Tirana është, Flamurtari “jo”!
 Saimir Demi  9/8/2012

Një Tirana – Flamurtari, nuk mund të ketë një miqësore të dytë më të përshtashme, për dy skuadra që kërkojnë të fitojnë titujt e sezonit dhe aq më shumë në fund të merkatos. Dje, në “Selman Stërmasi”, ata që erdhën për të parë ndeshjen kishin besimin e madh, se përballë do të ishin dy skuadra pothuajse të kompletuara, të gatshme për të filluar edicionin. Dhe në fakt Tirana ishte pothuajse e tillë, ose më mirë të themi që trajneri Rubio i ka idetë e qarta. Ajo që hodhi në fushë ishte pothuajse skuadra që luajti në Europa League, me dy ndryshime të rëndësishme. Në krahun e majtë të mesfushës ishte Peposhi, i ardhur një vit më parë nga Akademia e Partizanit, por që duket se po e bind trajnerin spanjoll, si dhe në vijën e parë Abilaliaj. Por edhe Muça kishte për të parë, siç ishte Vukçeviç i avancuar në krahun e djathtë të mesfushës dhe në pjesën e dytë Bratiç, që nuk është në provë, pasi vjen nga Skënderbeu dhe është një njohës i mirë i kampionatit shqiptar.
Fiullimi i takimit ishte një biletë vetëm vajtje, gjë që zgjati deri në fërshëllimën e gjyqtarit, që sinjalizoi përfundimin e pjesës së parë. Tirana në sulm, ndërsa vlonjatët mundoheshin të mbroheshin disi, por shpesh dukej qartë që nuk ishin komodë. Ndërkohë që personazh kryesor bëhet Poposhi. Në fillim të gjithë thonin çfarë është ky numri 25, ndërsa më pas të gjithë thërrisnin emrin e tij. Edhe Rubio insistonte që vazhdimisht të luhej në krahun e tij, pasi ai që  duhet ta mbulonte, Bisha, kishte disnivel, të paktën dje. Për trajnerin e Tiranës ishte e lehtë ta dallonte, që nga krahu i majtë mund të huhej në zonën kundërshtare shumë lehtësisht, ndërsa Muça nuk mund të bënte shumë, për faktin e thjeshtë, se nuk kishte alternative. Ndërsa në të 12’ vjen edhe goli i vendasve, i vetmi gjatë të gjithë 90-minutëshit. Në këtë rast nuk ndikoi fitimi i dueleve të Peposhit ndaj Bishës, por një goditje standarde e ekzekutuar nga Gilman Lika. Topi i goditur prej tij u devijua nga barikada dhe më pas ishte po Lika, që pasi kontrollon shënjestrën mposht portierin Koliçi. Është 1-0, ndërsa vlonjatët nuk munden të reagojnë. Rajoviç dhe Veliu janë, Mici në krahun e majtë mbrojtjes nuk ka vështirësi pse është shtatshkurtër, por duket se vuan një dëmtim, që e konfirmon edhe Muça. Lena dhe Soza po bëjnë shumë më pak sesa u kërkohet, Vukçeviç është një futbollist interesant, por jo në kondicion të mirë fizik, ndërsa tek Memelli shkon shumë rrallë topi, ndërkohë që i duhej të merrej edhe me Dushkun, që është thjesht i mrekullueshëm. Loja vazhdon, ndërsa Flamurtari vazhdon të mungojë në apel, kurse Tirana shpërdoron, megjithëse të jep imazhin se kjo është një skuadër që mund të funksionojë më së miri, pra pas pak do të jetë e gatshme për ta pretenduar titullin kampion.
Edhe pjesa e dytë ka pothuajse të njëjtën pamje, vetëm se ndryshojnë disa numra në uniforma. Është përsëri Tirana titullare, por ritmi është i ndryshëm. Gjithsesi bardheblutë janë më të gjallë në fushën e lojës dhe mjafton të shohësh Pashajin, i cili që nga pozicioni i tij pranë portierit Lika, disa herë shkatërronte fillimin e aksioneve të miqve, në zonën e tyre. Një gjë që i ngriti nervat Muçës, duke i thënë futbollistëve të tij se kjo është e fundit që duhet të ndodhë. Por nuk është gjithçka në dorën e tij. Pepës i duhet ende kohë të përshtatet me skluadrën, veçanërisht me Memellin dhe trajneri i tij, gjatë 45 minutave të fundit, në 80% të kohës thërriste vetëm emrin e tij. Gjatë kësaj periudhe iu kthye me arrogancë edhe stolit, i kërkonte portierit Koliçi, të mendohej përpara se ta hidhte topin dhe në fund pranoi që skuadra e tij nuk ishte gati. Pjesa e dytë kishte në fushë edhe një tjetër talent, një fantazist vlonjat, 16-vjeçar, që në trup i ngjante Jahmir Hykës. Quhet Bregu, mban numrin “19” dhe tani i duhen disa minuta në dispozicion, që trajneri Muça garanton se do t’i ketë.
Kjo ishte miqësorja e luksit, me një Tiranë, të cilës i duhen vetëm detaje, për ta filluar edicionin si pretendente për të qenë kampione dhe një Flamurtar që nuk është ende skuadër dhe që për trofeun e 100-vjetorit të Pavarësisë nuk i mjafton vetëm Muzaka. Bardhebluve i duhet t’u funksionojë më mirë sulmi, ndërsa vlonjatët kanë probleme të në gjitha repartet.  

Tirana-Flamurtari 1-0
Shënues: G. Lika
Tirana: I. Lika, Sina, Dushku, Pashaj, Kalari, Taku, Muçollari, Peposhi, G.Lika, Morina, Abilaliaj. Trajner: H.Rubio
U aktivizuan: Karabeci, Çota, Ahmataj, Pisha, Tushe.
Flamurtari: Koliqi, Rajoviç, Veliu, Mici, Bisha, Pezo, Telushi, Lena, Vukçeviç, Soza, Memelli; Trajner: Sh. Muça
U aktivizuan: Bratiç, Pepa, Bregu.
Kartonë të verdhë: Muçollari 36’, Pisha 70’/ Rajoviç 9’, Bratiç

Top
Dushku – Ka fituar duelet me Memellin dhe ka treguar edhe një herë tjetër se me të në prapavijë, Tirana ka garancinë e nevojshme. Me Pashajn në krah ka fituar siguri.
Rajoviç – I sigurtë dhe potent. Qendërmbrojtësi malazez në miqësoren përballë Tiranës ka treguar vlerat e tij dhe ka fituar disa duele me sulmuesit bardheblu.
Peposhi – I papërmbajtshëm në krah dhe fitues thuajse në të gjitha duelet me mbrojtësin e djathtë të Flamurtarit. 18-vjeçari ka bërë mjaft mirë duke fituar vëmendjen dhe duartrokitjet e të gjithë të pranishmëve. Gjatë pjesës së parë, Rubio pasi kuptoi se se Peposhi po fitonte të gjitha duelet me kundërshtarin, kërkonte të luhej vetëm në krahun e tij. Megjithatë, i duhet ende të përmirësohet pasi cilësitë i ka.

Flop  
Lena – Muça nervozohej në stol pas ç’do topi të humbur prej tij në mesfushë. Mesfushori nuk ishte në ditën e tij dhe mesfushorët e Tiranës nuk e kishin të vështirë ta bllokonin për ta nxjerrë më pas jashtë loje.
Bisha  - Peposhi e vuri në vështirësi përgjatë pjesës së parë dhe në krahun e djathtë të Flamurtarit, Tirana gjeti hapësira për të rrezikuar. Bisha nuk bëri mirë në miqësoren e zhvilluar dje pasdite në kryeqytet.  
Soza - E nisi si sulmues i djathtë për t’u rreshtuar më pas përkrah Memellit në qendër të sulmit. Argjentinasi rrezikoi vetëm nëpërmjet një goditje me kokë e cila u nis drejt portës vetëm falë një devijimi. Pjesa tjetër e lojës së tij, nuk e kaloi nivelin mesatar. Larg formës.

Veliu rimerr shiritin
Franc Veliu ka rimarrë shiritin e kapitenit. Mbrojtësi vlonjat pasi ka rinovuar kontratën pak kohë më parë, ia ka dalë të rimarrë statusin e liderit në skuadër duke ia hequr këtë mundësi Nijazi Lenës. Ky i fundit ishte kapiteni Flamurtarit në Europa Ligë, por trajneri Muça është bindur për t’i besuar qendërmbrojtësit 23-vjeçar.

Dushku fiton
duelin me Memellin
Që në minutat e para të lojës ka nisur dueli mes qendërmbrojtësit të Tiranës, Erion Dushku dhe sulmuesit të Flamurtarit, Migen Memelli. Ky i fundit ka humbur dyluftimet me mbrojtësin bardheblu. Dushku ka fituar duelet në ajër me të dhe ka mundur ta mbajë larg portës. Në momente të caktuara edhe Pashaj ka dalë fitues në përballjet një për një me Memellin. Sulmuesi është nervozuar me lojtarët e skuadrës së tij pasi e ka ndjerë veten të vetmuar dhe pak të shërbyer në vijën e parë.

Debuton Abilaliaj
Arbër Abilaliaj, ka debutuar me Tiranën në miqësoren përballë Flamurtarit. Tri ditë më parë sulmuesi zyrtarizoi marrëveshjen me bardheblutë duke u bërë kështu përforcimi numër katër në merkaton e verës. Abilaliaj ka bërë mirë në 45-minutat e parë të ndeshjes, por në fraksionin e dytë ka ndjerë lodhjen pasi me Tiranën ka vetëm 10 ditë në stërvitje. Në momentin kur ka lënë fushën, sulmuesi 26-vjeçar ka marrë duartrokitjet e tifozëve bardheblu.

Ferraj dhe Arbri,
dy mungesat
Nertil Ferraj për Tiranën dhe Polizoi Arbri për Flamurtarin kanë qenë dy mungesat në miqësoren e zhvilluar dje pasdite. Të dy futbollistët kanë patur probleme muskulore dhe nuk kanë dashur të rrezikojnë duke u aktivizuar në fushë.

Vukçeviç, cilësi,
por jo në formë
Mjaftuan pak minuta për të kuptuar se futbollisti malazez Petar Vukçeviç ka potencial për t’u bërë një lojtar i rëndësishëm për Flamurtarin. Mesfushori 24-vjeçar edhe pse e pati të vështirë përballë Sinës, në momentin që merrte në kontroll topin, tregonte se cilësitë nuk i mungojnë. Kondicioni fizik nuk ishte në parametrat e duhur, por me kohën Vukçeviç do të marrë veten. Muça beson te ai dhe në përfundim të ndeshjes ka vlerësuar me notë pozitive malazezin.

Memelli: Nuk
jemi mirë!
Pyetjes, pse Memelli e kishte të vështirë të vihej në kontakt me topin, futbollisti iu përgjigj prerë: “Është e gjithë skuadra që nuk po shkon mirë dhe kjo reflektohet në të gjitha repartet. Nuk është se është e vështirë të vijë topi tek unë, por i gjithë grupi e ka të vështirë të funksionojë si skuadër. Ndoshta duhet edhe pak kohë dhe le të shpresojmë”.            

Arbi Laçi

 

Miqësore mes
batutash dhe të
nxehtit afrikan

Të shkosh në stadium, në një nga ditët më të nxehta të vitit, kuptohet që duhet të kesh një arsye shumë të madhe. Por meqë luan Tirana me Flamurtarin, dy skuadra shumë mediatike, që edhe në merkato vendosin veton, ia vlen të marrësh një bidon ujë shumë të ftohtë dhe pasi të ulesh në shkallë, ta pish një gllënjkë dhe më pas ta vendosësh mbi kokë, për të shpresuar të ulësh temperaturën. Por duke qenë skuadra të mëdha mund të bëjnë çfarë të duan edhe me njerëzit e shkallëve. Kështu ndeshja e programuar për të filluar në orën 17:30, nisi gjysëm ore më pas, pasi futbollistët kishin vapë, ndërsa ata që kishin ardhur për t’u ndjekur e shfrytëzuan kohën duke u freskuar përgjithësisht me fara luledielli. Por në “Selman Stërmasi” kishte edhe çfarë të shijoje; atë pamje të tmerrshme të shkallëve, që ta shtonin edhe më shumë vapën. Ishte një ndeshje për t’u parë, por e luajtur në një ambient që nuk ka lidhje me futbollin, madje as për t’u ulur sa për të bërë pak muhabet. Por për fatin e mirë, ky lloj stadiumi ndodhet në pjesën më të mirë të kryeqytetit, ku ndalojnë pothuajse të gjithë linjat e autobuzëve dhe është shumë e lehtë të mbërrish deri tek portat hyrëse, pa pasur probleme me kohën e shpenzuar.
Ndërsa brenda rrethimit janë dy skuadra të elitës së futbollit shqiptar. Tirana fillimisht të mrekullon, aq sa presidenti i ri i Skënderbeut, Ardjan Takja, filloi të kishte dilema, nëse duhet të mendohej më shumë, përpara se të shpenzonte për skuadrën e tij. Sipas tij, nuk është e mirë që ata dalin kaq shpejtë në sulm dhe nëse e bëjnë një gjë të tillë edhe në Korçë, atëherë do të jetë problem. Por meqenëse Takja e ka me shumë pasion futbollin, i hedh ndoherë sytë edhe nga pjesa tjetër e fushës, ku ndodhet Flamurtari, që përgjithësisht qëndron statik. “Këta dëshirojnë të fitojnë një titull për 100-vjetorin e Pavarësisë,- thotë presidenti i Skënderbeut,- dhe sigurisht që do ta kenë sadisfaksionin për të qenë të parët deri në 28 nëntor dhe  do të jemi ne dhe këta që janë përballë tyre”.
Ndërkohë që Tirana befason herë pas here me ndonjë talent që të çudit. Peposhi ishte dje njeriu i ditës, ndërsa drejtori sportiv, Alban Tafaji, ka të gatshme një batutë: “Janë brenda uniformës së Tiranës dhe mjafton ta shkundësh, për të nxjerrë ndonjë futbollist që ia vlen ta shohësh”. Ndërkohë ndeshja vazhdon me ulërimat e Rubios në gjuhën e tij, duke i dhënë të gjithëve gratis një kurs spanjishte. Dhe nuk thoshte vetëm ndonjë fjalë, që mund ta përkthesh duke e marrë me mend, por i drejtohej futbollistëve me fjali të gjata dhe të gjithë i ktheheshin duke iu përgjigjur: “Po, po, në rregull!”.
Dhe në fund sikur u freskua pak dhe të gjithë u larguan. Takja i Skënderbeut, të cilit i mbeti mendja tek Peposhi, Shpëtimi me pantallonat e shkurtëra, që nuk i ngjante fare presidentit Gjika, Rubio me spanjishten e tij perfekte, si dhe Muça, që e ka aq të vështirë ta ndryshojë Flamurtarin, sa edhe dialektin, që në Vlorë u duket si spanjisht.


Tifozët
bardheblu
ironizojnë
trajnerin Muça

Tifozët e Tiranës gjatë ndeshjes me Flamurtarin kanë ironizuar trajnerin Shkëlqim Muça. Marrëdhëniet me të janë prishur në kohën kur ai ishte trajner i Skënderbeut. Dje, gjatë ndeshjes miqësore, në momentet kur Muça orientonte lojtarët e tij, tifozët e Tiranës ironizonin gjestet e tij.

Interesim si ndeshje normale
Në shkallët e stadiumit “Selman Stermasi” interesimi për miqësoren mes Tiranës dhe Flamurtarit ka qenë i madh. Pavarësisht temperaturave të larta në kryeqytet, përballja mes dy skuadrave që do të garojnë me njëra-tjetrën për titullin kampion, ka sjellë jo pak tifozë në shkallët e stadiumit. Rreth 300 tifozë kanë ndjekur këtë takim interesant të zhvilluar dje pasdite.

Ilion Lika bën
mrekullinë,
fiton
duartrokitje
Një goditje me kokë e Sozës pak metra larg portës ka gjetur devijimin e një prej mbrojtësve të Tiranës dhe topi për pak sa nuk kaloi vijën fatale. Mbi këtë të fundit ka mbërritur dora e Ilion Likës duke ndalur sferën në momentin e duhur në mënyrë spektakolare. Kaq ka mjaftuar që portieri i Tiranës të marrë duartrokitjet e të gjithë të pranishmëve në shkallët e “Selman Stërmasit”.

 
Gazeta ne PDF!

Superliga
Rezultatet | Renditja
Kategoria I
Rezultatet | Renditja
Kategoria II
Rezultatet | Renditja
Kush fiton Kupen e Konfederatave cila zhvillohet në Brasil
Uruguai
Brasil
Italia
Spanjë