Maikon kundër Interit: S’luaj në Europa League!
   27/7/2012

Daglas Maikon i ka bërë të qartë Interit se dëshiron të transferohet sa më parë të Real Madridi. Futbollisti që sapo ka mbushur 31 vjeç, po stërvitet me pjesën tjetër të ekipit, por ka refuzuar të zbresë në fushë në miqësoret e zhvilluara deri tani dhe ato të ardhmet, për shkak se nuk dëshiron të rrezikojë një dëmtim të mundshëm që do t’i mbyllte rrugën transferimit të tij në Spanjë. Zhoze Murinjo admiron futbollistin dhe do të dëshironte ta kishte me vete në Spanjë që dy sezone më parë, kur i dha lamtumirën Interit pasi kishte fituar gjithçka me zikaltërit. Tani futbollisti ka edhe një vit kontratë të mbetur me Interin dhe kjo skuadër dëshiron që të përfitojë të paktën 10 milionë euro nga largimi i tij. Fillimisht mendohej se këtë shumë do ta paguante Çelsi, që ishte gati të rriste ofertën për të siguruar lojtarin e krahut të djathtë. Por ftesa e Murinjos bëri që Maikon të ndryshojë mendje dhe të kërkojë tashmë vetëm transferimin në Spanjë. Sipas “Marca”, futbollisti ka qenë shumë i qartë me drejtuesit e klubit, të cilët nesër  duhet të dërgojnë në UEFA listën e futbollistëve që do të regjistrojnë për pjesëmarrjen në Europa League. Maikon nuk dëshiron të marrë pjesë në këtë aktivitet për të mos humbur mundësinë e aktivizimit në Ligën e Kampioneve me Realin, gjë të cilën ia ka bërë të qartë edhe trajnerit Stramaçioni. Situata ka shkuar deri aty sa gazeta spanjolle shkruan se braziliani ka paralajmëruar drejtuesit zikaltër që nëse e përfshijnë në këtë listë, ai do të refuzojë të zbresë në fushën e lojës, edhe nëse kjo do të thotë se ai do të gjobitet rëndë nga klubi.

 
Gazeta ne PDF!

Superliga
Rezultatet | Renditja
Kategoria I
Rezultatet | Renditja
Kategoria II
Rezultatet | Renditja
Cila skuadër fiton Champions League në Wembley
Borussia Dortmund
Bayern Munich