Cana “studion” si lider: Lacio do të befasojë, ndjej besimin e trajnerit!
   27/7/2012

“Lacio e vërtetë do të jetë gati për kampionat”. Studion si lider, Lorik Cana, që pavarësisht dy humbjeve radhazi të bardhekaltërve, 1-0 ndaj Sienës dhe 3-0 ndaj Torinos, beson se kryeqytetasit mund të bëjnë një sezon super. Sezonin e shkuar, i lënë mënjanë nga Edi Reja, mesfushori ka arritur që këtë verë të rigjejë besimin në vetvete dhe të fitojë atë të trajnerit të ri të Lacios, boshnjakut Petkoviç: “Ndihem mirë, sidomos fizikisht. Jam i bindur se do të mbërrij në start të sezonit në topformë dhe do të gjendem gati, sidomos duke u nisur nga fakti se tashmë kam një vit eksperiencë në Serinë A dhe do ta kem më të lehtë sesa kur mbërrita në fillim. Jam një futbollist ambicioz dhe do të bëj çmos që të arrij objektivat, të cilat i kemi përcaktuar gjatë verës: duam me çdo kusht që të arrijmë zonën ‘Champions League”, u shpreh kapiteni kuqezi, i cili vazhdon të ndihet në qendër të projektit.
Pavarësisht humbjeve, Lacio është dukur shumë mirë, të paktën fizikisht, edhe pse duhet të ndreqë shënjestrën, pasi zero gola në dy ndeshjet e fundit, tregojnë se ka probleme përpara.
Lideri – Petkoviç vazhdon të eksperimentojë, edhe pse e ka kuptuar se Cana tashmë shërben më shumë në mbrojtje se në mesfushë. Shembulli konkret është se në dy ndeshjet e fundit e ka kthyer atë pikërisht në mbrojtje, në qendër, në mënyrë që të jetë më agresiv dhe të japë maksimumin. Ka përdorur dy skema, 4-3-1-2 dhe 4-4-2: “Trajneri po përpiqet që të kuptojë sistemin e lojës më të përshtatshëm për skuadrën. Në grup ka shumë futbollistë të aftë që të mbulojnë më shumë role, kështu Petkoviç po përpiqet që të kuptojë se ku mund të luajnë ata dhe ku mund të japin maksimumin. Edhe unë, për shembull, mund të luaj në mbrojtje dhe nëse ai mendon se është ky pozicioni im ideal, atëherë nuk tërhiqem mbrapa”.
Besimi – Shqiptari beson shumë te trajneri i ri: “Dëshiron që të propozojë një futboll  të ri ofensiv dhe nuk do të zhgënjejë pritshmërinë”. Skuadra është dukur shumë mbrapa përsa i përket formës, por Cana nuk shqetësohet aspak: “Deri në këtë moment kemi punuar shumë mirë, por do të duhet ende kohë për të parë Lacion e vërtetë. Kemi ende shumë punë për të bërë. Në këtë periudhë nuk mund të nxjerrësh përfundime, pasi është tepër herët. Skuadra ka një potencial të madh, jam i bindur. Këmbët i kemi ende të rënda, por do të shihni një Lacio super”.

 
Gazeta ne PDF!

Superliga
Rezultatet | Renditja
Kategoria I
Rezultatet | Renditja
Kategoria II
Rezultatet | Renditja
Cila skuadër fiton Champions League në Wembley
Borussia Dortmund
Bayern Munich