Jo shumë larg, por një javë më pare, Ardi Behari, drejtori teknik i Flamurtarit ka deklaruar zyrtarisht: “Nga merkato kemi siguruar dhe afrimin tek Flamurtari të mbrojtësit Hektor Idrizaj. Ai është formuar si futbollist në ekipet e moshave të klubit tonë dhe pas tre sezoneve huazim tek Bylis ka pranuar ofertën e klubit. Kemi rënë dakord për gjithçka, me anë të një parakontrate dhe ai do të bashkohet me skuadrën që ditën e parë të rifillimit të stërvitjes, në kuadrin e përgatitjeve për sezonin e ardhshëm”. Por në fakt nuk ka ndodhur kështu. Ka kaluar tre ditë që skuadra vlonjate u është kthyer stërvitjes dhe mbrojtësi Idrizaj nuk është paraqitur asnjëherë. Dhe vetë trajneri Muça, që ka qenë në dijeni të kësaj lëvizjeje, shprehet i habitur kur thotë se: “Drejtuesit e klubit më kanë njoftuar për afrimin në skuadër të mbrojtësit Idrizaj dhe unë e kam llogaritur atë pjesë të grupit në këto përgatitje. Mungesa e tij është shqetësim, sepse kështu humbet serioziteti dhe nuk dimë se si duhet të veprojmë për të kërkuar zëvëndësimin e tij, me një tjetër futbollist që na duhet për repartin e mbrojtjes”. Ndërkohë, burime konfidenciale nga klubi i Bylisit, ku vlonjati Idrizaj është aktivizuar për tre sezone kanë konfirmuar se: “Mbrojtësi është në Greqi me skuadrën ballshiote, për të zhvilluar fazën përgatitore për sezonin e ardhshëm. Ai nuk do të lejohet të largohet në asnjë mënyrë nga Bylisi”. Ka mjaftuar kaq për të kuptuar, se është vështirë të besohet, që mbrojtësi Hektor Idrizaj do të bëhet pjesë e Flamurtarit për sezonin e ardhshëm. Informaconet që vijnë nga pranë futbollistit kanë saktësuar, se me marrjen e drejtimit të pankinës të Bylisit nga trajneri Agim Canaj, atij i është premtuar një kontratë e mirë financiare dhe vendi i titullarit në formacionin e parë. Nga ana tjetër drejtuesit e klubit Flamurtarit e pranojnë që kanë gabuar, që kanë rënë në marrëveshje me futbollistin, por këto ditë do të tentohet që të kontaktojnë me Idrizajn, për të sqaruar më mirë pozicionin e tij.