tërheq te trajnimi?
- Le të themi që më pëlqen gjithmonë të punoj aty ku ka projekte serioze. Futbolli, i cili është i kompromentuar, ku ka ndërhyrje dhe ku gjërat s’shkojnë ashtu si duhen, ma shpif. Më pëlqen thjeshtësia, qartësia dhe dua të paguhem për atë që bëj dhe jo për atë që nuk bëj.
- Është ky rasti i Shqipërisë?
- Me përvojën që kam pasur në Serinë A, kalimi në Shqipëri ishte i jashtëzakonshëm. Edhe në Spanjë, te Levante, pata përvojë të mirë, por në Shqipëri të gjithë sillen mirë. Në Itali, pushtetin e kishin futbollistët dhe vendosnin ata si të silleshin. Këtu ndryshon puna.
- Do të keni përballë dy lojtarë që keni stërvitur dikur. Bëhet fjalë për Xhemailin, që keni stërvitur te Torino dhe Inlerin, që keni stërvitur në Udine
- Dy futbollistë fantastikë. Xhemaili erdhi nga Boltoni në Torino. Inleri ka gjithçka: fizikun, psikologjinë, preçizionin, cilësinë dhe teknikën. Flet pak jashtë fushe dhe shumë brenda saj. Duke qenë se është kapiteni i Zvicrës ka edhe shumë përgjegjësi, por kjo vetëm sa e motivon.
- Atëherë, si del sfida Zvicër-Shqipëri?
- Fiton Shqipëria (qesh).
Batuta mbi futbollin shqiptar
“Në Shqipëri interesohen më shumë për Serinë A sesa për kampionatin e tyre. Kjo bën që cilësia të jetë e ulët dhe që të mos ketë shumë prodhim vendas”.
Talentet që vijnë nga Ballkani
“Talentet lindin dhe zhvillohen sidomos në rajonet e varfra, pasi iu mjafton harmonia, dëshira dhe një top, që kushton pak për ta shqelmuar”.
Motivator me përvojë
56-vjeçari Xhani de Biazi ka marrë drejtimin e Shqipërisë në dhjetor të vitit 2011. Por, karriera e tij është e gjerë, si futbollit dhe si trajner. Fillimet si lojar i mesfushës kanë qenë që në moshën 19-vjeç, kur luante te Interi dhe u transferua më pas te Peskara, Breshia, Palermo dhe Viçenca, në Serinë A dhe B. Si trajner, ai mori drejtimin e Modenës dhe në dy vjet nga Seria C1 e çoi në Serinë A. Edhe me Torinon bëri të njëjtën gjë, por nga Seria B. Ka stërvitur gjithashtu edhe Breshian dhe Udinezen. “De Biazi është motivator dhe ka një mentalitet fituesi”, shprehet Gokhan Inler. De Biazi jeton në Italinë veriore dhe punon gjithashtu si ekspert i Champions League te “Mediaset Grup” i Silvio Berluskonit.