I lindur në Kosovë, luan me Kombëtaren Shqiptare duke qenë titullar që nga viti 2009. 23-vjeçari është rritur në ekipet e moshave në skuadrën e Anderlehtit në Belgjikë, ku është zbuluar nga vëzhguesit e Palermos në turneun e Viarexhos në 2007. Më pas ka debutuar në Serinë A, në sezonin 2008-2009 dhe luajti 25 minuta kundër Milanit, duke mos pësuar asnjë gol. Një vit më vonë huazohet tek Novara, ku zhvillon dy sezone të shkëlqyera. Ndërkohë në vitin e fundit në Serinë A, me skuadrën piemonteze, pavarësisht dy dëmtimeve mjaft të rënda, arrin të bëjë një paraqitje shumë të mirë, duke bindur kreun e klubit palermitan që ta rikthejë në skuadrën që e solli në Itali.
“Është e vërtetë,- deklaron Zamparini,- do të kthehet Ujkani, i cili do të jetë portieri ynë i parë. Është një element i shkëlqyer. Në portë na duhet një lojtar me vazhdimësi dhe Viviano nuk e garanton një gjë të tillë, duke parë që gjysma e kartonit është në pronësi të Interit dhe ne kërkojmë një portier që të jetë i gjithi i yni”. Ndërkohë “gardiani” i portës shqiptare, është shprehur shumë i kënaqur nga fjalët e presidentit. “Falënderoj Zamparinin për fjalët e mira dhe shpresoj që t’ia paguajë në fushën e lojës. Duhet të bëj akoma shumë për të “larë borxhin” që kam me klubin e Palermos”.
Pritet që ndihmësit e tij të jenë Benusi dhe Briketo, mbasi Viviano dhe Tzorvas, janë në largim e sipër.
Të gjithë presin që Ujkani të bëhet një pikë kyçe i portës palermitane, mbas shumë vitesh paqartësie.