Ishte mbrëmja e 21 qershorit dhe DC Junaijtidi i Hamdi Salihit përballej në Uashington me skuadrën e Kolumbus Krju të shqiptarit tjetër në MLS, Dilaver Duka, ose i thërritur shkurt “Dilli”. Një ndeshje ku shkodrani luajti nga minuta e parë. Që prej asaj dite, kanë kaluar thuajse tre muaj, por shkodrani ende nuk e sheh fushën e blertë nga minuta e parë dhe është detyruar ta nisë nga stoli, duke u futur ose 25 minutat e fundit ose madje dhjetë të fundit. Në fakt, trajneri Olsen kurrë nuk e ka hedhur në fushë pas pjesës së parë. Një shenjë evidente se mes të dyve nuk është se po kalon një moment i mirë. Por, krisja e parë erdhi gjatë grumbullimeve për skuadrën më të mirë të MLS-së, që u drejtua nga Olsen për një ndeshje, ndaj Çelsit kampion Europe. Edhe ndaj PSG-së, Salihi u hodh në fushë në pjesën e dytë, duke mos siguruar foton me Zlatan Ibrahimoviç. Sigurisht, detaje të vogla dhe që ndoshta mund të duken si të pandikueshme, por merkato e kryer gjatë verës nga Junaijtidi evidentoi edhe njëherë se Salihi nuk bind më si dikur. DC Junaijtidi bleu dy futbollistë të rinj dhe njëri mes të dyve ishte sulmues. Edhe pas dëmtimit të De Rosarios, mbrëmë, Salihi gjithashtu nuk zbriti në fushë nga minuta e parë. Sigurisht, kjo është ndeshja e tetë radhazi që Salihi e nis nga stoli, duke u future në pjesën e dytë. Pardje, ndaj Nju Inglandit, shkodrani është lënë sërish në stol, pavarësisht se gjendja e tij fizike është dukur e mirë. Një shenjë kjo se diçka nuk po shkon dhe është bërë shqetësuese në ambjent.
Vetëm pesë – Transferimi i Salihit nga Rapid Viena, pra Austri, në MLS, përtej oqeanit, te DC Junaijtidi, ishte i bujshëm në atë kohë. Madje, rroga e futbollistit shqiptar prishi atë që quhej dikur “mur” i pagave, pasi vetëm disa ishin të privilegjuar të merrnin shuma të majme. Por, Salihi e nisi menjëherë fort, duke shënuar që në turnetë miqësore dhe në kampionat. Pesë gola brenda një muaji e gjysmë dhe, më pas, “thatësira”. Një thatësirë e cila po e vështirëson edhe më shumë pozitën e shqiptarit, i cili tashmë ndihet nën presion sa herë që zbret në fushë dhe tenton të japë maksimumin, por e ka të vështirë që të shprehet ashtu si dëshiron.
!
Situata në
Kampionat
DC Junaijtidi, pas fitores së parmbrëmshme, ndodhet në mesin e renditjes së kampionatit, me 44 pikë, 45 gola të shënuar dhe 39 të pësuar, një mesatare negative kjo. Në vend të parë kryeson San Hoze Erthkuik, ndërsa Çikago Fajër dhe Nju Jork Red Bull renditen të dytët dhe të tretët.
De Biazi nis të luhatet
Xhani de Biazi, trajneri i Shqipërisë, e ka thërritur në dy ndeshjet e fundit të zhvilluara nga Shqipëria, kundër Qipros dhe Zvicrës. Por, shkodrani ka luajtur vetëm në njërën prej tyre, në atë ndaj Qipros, duke e nisur nga minuta e parë dhe zëvendësuar në pjesën e dytë. Një roveshatë dhe një goditje në portë kanë qenë shkëndijat e vetme të tij.
Nostalgji për Europën
Në një nga deklaratat e tij në Shqipëri, Hamdi Salihi, është shprehur se ka nostalgji për Europën dhe i mungon atmosfera, por edhe futbolli i këtushëm. “Jam në Amerikë dhe këtu luhet një tjetër futboll”, u shpreh ai, “por nuk do të më vinte keq sikur të kthehesha sërish një ditë në Europë, aty ku jam rritur profesionalisht dhe kam mësuar shumë mbi taktikën dhe teknikën”.
Hipoteza Rejnxhërs
Një nga hipotezat që u fol gjatë përpara se Salihi të shkonte në Amerikë ishte kalimi te Gllasgou Rejnxhërsi, skuadra që sot luan në kategorinë e katërt skoceze, për shkak se është dënuar nga Federata si pasojë e borxheve dhe falimentimit.