Më në fund pritja mbaroi. Pas katër vitesh “errësirë”, që nga drita e pabesueshme që ndriçoi botën në “Pekin 2008” më në fund Lojërat Olimpike rikthehen për kënaqësinë e gjithë njerëzve në planetin Tokë, dhe jo vetëm të apasionuarve pas sportit. Po, sepse kësaj here evenimenti më i madh sportiv botëror, Olimpiada, zhvillohet në një prej qyteteve më simbolikë botërorë, në Londër. Kjo është hera e tretë që Lojërat i janë caktuar kryeqytetit britanik, pas viteve 1908 e 1948 dhe ashtu si në edicionet e mëparshme, edhe kësaj here pritet spektakël sportiv dhe kulturor.
Hapja-Sipari do të ngrihet me ceremoninë e hapjes, sot pasdite në stadiumin Olimpik. Ajo do të quhet “Ishujt e Mrekullive”. Regjisori që ka fituar çmimin “Oskar”, Deni Boili do të jetë drejtuesi artistik dhe drejtues muzikorë do të jenë Rik Smith e Karl Hajd, të dy emra të njohur në botën muzikore. Lojërat do të hapen zyrtarisht nga Mbretëresha Elizabet II dhe Princi Filip, Duka i Edinburgut. Një film i shkurtër me aktor Daniel Kreg në rolin e agjentit Xhejms Bond do të shfaqet gjatë transmetimit televiziv të ceremonisë. Dhe mbyllja e saj do të bëhet nga legjendari i Bitëllsave, Sër Pol MekKartni, që do të këndojë në mbylljen e ceremonisë së hapjes.
Siguria-Në fakt, askush nuk shqetësohet nga ceremonia e hapjes, që mendohet të jetë madhështore. Frika më e madhe është ajo për sigurinë, sepse sulmet terroriste janë të pritshme në një ngjarje kaq të madhe dhe me jehonë globale. Britania e Madhe i ka marrë më së miri masat, duke dislokuar më shumë se 10.000 trupa ushtarake. Shumë e shumë vullnetarë por edhe agjentë shërbimesh sekrete nga shumë vende partnere, që do të mdihmojnë me informacione dhe me punën e zezë pas kuintave. Lumi Tamiz do të jetë i mbushur me luftanije të vogla, ndërsa helikopetër dhe avionët do patrullojnë nga lart, teksa Londra do të jetë hapësirë e ndaluar ajrore gjatë gjithë Olimpiadës.
Sporti - Por, në fund të fundit, të gjithë mezi presin sfidat sportive, sepse ky është dhe qëllimi kryesor i Olimpiadës. Më të shumëpriturit janë Usain Bolt në sprint dhe Majkëll Felps në not, por edhe shumë të tjerë, si Federika Pelegrini në not, çiklizmi britanik në pistë e në rrugë dhe shumë e shumë kampionë të tjerë. Nga skuadrat, më të fortat duken Kina e SHBA-ja, që do të duelojnë për kreun e tabelës së medaljeve, por kujdes edhe Rusinë.
VIP-at- Dhe gjithë këto evenimente do të tërheqin vëmendjen e globit anembanë. Në Londër priten të vijnë shumë VIP-a, “koka shteti”, artistë dhe pasanikë, disa prej të cilëve me jahtet e tyre milionere. Familja Mbretërore do të jetë e impenjuar maksimalisht, me Mbretëreshën Elizabet II, Princin Uilliam me bashkëshorten Kejt, Princi Herri dhe babai i tyre Çarls me bashkëshorten, Kamila. Shkurt, janë të gjithë detajet për një spektakël madhështor.