“Albania, mi piaci!” Përgatitësi italian, i dashuruar me Vlorën!
 Anton Cicani  20/8/2012

Artikuj në gazetat sportive dhe vlerësime të vazhdueshme nga tifozeria. I ka bërë të gjithë për vete, përgatitësi atletik veronez i Flamurtarit, Oskar Berti. I kanë mjaftuar pak muaj Oskarit për t’u vlerësuar nga bota e futbollit shqiptar. “Një dashuri e jashtëzakonshme”, komenton i çuditur ish-përgatitësi atletik i të rinjve të Veronës. “Tifozët më dedikuan një pankartë që përmbante këtë mesazh: “Faleminderit, Oskar!”. Kam mbetur jashtëzakonisht i befasuar: ishte një gjest i papritur dhe surprizë për mua”. Të papritura edhe komentet dhe vlerësimet e gazetave shqiptare. “Ishte një surprizë e këndshme gjithashtu. Disa të përditshme shqiptare kanë nënvizuar rikonfirmimin tim si përgatitës atletik i Flamurtarit. Nuk besoja se e meritoja këtë rëndësi. Ky vlerësim do të më japë edhe më shumë shtysa për të bërë mirë punën time”. Një aventurë, ajo e Bertit, që është dukur pjesërisht në dyshim për të vazhduar në Vlorë: “Gjatë verës, aventura ime shqiptare ishte pranë mbylljes. Disa klube profesioniste italiane më kishin kontaktuar dhe ndaj i mora në konsideratë këto hipoteza me kujdesin e duhur. Pas një refleksioni të gjatë, brenda meje fitoi  dëshira për t’u përballur sërish me Europën, duke parë se Flamurtari mori pjesë në turin paraeliminator të Europa League dhe me një Kampionat Europian në nivel më të mirë. Vendimtar për zgjedhjen time ishte sigurisht presidenti i klubit, Shpëtim Gjika. Pavarësisht eliminimit të menjëhershëm nga Europa League kundër Honved Budapestit, vendosi të investonte dhe të synonte fitoren e kampionatit shqiptar, për të çuar Flamurtarin në Champions League”. Vështirë t’i rezistosh bukurisë dhe prestigjit të Europës. “Ishte e pamundur që të refuzoja një ofertë kaq të rëndësishme. “Përralla” e futbollit është e gatuar nga sfidat dhe nga ëndrrat që ndiqen. Tani duhet të luftoj për ëndrrën më të madhe dhe mahnitëse: fitimi i kampionatit shqiptar dhe si pasojë kualifikimi në turin paraeliminator të Champions League. Për mua kjo është maksimumi. Shpresoj që me profesionalitetin që kam dhe më impenjimin e duhur të ndihmoj në arritjet dhe suksesin e këtij klubi. Do të punoj që forma atletike të qëndrojë gjithmonë në një nivel të mirë, për të shmangur rëniet e rendimentit që nuk do të na jepnin mundësi të qëndronim në zonat e larta të renditjes dhe atyre ku na takon të qëndrojmë. Sezoni i ardhshëm është sigurisht më i rëndësishmi i karrierës sime të re”. Me një objektiv të rëndësishëm: dëgjimi i një “muzike” të re. “Sigurisht, pas muzikës së “Europa League”, pres me padurim atë të Champions. Jam gati, madje, kam hapur veshët ta dëgjoj!”.

Kush është Oskar Berti?

Për katër vjet, përpara se të vinte në Shqipëri, te Flamurtari i Vlorës, ishte përgatitës atletik tek skuadra e të rinjve të Veronës. Berti njihet sidomos për metodat e tij të punës tepër profesionale. Është i martuar prej disa vitesh.

“Shqipja, gjuhë e vështirë”

Oskar Berti, ndër të tjera, ka folur kohë më parë edhe për shqipen, duke e konsideruar shumë të vështirë për t’u mësuar, dhe pse në “Facebook”-un e tij dallohen disa fjalë, edhe pse të pakëta. “Është si gjuha turke, indiane dhe arabe, por kam mësuar nga pak”.

 

 
Gazeta ne PDF!

Superliga
Rezultatet | Renditja
Kategoria I
Rezultatet | Renditja
Kategoria II
Rezultatet | Renditja
Cila skuader do te fitoje Kupen e Shqiperise ne mendimin tuaj?
Laci
Bylis