Ndryshim programi! Kombëtarja kalon te 4-1-4-1, Bogu nga 1’
   11/9/2012

De Biazi në versionin “kameleon”. Duket se trajneri kuqezi ka vendosur që të mbajë sekret gjithçka deri në fund, ashtu siç bëri dhe përpara ndeshjes me Moldavinë, ku në mënyrë surprizë hodhi në mesfushë Memushajn, që kishte vetëm dy ditë që kishte ardhur. Por, edhe me Qipron u panë titullarë Meha dhe Kukeli. Për ndeshjen ndaj Zvicrës, fillimisht, italiani mendoi për një modul taktik 4-2-3-1, duke përforcuar mesfushën, por më pas, duke menduar edhe për krahët e Zvicrës, dje, ka ndryshuar mendim dhe taktikë. Në fakt, do të kalojë në të famshmen skemë 4-1-4-1, e cila u përdor që në debutimin e tij në miqësoren e zhvilluar në Tbilisi, ndaj Gjeorgjisë. Por, ka disa ndryshime nga ajo ndeshje. Në qendër nuk është më Veliu, por Mavraj, ndërsa në krah jo Agolli, por Lila. Përveç Bulkut, që përsërit rolin e “digës”, përpara mbrojtjes, në krahë do të veprojnë Vila dhe Agolli, ndërsa në qendër Meha dhe Kukeli. Në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë në krahë kishin luajtur Roshi dhe Muzaka, ndërsa në qendër Hyka dhe Vila, duke mbështetur Çanin. Këtë herë, në sulm do të luajë bomberi Erjon Bogdani, që shënoi një supergol ndaj Qipros.

Stërvitja e fundit

Mbyllen dyert,
50 tifozë kthehen në shtëpi të mërzitur
“Kështu ka vendosur FIFA”, u është thënë personave të pranishëm përpara kangjellave të fushës sportive pas stadiumit. Vetëm stafi dhe gazetarët brenda
Dje pasdite, në stërvitjen e zhvilluar nga Kombëtarja kuqezi në fushën e vogël që ndodhet pas stadiumit “Swissporarena”, nuk ka pasur asnjë tifoz kuqezi. Kjo, jo sepse ata kanë shpërfillur Kombëtaren, përkundrazi, por janë kthyer mbrapsht në hyrje të stadiumit. Sigurimi u ka thënë se lejohej vetëm hyrja e personelit, gazetarëve dhe pjesëtarëve të stafit, pasi kështu kishte vendosur FIFA. Pra, një stërvitje me dyer të mbyllura ka detyruar rreth 50 tifozë që të largohen të zhgënjyer, pasi kishin mbërritur aty me entuziazmin dhe shpresën për të marrë autografe dhe për të bërë foto me idhujt e tyre. “Jemi të zhgënjyer pasi prisnim që të shihnim stërvitjen e futbollistëve kquezi”. Madje, në fund të stërvitjes, lojtarët nuk kanë dalë nga dera kryesore, por nga një derë tjetër, për t’iu shpëtuar tifozëve.
Artin Fuga

 

Trajnerët e Kombëtares në unison: Mesfusha, ajo që na duhet në Lucernë!

Shyqyri Rreli
“Do të doja që skuadra të luante në grup, pra e kam idenë që futbollistët të qëndronin pranë njëri-tjetrit. Kam parasysh që do të kemi përballë një kundërshtar që bën diferencën dhe mund t’i kundërshtosh vetëm taktikisht. Nëse më lejohet të bëj ndonjë vërejtje, mund të fokusohem tek mesfusha, që ka futbollistë energjikë, por pa eksperiencë dhe ju e dini se sa e rëndësishme është që ta kesh. Edhe mbrojtja është ende e pakonsoliduar, por Cana di ta bëjë mirë rolin e kapitenit dhe gjithmonë është i aftë për ta mbledhur skuadrën”.

Bejkush Birçe
“Unë kam respekt për këtë trajner, madje kam biseduar me të gjatë kësaj periudhe të qëndrimit të tij në Tiranë. Por jam trajner vetë dhe eksperimentet e tij në ndeshjen e parë nuk do t’i bëja. Sidoqoftë duhet thënë se ndërrimet e tij ishin efikase, pasi ndryshuan rezultatin. Tani kam dëgjuar se do të luhet me një sulmues, që mendohet të jetë Bogdani. Ai është një pritës topi, që mund t’i japë frymëmarrje skuadrës në momente të caktuara, por që duhet të rrethohet mirë nga mesfusha. Pikërisht ky repart duhet të bëjë më shumë edhe në fazën defensive”.


Neptun Bajko
“Nuk mund të them se si do të luajë De Biazi, pasi është ai që do të mendojë për këtë ndeshje. Personalisht mendoj se problemi më i madh i yni është në mesfushë, një sektor që nuk bind ende. Fituam një ndeshje të parë dhe patëm fat dhe kjo nuk mund të vazhdojë gjithmonë kështu. Do të kemi përballë një kundërshtar të vështirë dhe do të na duhet të jemi të kujdesshëm, kështu që do të na duhet të përmirësohemi pikërisht aty ku çalojmë. Unë vazhdoj të këmbëngul, që duhen eliminuar defektet në mesfushë dhe vetëm atëherë mund të shpresojmë”.


Astrit Hafizi
“Si do të luante Kombëtarja po të isha unë? Sinqerisht nuk e kam menduar, sepse tani jam vetëm specialist futbolli dhe jo trajneri i saj. Mendoj se De Biazi e di çfarë bën dhe do ta përshtasë skuadrën sipas nivelit të kundërshtarit. Mesfusha është “thembra e Akilit” dhe aty ndërhyhet. Por, nuk e kam fjalën për emra, por për modulin e lojës. Sa më shumë mesfushorë në fushën e lojës dhe nëse e ka bërë ashtu siç janë informacionet e fundit, atëherë kjo skuadër mund të jetë dinjitoze, qoftë edhe ndaj këtij kundërshtari, që është vërtet shumë i vështirë”.

 
Gazeta ne PDF!

Superliga
Rezultatet | Renditja
Kategoria I
Rezultatet | Renditja
Kategoria II
Rezultatet | Renditja
Cila skuadër fiton Champions League në Wembley
Borussia Dortmund
Bayern Munich