Dje ka nisur punën zyrtarisht Partizani i ri. Presidenti Alber Xhani ka pritur në Tiranë trajnerin e ri grek, Nikos Kokinos si dhe lojtarët e huaj që “Sport Ekspres” bëri të ditur 2 ditë më parë që do të mbërrinin për t’u testuar tek skuadra e Kuqe. Dy lojtarët bullgar, Cvetan Filipov dhe Javor Vandev mbërritën në Tiranë që në orën 16:00 ndërsa lojtarët grek dhe shqiptarët që jetojnë në Greqi sëbashku me trajnerin mbërritën në aeroportin “Nënë Tereza” në orën 18:35. Në terminalin e aeroportit po i prisnin drejtori ekzekutiv Roland Mici, si dhe zëvendëspresidenti Artan Shtyti. Përveç këtyre dy drejtuesve të klubit, në Rinas ishin dhe një grup policie private, që po priste lojtarët e huaj. Personeli i aeroportit kishte siguruar që gjithçka do të shkonte mirë për lojtarët grekë, të cilët janë shoqëruar nga aeroplani deri në dalje të terminalit nga punonjësit e kompanisë dhe më pas detyrën e morën forcat e sigurimit. Një mikrobuz që bën linjën Rinas-Tiranë po i priste grekët dhe i shoqëroi ata deri në “Sky” hotel, aty ku do të qëndrojnë gjatë kësaj periudhe. Gjatë gjithë rrugës mikrobuzi është shoqëruar me forcat e sigurimit, të cilët u sistemuan para hotelit për të siguruar sistemimin sa më të qetë të lojtarëve. Me të mbërritur në hotel, të gjithë u takuan me presidentin Albert Xhani dhe më pas u drejtuan drejt dhomave të tyre për t’u ndërruar, pasi ishin të gjithë të veshur me kostume serioze.
Kokteji-Ardhja e lojtarëve të huaj në Tiranë për të luajtur me skuadrën e Partizanit në Kategorinë e Parë, nuk mund të kalohej pa një koktej nga drejtuesit e skuadrës. Të gjithë lojtarët, së bashku me trajnerin, dy menaxherët dhe disa anëtarë të tjerë të klubit ngritën një dolli për nisjen projektit, që synon rikthimin e Partizanit në elitën e futbollit shqiptar. Presidenti Xhani mori fjalën i pari dhe pas tij trajneri grek, Nikos Kokinos. Përballë kamerave dhe të gjithë të pranishmëve që ishin aty, Xhani u shpreh: “Si fillim dua të falënderoj zotin dhe gjykatën, që vendosën për të drejtën e Partizanit. Gjatë këtyre dy viteve ndaj nesh është hedhur shumë baltë dhe gjithmonë na kanë sulmuar, por tani të gjithë shpresojmë që Partizani do të rikthehet përsëri aty ku i takon, mes më të mirëve. Sot jemi këtu për të kurorëzuar fillimin e një projekti ambicioz, i cili ka si qëllim ringritjen e Partizanit. Besoj që të gjithë janë optimistë për rikthimin tonë dhe ardhja e këtyre lojtarëve është një ogur i mirë. Në janar do të shohim dhe shpresojmë që të kemi të tjera prurje më cilësore që do t’i shërbejnë skuadrës. Unë i uroj suksese trajnerit të ri në punën e tij, si dhe lojtarëve që do të veshin fanelën sezonin e ri”, përfundoi fjalimin e tij, Xhani. Më pas të gjithë të pranishmit në tarracën e “Sky Tower” u drejtuan drejt banketit që ishte shtruar.