Dështimi i Gjermanisë, më shumë se çdo gjë tjetër, është një dështim kombëtar. Dhe, ai që e thotë një gjë të tillë është ish-kapiteni dhe ish-trajneri i bundestimit, Jurgen Klinsman. Trajneri aktual i SHBA-ve, ka pranuar se ai ka folur me trajnerin Lëv gjatë kësaj kohe dhe sqaron se si ndihet ish-ndihmësi i tij në 2006-n. “Natyrisht që ai është i mërzitur. Për këtë ai ka marrë disa ditë pushim. Por, unë mendoj se puna duhet të vazhdojë dhe Jogi duhet të qëndrojë trajner. Ai duhet të vazhdojë punën me gjeneratën e artë”.
- Ju thoni “gjenerata e artë”?! Por që pas “Wembley”-t në 1996-n, Gjermania s’ka marrë më asnjë titull!
- Unë kam jetuar fundin e viteve ’80 dhe fillimin e viteve ’90 dhe mënyrën se si Krujf ndryshoi modelin e lojës së futbollit tek Barcelona. Por vetëm pas 20 vitesh Spanja arriti të shpërthente dhe në 2008-n fitoi titullin e parë. Sistemi është krijuar më parë, por do kohë që të rrënjoset.
- 20 vite pritje?
- Skuadra duhet të mësojë edhe shumë akoma. Kundër Italisë ajo ka mësuar leksionin e saj. 11-shja jonë ishte e frikësuar. Ne kemi lënë shumë hapësira dhe nuk ishim të fortë sa duhet në dyluftime. Por, mund të them se edhe disa nga lojtarët tanë janë të rinj dhe kjo ishte një eksperiencë tjetër për ta.
- Mungesë eksperience? Poldi ka luajtur 101 ndeshje me kombëtaren, ndërsa Shvajni, 95. A mos ishin shumë të mefshtë lojtarët e Lëvit?
- Janë pikërisht lojtarët si Shvajnshtajger dhe Lahm që duhet të pyesin veten se çfarë nuk shkoi. Janë ata që u kthyen me duar bosh. Italianët ia vunë atyre “kufirin” ku donin.
- A mendoni se është faji i Lëvit për dështimin?
- Natyrisht që jemi të çuditur të gjithë me formacionin që pamë. Jogi duhet të ketë menduar diçka. Ai e njeh më mirë gjendjen në skuadër. Por, jo gjithmonë gjërat funksionojnë siç duhet. Pra, zgjedhjet e trajnerit ndonjëherë nuk dalin. Dhe kjo e dënoi Lëvin. Ai që fiton merr të gjitha meritat, me të drejtë. Ky është futbolli.
59% e gjermanëve janë me trajnerin
Joahim Lëv nuk është vetëm. Kështu, pavarësisht dështimit në Kampionatin Europian, kur Gjermania u eliminua në gjysmëfinale nga Italia, duket se tashmë pjesa më e madhe e gjermanëve janë me të. Pavarësisht se mediat e quajnë Jogin përgjegjës për skemat e tij të dështuara në ndeshjen ndaj Italisë, ka qenë “Bild” ai që ka bërë një anketë në versionin e gazetës on-line, teksa nga gjermanët që kanë votuar, ka rezultuar se 59% e tyre e duan Lëvin në stolin e Gjermanisë. Kështu, duket se tashmë gjermanët, edhe pse pranojnë se janë të mërzitur dhe se nuk e kanë “kapërdirë” dot humbjen dhe dështimin, nga ana tjetër, thonë se Lëv është njeriu i duhur për të vijuar punën si trajner i përfaqësueses gjermane.
Netzer: Lojtarëve
tanë iu mungon
personaliteti!
Gynter Netzer, ish-lojtari i famshëm i Gjermanisë, aktualish specialist futbolli në gazetën gjermane “Bild”, por edhe në media të ndryshme vendase, ka shkruar dje në një nga editorialet e tij arsyen kryesore se përse Gjermania e Jogi Lëvit ka dështuar në Europianin 2012, por edhe në Botërorin 2010. “Unë mendoj se, përtej gjithçkaje që mund të thuhet, problemi kryesor nuk është as formacioni dhe as vendosja taktike. Gjermanisë i mungon diçka më e madhe akoma, personaliteti. Këta lojtarë,- ka thënë Netzer, - duhet të luftonin më shumë dhe ta ndjejnë më shumë fanelën”. Fjalë këto që tregojnë se edhe gjermanët janë të përçarë për dështimin e përfaqësueses.
Ozil: Nuk është faji i Lëvit
Ylli i Realit, kundër kritikave të medias gjermane
“Dikur ishim heronjtë, tani jemi të këqinjtë?!”. Mesut Ozil e di mirë se tani e gjithë media, madje i gjithë vendi është kundër përfaqësueses gjermane. “Ndryshoni profesion!”, apo “ju nuk mundët të përfaqësonit vendin tuaj”, janë disa nga fjalët që ylli i Realit të Madridit nuk ka mundur t’i kapërcejë dot. “Nuk është e drejtë. Të gjithë kryqëzojnë Lëvin, apo lojtarët. A e dini se si fitohet një titull Europian?! Mendoni se është e lehtë. Ne jemi njerëz dhe jo makina. Nuk mund të fitojmë dot sa herë që kërkoni ju dhe nëse nuk e bëjmë këtë, atëherë dalim tradhëtarë”, kanë qenë fjalët e Ozilit për “Bild”. Kështu, sipas mesfushorit, Gjermania ka dalë në gjysmëfinalen e 2006-s, në finalen e 2008-s, në gjysmëfinalen e 2010-s dhe në gjysmëfinalen e tanishme. “Jemi eliminuar dy herë nga Spanja dhe dy herë nga Italia, dy skuadra të mëdha. Por ne kemi qenë gjithmonë atje. Kemi luftuar dhe kemi kërkuar që ta fitojmë turneun. Jemi ne ata që jemi quajtur heronj për 15 ndeshje të fituara. Po tani?!”, ka përfunduar Ozil.
Xherard i kërkon
Hoxhsonit ta lërë rehat!
Kapiteni i Liverpulit dhe i përfaqësueses angleze, Stiven Xherard ka pohuar dje se ai nuk ka dëshirë që të grumbullohet me përfaqësuesen angleze për ndeshjet miqësore. Kështu, mesfushori, edhe pse ka pohuar se nuk ka ndërmend t’i kthejë kurrizin vendit të tij, ka thënë se ai do të ishte i kënaqur nëse trajneri Roi Hoxhson nuk do ta grumbullonte për ndeshjet miqësore, të pakuptimta, që Anglia do të ketë ndaj Italisë, më 15 gusht, në Zvicër dhe me Suedinë në nëntor. Duke patur parasysh formën e tij dhe faktin që ai ndihet i lodhur, kjo do të thotë se ai edhe mund të humbasë ndonjë ndeshje kualifikuese, duke përfshirë ndeshjen ndaj San Marinos në tetor në Londër dhe ndeshjen me Poloninë, katër ditë më pas.
Runi – Ndërkohë, Xherard ka folur edhe për kritikat ndaj Uejn Runit, duke thënë: “Mendoj se që në momentin kur Uejn iu bashkua kombëtares dhe për shkak të paraqitjes së tij në Euro 2004, ka një pritshmëri që ai duhet të vijë në turne dhe t’i fitojë të gjitha ndeshjet i vetëm për ne. Mendoj se është e padrejtë, sidomos kur gjërat shkojnë keq, pasi atëherë njerëzit e drejtojnë gishtin nga ai dhe e fajësojnë për gjithçka. Përgjegjësia duhet të bjerë te të 23 lojtarët”, u shpreh kapiteni i Anglisë.
“Nuk doja të vazhdoja më”
Laurent Blank tregon arsyet
se përse nuk rinovoi me Francën
Ish-trajneri i Francës, Laurent Blank, vendosi të bëjë publike arsyet që e detyruan t’i thoshte jo rinovimit të kontratës me Federatën Franceze të Futbollit edhe dy vite të tjera. 46-vjeçari sqaroi se nuk kishte rënë dakord me presidentin Le Graet për mënyrën se si duhej punuar për kualifikueset e Botërorit, që nisin në shtator. “Presidenti Le Graet, pas zgjedhjes në krye të Fedefatës Franceze të Futbollit, më kërkoi rinovimin deri në vitin 2014. E konsiderova të parakohshme që të përballesha me këtë çështje përpara kualifikimit në Euro 2012, që në këndvështrimin tim ishte detyrim. Menjëherë pas kualifikimit, pavarësisht qëndrimit tim publik për një kontratë afatgjatë, presidenti e shtyu vendimit pas Europianit. Në takimin e 28 qershorit nuk mundëm të binim dakord për mënyrën e drejtimit të skuadrës dy vitet e ardhshme dhe në këtë pikë, në përfundim të dy ditëve reflektim, vendosa të mos kërkoj rinovimin”.
Gulit, gati për stolin e Holandës
Rud Gulit do stolin e Holandës. Një gjë të tillë ai e ka pohuar në mënyrë direkte dhe të drejtpërdrejtë në tabloidin britanik “Sunday Mirror”. Gulit është përmendur prej kohësh si trajneri i ri i “Oranje”-s, teksa ai dje ka deklaruar: “Nëse do të më thërrasin këtë javë do të jem i nderuar të pranoj ofertën e Federatës Holandeze. E di se mund t’ia dal. Kam humbur shpesh si trajner, por njerëzit e harrojnë që kam fituar edhe shumë në kohën kur isha lojtar, por edhe si trajner”, kanë qenë fjalët e Gulit. Aktualisht stoli i Holandës është bosh, pas largimit të trajnerit Bert Van Marvijk. Por duket se Gulit do të marrë shumë shpejt në dorë situatën.