Hamdi Salihi përballë
Zlatan Ibrahimoviçit. Një moment që shqiptari e ka pritur dhe ëndërruar ndoshta prej kohësh, por që sot bëhet realitet, edhe pse kjo i mbetet në dorë trajnerit Olsen, i cili megjithatë ka bërë të ditur se do të aktivizojë të gjithë futbollistët në dispozicion për t’i kënaqur në miqësoren e lluksit. Në “RFK Stadium” të Uashingtonit, ku priten 45 000 tifozë, DC Junaijtidi do të zhvillojë miqësoren e parë të verës, kundër Paris SG, “Dream Team” i ri që ka lindur nga një fushatë “faraonike” në merkaton e kësaj vere. Dhe, shkodrani Salihi nuk ka ndër mend të mungojë. Një sfidë e cila do të vendosë edhe debutimin e Zlatan Ibrahimoviçit me fanelën e skuadrës së tij të re, që kur u ble në korrik dhe nuk pati mundësi të luante në miqësoren e parë, ndaj Çelsit, pasi ende s’ishte kthyer nga pushimet. Për Salihin do të jetë një ndeshje ndryshe nga të tjerat. E vërtetë është që sulmuesi deri tani ka luajtur kundër David Bekamit, apo Tierri Henrisë, Donovanit, Robi Kinit, apo Marko Di Vaios, por kundër gjigandit suedez, më i paguari ndër klubet europiane, do të jetë krejt ndryshe. Kjo pasi e gjithë Franca do të ketë sytë nga kjo miqësore, ku shqiptari dëshiron të lërë mbresa. Një ndeshje jo si gjithë të tjerat, pasi veç Zlatan Ibrahimoviçit, do të luajnë edhe Ezekiel Laveci dhe Verrati, dy blerjet e tjera të verës, ndërsa Tiago Silva do të mungojë, pasi ndodhet në Olimpiadën e Londrës, me Brazilin. Në intervistën ekskluzive për “Sport Ekspres”, bomberi kuqezi rrëfeu emocionet:
- Hamdi, në Uashington ka ethe “pariziene”. Po ju si e prisni duelin me Zlatan Ibrahimoviçin?
- Fillimisht duhet të them se për ne nuk është kaq e rëndësishme sa është prezantuar nga shtypi, edhe pse reklamat janë përhapur në rrjete sociale e adresa zyrtare. Jemi në mes të kampionatit dhe duhet të ruhemi për të mos u dëmtuar dhe lodhur. Megjithatë, bëhet fjalë për një miqësore lluksi. Për sa i përket Ibrës, nuk e di nëse do të luajë, apo jo.
- Do të luajë, të paktën kështu ka thënë Ançeloti. Për suedezin mund të ketë disa minuta në pjesën e dytë, por edhe ndonjë surprizë si titullar. Po ju në cilën pjesë do të luani?
- (qesh) Këtë nuk e di, uroj të luaj në ato minuta kur edhe Ibrahimoviç të jetë në fushë. Bëhet fjalë për një futbollist të madh, që nuk e zbulojmë ne, por PSG ka edhe shumë kampionë të tjerë. Megjithatë, këtu në Amerikë kanë parë shumë gjatë këtyre viteve, pasi ekipet e mëdha europiane i bëjnë fazat përgatitore këtu dhe zhvillojnë shumë miqësore.
- Thuhet se stadiumi do të jetë i mbushur plot, por edhe me shqiptarë…
- E vërtetë, edhe pse ekziston frika që të mos jetë aq plot sa thuhet, pasi në të njëjtën orë, disa kilometra më larg, do të luajë Liverpuli me Totenhamin dhe këtu në SHBA janë shumë të apasionuar pas futbollit anglez.
- Shumë yje në MLS, por që po zhgënjejnë në skuadrat e tyre. Motivi?
- E thjeshtë. Kur erdha këtu, në intervistën e parë thashë që ndryshonin shumë gjëra dhe ambjentimi kishte nevojë për kohë. Kështu ishte për Bekamin, Henrinë e kështu me radhë.
- Kur do t’ju shohim në Kombëtare?
- Sa më shpejt të jetë e mundur.