Antonio Konte, Simone Pepe dhe Leonardo Bonuçi janë në listën e personave që Prokuroria Federale i dërgoi për gjykim Komisionit Disiplinor të Federatës Italiane të Futbollit për procesin e dytë të drejtësisë sportive të skandalit të basteve.
Konte hetohet për “moskallëzim denoncimi” në lidhje me ndeshjet Novara – Siena të 1 majit 2011 dhe AlbinoLeffe - Siena të 29 majit 2011. Prokuroria konsideroi se nuk kishte në dispozicion elementët e nevojshëm për të proceduar me akuzën e paligjshmërisë sportive, pra thyerjen e Kodit Sportiv me synim manipulimin e ndeshjes një frymëmarrje kjo për Konten pasi në këtë mënyrë redukton rrezikun e një skualifikimit të gjatë ndërsa me akuzën e “moskryerjes së denoncimit” maksimumi i penalizimit që parashikohet është një skualifikim prej dy vjetësh, por është më i mundshëm një pezullim prej 3-6 muajsh.
Konte do të dalë përpara Komisionit Disiplinor në datën 2 gusht, në Romë. Më e rëndë është situata e Leonardo Bonuçit; mbrojtësi i Juventus u dërgua për gjykim me akuzën e ilegjitimitetit sportiv ashtu si dhe Daniele Portanova, Andrea e Salvatore Masiello, Alessandro Parisi dhe Nikola Belmonte. Faktet që i implikojnë kanë të bëjnë me ndeshjen Udineze-Bari të 9 majit 2010, kur futbollistët në fjalë që në atë kohë luanin te Bari dyshohet se në bashkëpunim mes tyre dhe me persona të tjerë kanë kryer akte të drejtëpërdrejta për të kushtëzuar rrjedhën dhe rezultatin e ndeshjes në funksion të një rezultati me më shumë se tre gola në barazim mes dy skuadrave.
Pepe - Akuza për të është më pak e rëndë, “moskryerje denoncimi” pasi nuk ka kryer detyrën e tij për të informuar prokurorinë federale duke mos denoncuar faktet për të cilat ishte në dijeni për kryerjen e paligjshmërisë sportive. Mes të hetuarve rezulton dhe Marko di Vaio, moskryerje denoncimi dhe për ish-sulmuesin e Bolonjës në lidhje me takimin Bolonja – Bari të 22 majit 2010. Mes klubeve nën akuzë, ato që rrezikojnë më shumë janë Leçe dhe Grosseto, të cilat hetohen për përgjegjësi të drejtpërdrejtë çfarë mund të sjellë dhe zbritjen e tyre nga kategoria.
Siena-Skuadra e Erjon Bogdanit rrezikon penalizimin me pikë për përgjegjësi objektive, çka do të thotë se nuk rrezikon zbritjen nga kategoria por vetëm disa pikë penalizim për kryerjen e veprimeve të kundraligjshme jo nga vetë klubi por nga të federuarit, futbollistët e tij në ndeshjet me Novarën, Albinolefen, Torinon, Varezen dhe Piaçencën. Për të hyrë në detaje, Sampdoria dhe Torino dërgohen për gjykim për përgjegjësi të supozuar objektive dhe të dyja skuadrat rrezikojnë ta nisin me penalizim sezonin e ri të Serisë A. Më saktësisht, Sampdoria sinjalizohet për kryerjen e ilegjitimitetit sportiv të ish-të federuarit të klubit, Stefano Guberti, në ndeshjen Bari - Sampdoria 0-1 të 23 prillit 2011, ndërsa Torino do të përgjigjet për thyerjen e Kodit Sportiv nga ana e ish futbollistit Alesandro Pelikori për ndeshjen Siena – Torino 2-2 të 7 majit 2011. Prokuroria mund të kërkojë për të dyja skuadrat nga 2 derio në 4 pikë penalizim. Rrezikon vetëm një gjobë Udineze që dërgohet për gjykim për “moskryerjen e denoncimit” nga ish-futbollisti i klubit, Simone Pepe, për ndeshjen Udineze - Bari 3-3 të 9 majit 2010.