Mesfushori Xherdan Shaqiri, ka një javë që ka nisur aventurën te klubi i ri, Bajern i Mynihut. Dhe, që tani ai ka nisur ta ndjejë veten si futbollist i vlefshëm te klubi më i madh në Gjermani. Ai i ka vënë edhe një synim të rëndësishëm vetes– të bëhet idhull i tifozëve bavarezë. Shaqiri, vetëm 20-vjeç në një intervistë të dhënë për gazetën kosovare "Koha Ditore", ka thënë se mezi pret të nisë edicioni i ri në Bundesligën gjermane për të dëshmuar vlerat e tij, ato të një futbollisti kampion. "Pritja ka qenë e shkëlqyer. Kjo javë më ka shkuar shumë mirë. Kam shumë për të dhënë derisa të nisë edicioni i ri dhe besoj se do t'i bëj të gjithë për vete. Natyra ime është të luftoj dhe të mos dorëzohem deri në fund. Dua të tregoj që në ndeshjen e parë se jam një lojtar kampion. Bajerni më ka blerë për të luajtur dhe unë do të jap maksimumin që t'ia shpaguaj besimin. Nuk kam frikë nga konkurrenca, edhe nëse ata quhen Roben e Myler", ka thënë Shaqiri. Shaqiri njihet si futbollist kampion, pasi në tri vitet e fundit kur ishte pjesë e Baselit, fitoi tre tituj kampioni rresht dhe dy herë Kupën e Zvicrës. U shpall, po ashtu dy herë rresht futbollisti më i mirë zviceran.
"Bajerni nuk e ka fituar titullin në tri vitet e fundit, por shpresoj që me mua ta fitojë titullin. Unë besoj shumë që ky vit ka për të qenë i joni. Ne do të luftojmë që t'i fitojmë të gjitha trofetë. Kemi skuadër të fortë dhe jemi favoritë për të fituar titullin e Gjermanisë", ka shtuar Shaqiri.
Shaqiri pa përfunduar edicionin e shkuar, zyrtarizoi kalimin e tij te Bajerni nga Bazeli për rreth 12 milionë euro. Ai ka nisur të vërejë edhe dallimin mes ish-skuadrës së tij Baselit dhe kësaj aktuale, Bajern Mynihut. Por, thotë se nuk ndjen aspak presion, pasi pretendon se i pëlqen sfidat.
"Kam pasur shumë sfida në karrierën time dhe të gjitha i kam tejkaluar me sukses. Kështu jam i bindur se do të ndodh sërish. Dallimi mes Baselit e Bayernit është shumë i madh, pasi këtu në Gjermani punohet në një mënyrë të ndryshme dhe kuptohet që Bajerni është klub më i madh se Baseli. Këtu të gjithë kërkojnë të fitosh titullin. Dhe, na janë bërë të ditura se synimet janë që të fitojmë të gjitha trofetë e mundshëm", ka theksuar Shaqiri. "Bisedoj shpesh me trajnerin Jup Hejnkes dhe ai po më mbështet shumë. Ai është një trajner i shkëlqyer që punon shumë për të arritur suksese".
Lojtari i Zvicrës, Xherdan Shaqiri ka refuzuar të udhëtojë me përfaqësuesn zvicerane në Lojërat Olimpike "Londra 2012". Ai jep edhe arsyet e këtij refuzimi. “Unë jam lojtar i ri te Bajerni dhe vendosa të përgatitem me klubin që të inkuadrohem sa më shpejt në ekip. Është një rast i mirë për mua, pasi futbollistët që luajtën në ‘Euro2012’ janë ende në pushime dhe ky është rasti im", ka nënvizuar Shaqiri. Por për lojën e mirë, Shaqiri vazhdimisht bie në sy edhe për të tjerat që s’kanë të bëjnë shumë me futbollin. Një gjë të tillë e bëri qysh në stërvitjen e parë me Bayern Mynihut. Ai në këpucët e tij mbante emrat e familjarëve të tij dhe flamujt e tri shteteve që e lidhin shpirtërisht: Kosovës, vendit ku ka lindur, Shqipërisë – vendit të bashkombasve të tij dhe të Zvicrës – vendit ku është rritur dhe bërë yll.
"Familja për mua është e shenjtë dhe nuk e harroj në asnjë çast. Kam përkrahjen e madhe prej familjes dhe gjithmonë i kam emrat familjarëve në këpucët e futbollit. Unë jam shqiptar dhe nuk e ndaj dot Kosovën e Shqipërinë nga Zvicra që më ka dhënë shumë", ka thënë Shaqiri.
20 vjeç është ylli i ri i Bajernit të Mynihut, Xherdan Shaqiri. Ai u ble për 12 milionë euro nga Bazeli, në mesin e sezonit të kaluar.
2 yje do të ketë konkurrentë, mesfushori i Bajernit Xherdan Shaqiri. Ata janë, Arjen Roben dhe Tomas Myler. “Nuk i kam frikë”, fjalët e Shaqirit.