Vangjeli “vrapon” drejt rikuperimit, por vështirë të kthehet që në tetor!
   17/9/2012

Xhani de Biazi, trajneri i Shqipërisë, mund të ketë një alternativë më shumë për sa i përket dy ndeshjeve në tetor, ndaj Islandës dhe Sllovenisë, edhe pse duhet pritur ende grafia dhe rezonanca manjetike që mjekët që do t’I bëjnë Kristi Vangjelit. Mbrojtësi kuqezi, i cili luan te Çernomorets Odesa, bashkë me Elis Bakajn, është kthyer dje në Ukrainë, pasi ka qenë në Greqi dhe pasi po vazhdon periudhën e rehabilitimit. Vangjeli, që u dëmtua në përfundim të kampionatit të shkuar, ka më shumë se gjashtë muaj që ndodhet jashtë fushës së blertë. Dëmtimi i tij ishte shumë i rëndë dhe kjo e detyroi futbollistin që të përfudnonte në hekura, pra të operohej. Pasi kaloi periudhën e parë të rehabilitimit dhe pushimit absolute, Vangjeli, pas katër muajsh, nisi stërvitjen e veçuar dhe vrapimin, ashtu si u pa edhe në fazën përgatitore që skuadra ukrainase zhvilloi në Austri, gjatë verës. Vangjeli i mungon së tepërmi Kombëtares, pasi është titullar fiks në krah të majtë. Pikërisht në mungesë të tij italiani De Biazi është detyruar të eksperimentojë, duke provuar një herë Lilën, që ka luajtur këto dy ndeshjet e fundit, dhe njëherë Veliun.

Bakaj – Për Elis Bakajn situate duket se është më e mirë dhe optimizmi është rritur së tepërmi, edhe pse rezonanca manjetike që do të kryejë mesfushori të martën do të vendosë edhe për kohët e rikuperimit. Megjithatë, gjendja e tij është përmirësuar së tepërmi dhe shumë shpejt mund të nisë të vrapojë me shokët e skuadrës, ndoshta pas disa ditësh. Elisi, që në ndeshjet e fundit të Kombëtares, ndaj Qipros dhe Zvicrës, nuk luajti për shkak të dëmtimit, mund të kthehet  ndaj Islandës, ose në rastin më të keq, ndaj Sllovenisë. Mesfushori i Çernomorets Odesës u dëmtua dy ditë përpara grumbullimit kuqezi në ndeshjen e kontrollit, pas një tërheqje muskulore që ndjeu gjatë një vrapimi. Në vend të tij, trajneri De Biazi ka thërritur Gilman Likën, por nuk i dha mundësi mesfushorit shkodran të Tiranës që të luante, qoftëe dhe një minutë në dy ndeshjet e grupit. Futbollisti, këto ditë, do të zhvillojë një rezonancë, pasi ka qëndruar pushim dhe është stërvitur i veçuar dhe me fizioterapi. Bakaj, madje, ka qenë edhe disa ditë në Shqipëri, ku u takua me shokët e skuadrës, në grumbullimin në “Tropikal”, në Durrës, dhe ndoqi gjithashtu ndeshjen me Qipron në “Qemal Stafa”.

 
Gazeta ne PDF!

Superliga
Rezultatet | Renditja
Kategoria I
Rezultatet | Renditja
Kategoria II
Rezultatet | Renditja
Cila skuadër fiton Champions League në Wembley
Borussia Dortmund
Bayern Munich