Ndërsa po afron ndeshja e parë europiane, në kampin durrsak po bëhen përgatitjet e fundit rreth kësaj sfide. Pak orë para kësaj përballje të Teutës, e vlefshme për Europa League, trajneri Hasan Lika e ka të qartë kontigjentin e lojtarëve, ndërsa ende nuk dihet se kush do të jenë futbollistët që do të zbresin në fushë. Durrsakët i kthehen këtyre takimeve pas pesë vjetësh, teksa hera e fundit që luanin një ndeshje të Kupës Uefa në atë kohë ka qenë në 2007. Durrsakët shpresojnë që ky rikthim në Europë të jetë pozitiv për ta. Presidenti Edmond Hasanbelliu beson tek skuadra e tij, kur thotë se: “Të gjithë shpresojmë që në ndeshjen e parë që luajmë në fushën tonë të dalim të fituar. Gjatë fazës përgatitore në Bullgari skuadra është konsoliduar, duke u ndihmuar dhe nga fakti që grupi i lojtarëve nuk ka shumë ndryshime nga ai i kampionatit të kaluar. Me aq sa jam i informuar dhe kam parë ekipi kundërshtar nuk duket të jetë më lart se ne, ndaj mendoj se janë shanset reale që ne të shpresojmë në kualifikimin e mëtejshëm. Gjithsesi, mbetet për t’u parë ndeshja që do të luajmë të enjten dhe më pas mund të llogarisim shanset tona për kualifikim”.
Stërvitje në orarin
e ndeshjeve
Temperaturat e larta, por edhe përshtatja me orarin e ndjeshjes kanë qenë shkaktarët që stërvitja e djeshme e Teutës është realizuar gjatë orëve të mbrëmjes. Gjatë kësaj seance, trajneri Lika ka punuar me mënyrën e lojës dhe taktikën që do të përdorë Teuta në ndeshjen e së enjtes përballë Matalurgi Rustovi, ndeshje që do të realizohet në orën 20:30, në stadiumin “Niko Dovana”.
Dy hotele për
rivalët e Euros
Teuta është grumbulluar gjatë ditës së djeshme në Hotel “Nikoci” pranë autostradës Tiranë – Durrës, i cili është vendi i akomodimit të durrsakëve gjatë muajve verorë, pasi ai ndodhet larg zonës së plazhit që tashmë në verë është e mbipopulluar nga pushuesit.
Skuadra kundërshtare e Teutës, Metalurgi Rustovi do të mbërrijë sot në Durrës dhe do të akomodohet në Resort “Tropikal” për të qenë më pranë stadiumit, ndërsa sot në mbrëmje do të realizojnë dhe stërvitjen e fundit në stadiumin “Niko Dovana”.
Operacion për
Hyshmerin, mungon
në turin e parë
Sulmuesi elbasanas nuk do të luajë dy ndeshjet e turit të parë me fanelën e Teutës
Sulmuesi i krahut, një nga zbulimet e Teutës në sezonin e shkuar nuk do të luajë me durrsakët në ndeshjet e turit të parë. Lojtari një javë më parë ka realizuar operacion në Bullgari dhe është shumë e vështirë të rekuperohet në harkun e 10 ditëve. Ai do të humbasë dy takimet kundër Metalurgi Rustovit. Operacioni nuk ka qënë i një grade të lartë, por gjithsesi ai është i pamundur fizikisht. B.K.
Tairi nuk arrin akord në
Zvicër, sërish në Durrës?
Mesfushori nuk ka firmosur
me skuadrën me të cilën ishte në tratativa dhe mund të jetë një alternativë për Teutën
Para disa javësh u larguan nga Teuta lojtarë siOsmani apo dhe Rizvani, por nuk kaluan shumë dhe ata u afruan sërish me skuadrën ku u aktivizuan gjatë sezonit të kaluar. Ndoshta një gjë e tillë mund të ndodhë dhe me mesfushorin shqiptaro-maqedonas Flamur Tairi, i cili prej disa ditësh është lojtar i lirë, pasi nuk është arritur akordi me një skuadër zvicerane, tek e cila Tairi synonte të aktivizohej gjatë sezonit të ardhshëm. Presidenti Hasanbelliu pohon se është i informuar që mesfushori që u aktivizua me ekipin e tij për dy sezone është i lirë. Nëse lojtari do të pranonte të njëjtat kushte të kontratës të një viti më parë, ose edhe pak më të mira se një vit më parë, presidenti durrsak do të ishte dakord për ta patur sërish në skuadër. B.K.