Honvedi, klubi me pronarin me emrin romantik: Heminguej!
 Bledar Kuka  9/7/2012

Ai është Xhorxh Heminguej. Nuk bëhet fjalë për ish-shkrimtarin e famshëm, të ikur e të tretur me kohë. Ky Hemingueji tjetër është amerikan, por me rrënjë të vjetra hungareze. Pasi hodhi themelet në vendin e të parëve me biznese të ndryshme, në vitin 2007 bleu edhe Honvedin e Budapestit të mbytur nga problemet dhe të shitur nga manjati italian i mishit, Piero Pini.
Hemingueji nuk është aspak romantik si shkrimtari me të njëjtin mbiemër. “Nuk e bleva Honvedin për nostalgji, por për biznes. Dua të fitoj po ashtu si me bizneset e tjera që kam në Hungari”, thotë ai.
Veçse, si shumë prej drejtuesve dhe pronarëve të klubeve të futbollit në vendin e Europës Qendrore, edhe ai di të bëjë plane ambiciozë dhe të detajuar, di edhe ta ndjekë zbatimin e tyre pikë për pikë, pa u lodhur dhe me profesionalizëm skrupuloz.
Në 2007, kur sapo e kishte marrë ekipin, Honvedi fitoi Kupën në finalen ndaj Debrecenit. Në kampionat, në 2008 u zu vendi i 8-të, në vitin 2009 skuadra mezi shpëtoi në Kategorinë e Parë, duke dalë e 13-ta. Në 2010 u zu vendi i 9-të, në 2011 vendi i 10-të, në 2012 vendi i katërt. Vetëm 4 987 njerëz e pëlqejnë (like) faqen zyrtare të klubit.
Por, Heminguej nuk mërzitet. Vitin e kaluar, ai gëzohej shumë që ekipi U-17 ishte tepër i fortë dhe fitonte Kupën “Pushkash-Suzuki”. “Pas 5-6 vjetësh, këta djem do të jenë mbi 20 vjeç dhe do të përbëjnë gjysmën e ekipit tonë të parë”, thoshte ai. Pas 5-6 vjetësh i bie që “të korrat” do të jenë në vitin 2017. I lumtë!
Në rast se shikojmë përbërjen e Honvedit sot, thuajse të gjithë lojtarët hungarezë janë fare të rinj dhe shumica të formuar në akademinë e klubit. Barath është 20 vjeç, kapiteni Debrecen është 23 vjeç dhe ka ardhur në akademi që 15 vjeç. Riçard Car është 19 vjeç, Patrik Hidi është 21 vjeç, Balint Vecei është 18 vjeç dhe në klub ka ardhur 14 vjeç, shënuesi i golit ndaj Flamurtarit, Riçard Vernesh është 20 vjeç dhe ka 5 vjet tek Honvedi, Laslo Erdeli është 18 vjeç dhe ka ardhur tek Honvedi kur ishte 14, ndërsa Milan Fagiash është 23 vjeç.
Hemingueji ka shpenzuar dhe ka blerë 13 lojtarë të huaj që janë sot në skuadër, por shpejt ai parashikon që të mos ketë nevojë për të tilla shpenzime. Gjithsesi, me 2-3 milionë euro në sezon mund të synohet Liga e Europës. Ashtu siç e bënë Ferencvaroshi në mesin e viteve ‘90-të dhe Debreceni, në 2009-n.

 
Gazeta ne PDF!

Superliga
Rezultatet | Renditja
Kategoria I
Rezultatet | Renditja
Kategoria II
Rezultatet | Renditja
Cila skuadër fiton Champions League në Wembley
Borussia Dortmund
Bayern Munich