Për Tiranën, problemet në prag të aventurës së Europa Ligë nuk kanë fund. Pas dëmtimit të kapitenit Sina dhe mungesës së Karabecit si pasojë skualifikimi, dje është konfirmuar mungesa e Erion Dushkut dhe për më tepër është mësuar dhe një tjetër lajm i keq. Ilion Lika është helmuar nga ushqimi dhe gjatë ditës së djeshme portieri 32-vjeçar nuk është ndjerë mirë. Ka qëndruar në shtëpi në regjim shtrati. Ka bërë disa serume dhe mjeku i Tiranës i ka qëndruar në kokë për të përshpejtuar rekuperimin e plotë të tij. Aktivizimi për ndeshjen e nesërme është në dyshim dhe humori në kampin bardheblu tani është zyrtarisht i prishur. Tre mungesa titullarësh janë konfirmuar dhe kaq ka mjaftuar për të prishur planet e teknikut spanjoll. Tirana pret kështu jo në formën më të mirë Grevenmakerin, kundërshtarin për turin e parë të Europa Ligës. Rubio sapo ka mësuar konfirmimin për mungesën e Dushkut, ka nxituar të rikthejë në listën e lojtarëve të grumbulluar për Europa Ligën, Rezart Dabullën.
Dushku – Dy ditë më parë u dëmtua në stërvitje por vetëm dje, pasi ka kryer analizat, ka mësuar lajmin se do ta ketë të pamundur aktivizimin në ndeshjen e parë dhe do të ketë gjithashtu të pamundur riaftësimin për ndeshjen e kthimit. Dushku ka pësuar një dëmtim muskulor e për pasojë i duhet të qëndrojë jashtë fushave të blerta për t’u riaftësuar, me shpresën te kualifikimi I bardhebluve për në turin e dytë të Europa Ligës dhe rekuperimin e dëmtimit në kohë.
Lika – Është helmuar nga ushqimi dhe dje ka qëndruar në regjim shtrati në shtëpinë e tij, me mjekun e Tiranës, që i ka qëndruar pranë. Portieri 32-vjeçar është një lojtar i rëndësishëm për bardheblutë dhe duhet pritur për të mësuar nëse do të ketë mundësi të luajë nesër në mbrëmje, apo jo.
Sina – Kapiteni vuan një problem muskular prej dy javësh dhe e ka të pamundur riaftësimin në kohë. Sina është një tjetër mungesë e konfirmuar për Tiranën në turin e parë të Europa Ligës.
Karabeci – Një karton i kuq, marrë në vitin e shkuar përballë Spartak Trnavës, i mohon mesfushorit mundësinë e aktivizimit në ndeshjen e parë përballë Grevenmakerit. Karabecit i duhet të shohë nga tribuna e “Qemal Stafës” këtë takim, për të zbritur të martën në fushë, në ndeshjen e kthimit, që do të luhet në Luksemburg.
Dabulla – Hulian Rubio i ka kërkuar drejtuesve të klubit të rivendosin emrin e mbrojtësit 32-vjeçar në listën e lojtarëve të federuar për pjesëmarrjen në Europa Ligë. Në mungesë të Sinës dhe Dushkut, tekniku spanjoll ka kërkuar sërish Dabullën në skuadër, lojtar të cilin nuk e kishte fillimisht në planet e tij.