Madhështore, fantas-
tike, e mahnitshme! E tillë ishte ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike “Londër 2012”, që përfshinte gjithçka.
22:00-Kjo gjithçka nis me fituesin e Turit të Francës, Bredli Uigins që i bie këmbanës 23 tonëshe që sinajlizon startin.
22:05-Skena e parë është në një peizash të fshatit anglez, me fëmijët që kërcejnë në një ditë vere. Një vizitë në gjithë tokat e Britanisë së Madhe, nga Skocia në Irlandën e Veriut, përmes Uellsit e Anglisë. Në ekran jepen imazhet e regbistëve më të mëdhenj të vendit, deri tek heroi i Botërorit 2003, Xhoni Uilkinson.
22:12-Skena e dytë rikujton revolucionin industrial, rolin që Britania kishte në transformimin e njerëzimit në shekullin XIX.
22:20-“Figurantët punëtorë” kanë veshur për 4 muaj kostumet e rinj për t’i bërë sa më realë gjatë ceremonisë, sa më të përdorur.
22:25-Quhet “i lumtur dhe Krenar”: është çasti i Mbretëreshës Elizabet që hyn në stadium me muzikën e Hendel dhe himnin anglez. 22:26 - Mbretëresha bëhet aktore? Ja Daniel Kreig (Xhejms Bondi i fundit) që e shoqëron nga “Buckingham Palace” deri në stadiumin Olimpik si një Agjent 007 perfekt. Dhe ja ku “mbretëresha” zbret në stadium me parashutë?
22:30-Por ja Mbretëresha e vërtetë Elizabeta II, pa kurorë, me veshjen e famshme të “Bond Girl” nga filmi i famshëm. Duket shumë e mallëngjyer, e ndjekur nga bashkëshorti, Princi Filip.
22:30-Një kor fëmijësh (disa prej tyre me probleme fizike) këndon himnin e Britanisë së Madhe “Zoti shpëtoftë Mbretëreshën”.
22:32-Ngrihet në shtizë flamuri i Britanisë “Union Jack”.
22:37-Skena e radhës titullohet “E dyta djathtas e më tej drejt deri në mëngjes”. Eshtë homazhi ndaj letërsisë angleze për fëmijë, nga heronjtë Piter Pan te Kapiteni Gremç, te Krudelia De Mon dhe Herri Poter. GOSH janë inicialet e spitalit për fëmijë më të dashur të londinezëve “Great Ormond Street Hospital”. Dhe ja JK Rouling, autorja e Herri Poterit, që lexon paragrafin e parë të Piter Panit.
22:44-600 kërcimtarët e përfshirë në këtë skenë u rekrutuan nga shërbimet shëndetsore britanike, 320 shtretër në skenë, 32 çadra.
22:47-Është çasti për një interval me muzikën e Vanxhelis të ekzekutuar nga Orkestra Simfonike e Londrës, e dirigjuar nga Sër Simon Ratëll, një nga dirigjentët më të mëdhenj në botë. Në piano duket Mr.Bin, Rouan Atkinson. Me muzikën e “Çaste lavdie”, fitues i 4 çmimesh Oskar.
22:52-Tani fusha kthehet në një shtëpi popullore angleze, me një familje që bëhet gati për të shtunën mbrëma.
22:55-Në këtë skenë përfshihen 1427 vullnetarë që kërcejnë me muzikën e viteve ’60, ’70, ’80, ’90 dhe atë aktuale. Protagonistë të mbrëmjes janë Frenki e Xhun. Shtëpia është kopja perfekte e një shtëpie angleze, e rindërtuar me materiale të lehtë, në mënyrë që të transportohet dhe të rimontohet në vetëm dy pjesë. Dani Boil, regjizori i ceremonisë, fitues i Oskarit me “Milioneri”, ka thënë se kjo skenë “është xhiruar në çdo shtëpi”. Një homazh për muzikën dhe telenovelat angleze.
23:09-Shkencëtari Tim Berners-Li, shpikësi i tre “W”, që sot përdoren rëndom për faqen e Internetit, www, “World Wide Web”.
23:11-“Vuaj me mua”, një himn i kompozuar në vitin 1847, ishte himni i Mahatma Gandit, tashmë muzikë e skenës së fundit.
23:13-Dhe ja ku vjen edhe Devid Bekam në timonin e skafit që sjell Flakën Olimpike nga lumi Tamiz. Eshtë çasti i mirëseardhjes: për 204 Komitetet Olimpike dhe 10.490 atletët që në 16 ditët e ardhshme do të garojnë në Londër.
23:30-Në stadium hyn delegacioni Olimpik Shqiptar, me flamurin që mbahet nga peshëngritësja Romela Begaj. Edhe ne jemi krenarë që kemi patriotë në një spektakël të rrallë që e bëri Londrën Botë.
01:25-Sër Stiv Redgrejv, pesë herë kampion Olimpik në kanotazh merr Flakën Olimpike nga Bekam dhe ndez pishtarin e madh.