Norma e kualifikimit për në Lojërat Olimpike “Londër 2012” të atletes Klodiana Shala duket se është plotësisht në dorën e Federatës Botërore të Atletikës. Të paktën sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Atletikës, Nikolin Dionisi, deri më tani janë nisur disa imele drejt IAAF-it, por që nuk ka asnjë përgjigje. “Puna është se ata janë ndoshta duke pritur 8 korrikun, që është afati i fundit i kualifikimit të atletëve për në Londër. Ne shpresojmë që të ketë një përgjigje pozitive, në të kundërt më pas nuk është më kompetencë e jona. Por duhet ta zgjidhë Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar”, thotë Dionisi, ndërkohë që, edhe për shkak të problemeve shëndetësore, jashtë kësaj çështje ka mbetur Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli. Megjithatë nga Helsinki, atje ku u zhvillua dhe Kampionati i 21-të Europian i Atletikës, trajneri i Klodiana Shalës dhe Luiza Gegës, Taulant Stërmasi ka ardhur me sinjale pozitive. “Puna është që nuk ka asnjë dyshim për këtë normë kualifikimi, sepse Federata Botërore e Atletikës jo vetëm që e ka njohur si aktivitet, pra Kampionatin Kombëtar të Maqedonisë, por dhe i ka certifikuar kohët. Po ta shihni dhe në rang-listë, si për Shalën, ashtu dhe Gegën, si te Federata Botërore, ashtu dhe Europiane janë të regjistruar kohët e reja 23”27 dhe 4’08”65. Gjithsesi, ata më kanë udhëzuar që KOKSH duhet të aplikojë te Komiteti organizatori i Lojërave Olimpike në Londër, pas së cilës IAAF do të çojë dhe shkresën zyrtare të njohjes së normës. Por që kjo shkresë, teksa është dhe Kampionati Botëror i Atletikës për të rinj në Barcelonë, më 10-15 korrik, do të vonojë disi dhe do të vijë dhe në FSHA. Për ne nuk ka asnjë dyshim”, thotë Stërmasi, në një kohë Shala e Gega sot do të jenë në Tivar për periudhën përgatitore para Lojërave Olimpike.
Shefi i Misionit, mbledhje
me sekretarët e trajnerët
Shefi i Misionit të Shqipërisë në Lojërat Olimpike “Londër 2012”, Viron Bezhani, që është njëkohësisht dhe kryetari i Komisionit Teknik në KOKSH, sot në mesditë do të ketë një takim me Sekretarët e Përgjithshëm të Federatave Sportive, që janë përfaqësues në Olimpiadë. Jo vetëm kaq, por në këtë takim do të jenë dhe trajnerët e caktuar për të udhëhequr sportistët. Në këtë mbledhje do të trajtohen çështje teknike të përgatitjes së sportistëve, si dhe do t’u jepen informacione në lidhje me të gjitha veprimet që do të bëhen deri në ditën e nisjes drejt Londrës.